Tradita dhe talenti individual (I)

I

Kur ne anglezët shkruajmë, rrallë flasim për traditën, ndonëse herë pas herë na vjen keq për mungesën e saj. Nuk mund t’i referohemi nocionit “traditë” në ndonjë kuptim të përgjithshëm apo të veçantë; në rastin më të mirë e përdorim mbiemrin dhe për poezinë “e këtij apo të atij” themi se është “tradicionale” madje edhe “tejet tradicionale”. Padyshim, kjo fjalë rrallë paraqitet, përveçse në ndonjë frazë qortimi. E po qe se nuk kemi të bëjmë me qortim, atëherë mund të jetë fjala për ndonjë miratim të paqartë me aluzion të tillë për veprën që miratohet, thua ti se kemi të bëjmë me ndonjë rikonstruktim arkeologjik të këndshëm. Vështirë mund ta bëni këtë fjalë të këndshme për veshin e një anglezi pa atë referimin e pëlqyeshëm për agoninë e shkencës arkeologjike.

Dihet saktë se kjo fjalë ka pak gjasa të shfaqet në vlerësimet tona për shkrimtarët e gjallë dhe të vdekur. Çdo komb, çdo racë i ka jo vetëm prirjet e veta krijuese, por edhe ato kritike; madje më parë do t’i anashkalojë të metat dhe kufizimet e shprehive të veta kritike, sesa ta bëjë një gjë të tillë kur të jetë fjala për gjeniun krijues të tij. Na është e njohur, ose të paktën mendojmë se na është e njohur metoda kritike, apo shprehia kritike e francezëve në bazë të masës tejet të madhe të krijimit kritik që është paraqitur në gjuhën frënge; thjeshtë ne vijmë në përfundim (jemi pikërisht një botë “e pavetëdijshme”) se francezët kanë “kuptim kritik” më të madh se ne dhe ngandonjëherë madje edhe krenohemi nga pak për këtë, sikur francezët janë gjoja më pak spontanë. Ndoshta dhe janë; por megjithëkëtë mund të rikujtohemi se kritika është po aq e domosdoshme sa ç’është dhe frymëmarrja dhe se asgjë nuk do të na pengonte sikur ta artikulonim atë që na kalon nëpër kokë derisa lexojmë dhe e përjetojmë në mënyrë emotive ndonjë libër, si dhe sikur të kritikonim shpirtin tonë në veprën kritike vetanake të tij. Një prej argumenteve që do të mund të dilte në dritë gjatë një procesi të tillë është synimi ynë që, derisa e lëvdojnë ndonjë poet, i theksojmë ato forma të veprës së tij në të cilat ai më së paku na përkujton dikë tjetër. Në ato forma apo pjesë të krijimtarisë së tij përfytyrojmë se do të zbulojmë atë që është individuale, esencë karakteristike e njeriut. Me kënaqësi ndalemi aty ku ky poet dallohet nga paraardhësit e tij, e sidomos nga paraardhësit e tij të drejtpërdrejtë; Përpiqemi të gjejmë diçka që mund të veçohet në mënyrë që të kënaqemi në të. Mirëpo, po qe se i qasemi një poeti pa paragjykime të këtilla, shpesh do të zbulojnë se jo vetëm pjesët më të mira por edhe ato më individuale të veprës së tij mund të jenë ato në të cilat poetët e vdekur, paraardhësit, paraardhës të tij, në mënyrë më të fuqishme e kanë dëshmuar pavdekësinë e vet. Me këtë rast nuk mendoj për periudhën e rinisë që u nënshtrohet ndikimeve, por për periudhën e pjekurisë së plotë.

E me gjithë këtë, sikur forma e vetme e traditës, e mbartjes nga brezi në brez, të kishte të bënte me faktin që t’i ndjekim rrugët e atij brezi që është pararendës yni i drejtpërdrejtë dhe që verbërisht e me droje të ndërlidhemi me sukseset e tij, s’ka dyshim se një “traditë” të tillë do të duhej flakur. Kemi parë shumë rrjedha të tilla të thjeshta të cilat shpejt do të përthitheshin nga zalli; për arsye se risia është më e mirë se përsëritja. Tradita është diçka që ka një rëndësi shumë më të gjerë. Ajo nuk mund të trashëgohet, e po qe se ju nevojitet duhet ta arrini me përpjekje të mëdha. Ajo në radhë të parë përfshin ndjenjën e historisë, për të cilën, mund të themi se është e domosdoshme pothuajse secilit që do të dëshironte të bëhet poet edhe pas moshës së tij njëzetepesë vjeçare; e kjo ndjenjë e historisë përfshin vrojtimin jo vetëm të asaj që ka kaluar në të kaluarën, por edhe që është e tashme në të kaluarën; ndjenja e historisë e detyron njeriun të mos shkruajë i preokupuar deri në palcë vetëm me brezin e vet, por me ndjenjën se e gjithë letërsia evropiane duke filluar prej Homerit, dhe në kuadër të saj krejt letërsia e vendit të tij, në të njëjtën kohë ekzistojnë përbëjnë një rend. Një kuptim i tillë historik, që do të thotë kuptim për jashtëkohoren si dhe për kohoren, apo për jashtëkohoren dhe kohoren marrë bashkërisht, është ajo që një shkrimtar e bën tradicional. E kjo njëherazi është ajo që te shkrimtari nxit vetëdijen më të fuqishme për vendin e tij në kohë, për bashkëkohësinë e tij.

Asnjë poet, asnjë artist vetvetiu nuk ka rëndësi të tërësishme. Rëndësia e tij, vlerësimi i veprës së tij është vlerësim i qëndrimit të tij ndaj poetëve dhe ndaj artistëve të vdekur. Për arsye se nuk mund ta vlerësoni si të vetëm; për shkak të kontrastit dhe të krahasimit patjetër ta vendosni midis të vdekurve. Mendoj se ky është parim i kritikës estetike, dhe jo vetëm i kritikës historike. Domosdoshmëria që ai të përshtatet, të përfshihet, nuk është e njëanshme; Ajo që ndodh kur krijohet ndonjë vepër e re artistike është diçka që njëherazi ndodh edhe me të gjitha veprat artistike që i kanë paraprirë. Përmendoret ekzistuese krijojnë ndër veta një rend ideal që modifikohet duke vënë veprën e re artistike (vërtet të re). Rendi ekzistues është i plotë derisa nuk shfaqet kjo vepër e re; dhe për t’u ruajtur rendi edhe pas risisë që është imponuar, tërë rendi ekzistues patjetër të ndryshojë qoftë edhe pak; kështu raportet, përpjesëtimet, vlerat e çdo vepre artistike përsëri përshtaten me tërësinë; e kjo paraqet përputhje të së vjetrës dhe të së resë. Secili që pajtohet me këtë ide për rendin, për formën e letërsisë evropiane, përkatësisht angleze nuk do ta konsiderojë paarsyeshëm faktin se e tashmja po aq e ndryshon të kaluarën sa edhe e kaluara drejton të tashmen. Dhe poeti që është i vetëdijshëm për këtë, do të jetë i vetëdijshëm për vështirësitë dhe për përgjegjësitë e mëdha.

Ai po ashtu në një mënyrë të veçantë do të jetë i vetëdijshëm se patjetër t’i gjykohet sipas kritereve të së kaluarës. Them t’i gjykohet dhe jo t’i bëhet kasapimi; të mos gjykohet a është po aq i mirë sikur të vdekurit, apo më i keq ose më i mirë se ata; dhe gjithsesi të mos gjykohet sipas kanoneve të kritikëve të vdekur. Fjala është për vlerësimin, për krahasimin në të cilin dy gjëra maten ndër vete. Vetëm të përshtaturit, për veprën e re do të thoshte të mos bëhet përshtatja fare; Ajo as që do të ishte e re dhe rrjedhimisht nuk do të ishte as vepër artistike. Por unë nuk dua të pohoj në mënyrë të prerë se e reja vlen më tepër për arsye se përputhet; por, vet përputhja është provë e vlerës së saj – natyrisht provë e cila mund të zbatohet vetëm ngadalë dhe me kujdes, për arsye se asnjëri prej nesh nuk është gjykatës i pagabueshëm i të përshtaturit. Themi: si duket përshtatet, dhe ndoshta është individuale, apo si duket është individuale dhe mund të përshtatet; por vështirë se jemi në gjendje të konkludojmë se për cilën nga këto nocione në të vërtetë bëhet fjalë.

Të kalojmë te interpretimi më i kuptueshëm i raporteve midis poetit dhe të kaluarës: poeti nuk mund ta pranojë të kaluarën si ndonjë pastile, si ndonjë pilulë të panjohur, as që mund të formohet duke u bazuar vetëm te një apo te dy poetë me të cilët intimisht krenohet, as që mund të frymëzohet vetëm nga një epokë të cilën e adhuron më shumë. Mënyra e parë është e palejueshme, e dyta është përvojë e rëndësishme e të riut, ndërsa e treta është një plotësim i këndshëm dhe tejet i dëshirueshëm. Poeti duhet të jetë mjaft i vetëdijshëm për rrjedhën e cila assesi nuk është e thënë të kalojë në mënyrë të pagabueshme nëpër ata të cilët gëzojnë prestigj më të madh. Ai duhet ta ketë plotësisht të qartë faktin evident se arti kurrë nuk mund të korrigjohet, por as edhe objekti i artit kurrë nuk mund të jetë i njëjtë. Ai duhet ta ketë të qartë se fryma e Evropës – fryma e vendit të tij – fryma për të cilën me kalimin e kohës do të mësojë se është shumë më e rëndësishme se fryma e tij personale – ndryshon dhe se ky ndryshim paraqet zhvillimin i cili asgjë nuk lë En route dhe se, duke iu falënderuar asaj nuk vjetrohen as Shekspiri as Homeri, as vizatimet nëpër shkëmbinj që i kanë vizatuar vizatuesit e epokës së Magdalenës. Se ky zhvillim, ndoshta rafinman gjithsesi komplikim, nga këndvështrimi i artistit nuk paraqet kurrfarë përmirësimi. Ndoshta madje as nga pikëpamja e psikologut, ose të paktën jo në atë masë në të cilën e përfytyrojmë një gjë të tillë ne; ndoshta vetëm tek e mbrëmja ky zhvillim bazohet në një ekonomikë dhe industri të ndërlikuar. Mirëpo dallimi ndërmjet të tashmes dhe të kaluarës qëndron në faktin se e tashmja e vetëdijshme paraqet vetëdije për të kaluarën në masën dhe sipas mënyrës sipas së cilës e kaluara kurrë nuk mund të tregohet se është e vetëdijshme për veten.

Dikush kishte thënë: “shkrimtarët e vjetër janë larg nesh për arsye se ne dimë shumë më tepër se që kanë ditur ata”. Vërtetë është kështu, por ajo që ne dimë për ta janë ata vetë.

Jam i vetëdijshëm për një vërejtje të rëndomtë lidhur me faktin që padyshim përbën një pjesë të programit të Metierit (zanatit) tim poetik. Vërejtja ka të bëjë me faktin se doktrina për të cilën është fjala, kërkon një sasi qesharake të erudicionit (pedanterisë), e një kërkesë e tillë mund të refuzohet duke iu referuar jetës së poetëve që prehen në cilindo panteon. Madje do të dëshmohet se dituria e madhe e mbyt ose e shtrembëron sensibilitetin poetik. Mirëpo, ndonëse thellësisht besoj se një poet duhet të dijë aq sa nuk do ta pengojë ndjeshmërinë e tij të domosdoshme dhe përtacinë e domosdoshme, është e padëshirueshme që ai ta kufizojë diturinë e vet në çdo gjë që do të mund të shfrytëzohej në provime, ose në sallone, ose për forma akoma më pretencioze të veprimit publik. Disa janë në gjendje që diturinë ta përthithin shpejt, ndërsa ata që janë më të ngadalshëm, për të marrë dituri, duhet të djersiten. Shekspiri, nëpërmjet Plutarkut ka marrë më shumë njohuri historike themelore se ç’do të merrnin shumë të tjerë nga gjithë ai Muze Britanik. Ajo për çka duhet insistuar është fakti se poeti duhet të zhvillojë, përkatësisht të ndërtojë vetëdijen për të kaluarën dhe se gjatë tërë karrierës së vet duhet ta zhvillojë këtë vetëdije.

Kështu lind një nënshtrim i përhershëm i unit të vet,  asisoj siç është në çastin e caktuar, diçkaje më të vlefshme. Progres i artistit është vetëflijimi i përhershëm, asgjësimi i përhershëm i personalitetit të vet.

Na mbetet ta caktojmë procesin e cekur të depersonalizimit dhe raportin e tij ndaj ndjenjës së traditës. Mund të thuhet se arti nëpërmjet depersonalizimit ia afrohet karakterit të shkencës. Prandaj, ju ftoj që me një analogji tejet sugjestive, të shqyrtoni se ç’ndodh kur fusim një copë platini të lëmuar në kabinën në të cilën ka oksigjen dhe dyoksid sulfuri.

Ese e shekullit, botuar më 1919
Autor: Thomas Stearns Eliot (1888-1965)

Përktheu: Prof. Xhelal Zejneli

LEXO: Tradita dhe talenti individual (II dhe III)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button