Ndërtesat pa pranime teknike, sfidë për Komunën e Prishtinës

186 është numri i lejeve ndërtimore që ka lëshuar Komuna e Prishtinës gjatë vitit të kaluar.

Pas ndërtimit të objektit, investitorët duhet ta marrin edhe certifikatën e përdorimit, raporton KTV.

Por, lëshimi i objekteve për banim pa pranim teknik vazhdon të jetë problemi kryesor për Prishtinën.

Kryetari Shpend Ahmeti, u zotua se nuk do të lejojë që kjo gjendje të vazhdojë.

“Me ligj, asnjë banor nuk do të duhej të banonte në ndërtesat që nuk kanë certifikata të përdorimit. Kjo do të thotë se shumica nuk e kanë kaluar përdorimin teknik, qoftë edhe për shkak të mosaplikimit dhe ky është problemi kryesor. Thjesht, në ligj nuk kemi kurrfarë, si me thënë, detyrimi që i detyron pronarët e këtyre ndërtesave për të aplikuar. Tash e tutje, inspeksioni nuk lejon që të hyjnë në banesë të re nëse nuk e kanë certifikatën për pranimin teknik dhe certifikatën e përdorimit”, ka thënë Ahmeti.

Gjatë 2018-s, drejtoria e Urbanizmit ka dhënë leje për ndërtim në 869 mijë metra katrorë.

I pari i urbanizmit, Ardian Olluri, tha se janë të paktë investitorët që kërkojnë pajisje me certifikatë të banimit.

“Numër të vogël të kërkesave kemi pasur për certifikata të përdorimit, kemi pranuar vetëm 23 kërkesa, prej të cilave, 17 janë përfunduar në vitin 2018 dhe 6 janë proceduar këtë vit. Edhe në këtë vit nuk po duket gjendja më e mirë, prapë ne këtë vit i kemi vetëm 5 kërkesa”, tha ai.

Në shumë raste, arkitektët kanë thënë se numri i vogël i kërkesave për legalizim është si pasojë e procedurave të komplikuara.

Udhëheqësit e Prishtinës janë zotuar se së shpejti do të fillojë edhe legalizimi i ndërtimeve pa leje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button