Trende të rrezikshme: Islamofobia

Ditëve të fundit pas rastit të terrorizmit në Chischurch të Zelandës së Re, sërish u aktualizua nocioni i fobive, gjegjësisht i islamofobisë, i urrejtjes, averzionit ndaj islamit dhe myslimanëve, i sentimentit anti-islamik  ose i racizmit anti-mysliman. Në fakt, islamofobia është një neologjizëm i shpikur në Britani në vitin 1996 (megjithëse ka të atillë që pohojnë se rrënjët i ka në periudhën e kryqëzatave si K. Armstrong dhe M. Filipoviq) që nënkupton “paragjykimet dhe antipatinë e thellë ndaj islamit dhe mysimanëve”, frikën dhe armiqësinë e pabazë dhe artificiale ndaj fesë islame, ndjenja këto që shkaktojnë diskriminimin e myslimanëve, përjashtimin e tyre nga proceset politike‐shoqërore, stereotipizimin e profilit të besimtarit islamik duke e etiketuar si “reaksionar, radikal, fundamentalist dhe terrorist”, pra akuza për fajësi të tyre dhe krime të ndryshme, nga ato të urrejtjes deri te më të rëndat. Islamofobia nxitjet e para i merr me rënien e komunizmit, kur islami shpallet “fajtor i ri” dhe “armik i ri i vlerave perëndimore”, në veçanti me shkrimet e Fukuyamës dhe Huntingtonit, kurse bëhet përditshmëri pas rastit të 11 Shtatorit.

Kjo pikëpamje karakterizohet me bindjen se “shumica ose të gjithë myslimanët janë fanatikë fetarë, se kanë prirje të dhunshme ndaj jomyslimanëve, se refuzojnë konceptet si barazia, toleranca dhe demokracia”. Islamofobët frikohen se rregullat islamike mund t’ua ngushtojnë hapësirën jetike ose lirinë, sepse sipas tyre, “ligjet, tekstet e shenjta dhe praktikat moderne të islamit kërkojnë nënshtrim të kulturës, politikës dhe të të gjitha pasqyrimeve dhe institucioneve shoqërore ndaj parimeve fetare”. Sipas The Runnymede Trust (1997) qarqet islamofobe e shohin islamin (1) si një tërësi monolite, statike dhe që nuk u përgjigjet ndryshimeve, (2) si të ndarë prej “tjetrit”, si fe që nuk ka vlera të përbashkëta me kulturat e tjera, (3) si fe që është inferiore ndaj Perëndimit, si botëkuptim irracional, arkaik, primitiv dhe seksist, (4) si “fe e dhunshme, agresive, kërcënuese, mbështetëse e terrorizmit dhe e përfshirë në përplasjen e qytetërimeve”, (5) si ideologji politike që përdoret për synime politike dhe ushtarake. Islamofobët e shfrytëzojnë armiqësinë ndaj islamit për t’i arsyetuar praktikat diskriminuese ndaj këtij komuniteti dhe këtë armiqësi anti‐myslimane e cilësojnë si të natyrshme dhe normale, sepse sipas tyre “islami nuk përputhet me vlerat evropiane judeo‐krishtere dhe shekullare, sepse përmes imigrimit të vazhdueshëm, shkallës së lartë të natalitetit dhe prozelitizmit synon ta realizojë projektin e fshehtë dhe konspirativ: mbizotërimin e kontinentit evropian, krijimin e “Eurabisë” (Giselle Littman). Shumë sociologë, filozofë dhe politologë islamofobinë, e cila ka marrë përmasat e ksenofobisë, e shohin si sulmin më të madh ndaj paqes botërore, si formë të re të racizmit (Ban Ki‐Moon), si skllavëri bashkëkohore, si armë të re të diktaturës pasmoderne, si formë më të vrazhdë të terrorizmit.

Anketa e Pew Research Center (2017) tregon se 75% të myslimanëve amerikanë pohojnë se islamofobi ka“me bollëk”në shoqërinë amerikane.  Sipas të dhënave të vitit 2018, amerikanët, i konsiderojnë besimtarët myslimanë pamjaftueshëm amerikanë (salon.com), dy në pesë amerikanë besojnë se islami nuk është i përputhshëm me vlerat amerikane. Një hulumtim i Voter Study Gorup ka treguar se 12% të demokratëve amerikanë mendojnë se mysimanëve duhet ndaluar të drejtën për votë. Në Europë islamofobia si konstrukt social shfaqet në kontekstin e klimës së përgjithshme të mostolerancës ndaj imigrantëve dhe komuniteteve minoritare. Si forma më të shpeshta të islamofobisë janë letrat kërcënuese, sulmet verbale, sulmet ndaj pronës private të myslimanëve (shtëpi, restorante, mishtore hallall…), ndaj xhamive, varrezave të myslimanëve, deklaratave antisilame të politikanëve të ndryshëm (Jean‐Marie le Pen, Jörg Haider, Geert Wilders, Victor Orban), sulmet ndaj grave me mbulesë, shkrimet dhe ilustrimet provokuese dhe fyese të ndjenjave fetare islame (Oriana Fallaci, Judith Miller, Hugh Fitzgerald, Daniel Pipes, Christopher Hitchens, Steve Emerson, Jyllands‐Posten, The Western Standard), diskriminimi gjatë punësimit (shih raportet e EUMC) etj.

Shenjime të natyrës islamofobike në Perëndim shohim edhe nëpër bluza si “Stop Islamisering”/Ndaloni islamizimin, “I am proud islamophobe”/Jam islamofob krenar, Burn your local mosque/Digjeni xhamine tuaj lokale), nëpër pllakate (Islam=ideologia terroristow/Islami ideologji e terroristëve, “Beyond burkas & bombers”/Përtej burkave dhe bombarduesve), në rrjetet sociale (No islam allowed/S’lejohet islami) e të ngjashme. Urrejtjen ndaj myslimanëve e gjejmë edhe nëpër filma, seriale si Citizen Khan, Homeland, American Sniper… Nathan Lean, përmes një vepre të tij tregon se islamofobia është një industri, mënyrat se si djathta prodhon urrejtje ndaj myslimanëve, ndërsa Jim Welfreys flet për Republikën e Islamofobisë, duke rrëfyer për “racizmin e respektuar në Francë”, ndërsa Imran Awan është redaktori i publikimit që flet për islamofobinë në hapësirën kibernetike. Duhet përmendur edhe anën tjetër të medaljes, prirjet e fuqishme  anti-islamofobike që dalin me parulla si “Say no to islamophobia” (Thuaj jo islamofobisë), “I dont have time for Islamophobia” (Skam kohë për islamofobi), “Stop profiling muslims” (Ndaloni profilizimin e myslimanëve), etj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button