ANTIKRISHTI NË KISHËKRISHT

Që nga rënia e Murit të Berlinit, përfundimi i Luftës së Ftohtë, 11 Shtatori 2001 e këndej bota është pre e një fobie të re, një frike masovike nga Orienti, në veçanti nga islami dhe myslimanët, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara – e gjithandej – ku, mes tjerash, ish-presidenti Obama përveçse si zezak atakohej edhe për gjenezën e tij myslimane (emri Hussain), ku sipas gazetës Foreign Policy vetëm në vitin 2018, 80,000 tweete janë shënuar kundër përfaqësueses  së parë me shami në Kongresin Amerikan, Ilhan Omar, ku aktive janë formacione dhe individë supremacistë si KKK, Steve Bannon, Steve King etj. Sensi islamofobik me vite të tëra është konstatuar edhe nga Qendra Europiane për Monitorim të Racizmit dhe të Ksenofobisë (EUMC), nga postimet në rrjetet sociale deri te ngatërtimi i turbanëve sikë me myslimanët (Austri), sulmet ndaj femrave me shami, thirrja e Dansk Forum për bojkot të bizneseve islame (Allen & Nielsen, 2002), kokat e derrit nëpër xhami, grafitet rrëqethëse, fushatat anti-minare (Zvicër), deri te goditja anti-Özil në Gjermani për shkak të turqizmit të këtij futbollisti të famshëm e shumë raste të tjera. Në veprën Konceptimi eurocentrik i politikës botërore, të profesorit të thellë dhe objektiv të marrëdhënieve ndërkombëtare nga Universiteti i Sheffieldit, John M. Hobson, gjejmë edhe këtë shënim që flet për atmosferën mentale të krijuar në raportet ndërqytetërimore dekadat e fundit: “Myslimanët po Vijnë! Myslimanët po Vijnë!’ (Pipes 1990).” Sipas Hobsonit, deklarata si kjo dhe shumë të tjera reflektojnë politikën e ankthit perëndimor dhe pasigurinë që zë vend në themel të teorisë ndërkombëtare ‘eurocentrike ofensive’ dhe ‘eurocentrike difensive’.

Dhe stërtheksimi i frikës, i nevojës për t’u mbrojtur nga të huajt, imigrantët, sollën rastin   Utoya (Breivik, 2011, 72 të masakruar), dhe ndodhinë e fundit të terrorit të para tre ditëve, autori i të cilës në manisfetin e vet (The great Repalvement: Toward a New Society) do të shprehte brengat e veta patologjike: “Çdo ditë bëhemi më pak e më pak në numër, më pleq, më të dobët. Në fund, duhet të kthehemi te shkallët e lindshëmrisë zëvendësuese, ose ai do të na vrasë.” Christchurch, toponim që shenjtërinë e ka në përbërjen e vet, i çshenjtëruar nga ideologjia e djallit brenda njëzet minutave, nga akti terrorist i britaniko-australianit me botëkuptim antikrishti, me qëndrime raciste e përtej. Kjo qytezë e njërit nga vendet e skajit të botës, simbol i mirëqenies dhe pacifizmit, të premten e kaluar, një ditë xhumaje të bekuar, u bë epiqendra e së keqes, e krimit më makabër që ka parë syri njerëzor deri më sot. Ekzekutimi drejpëdrejt, si në video lojëra, terrorizmi live, një fazë e re zhvillimit të njeriut drejt apokalipsës. Nga lufta e parë live në Irak, te terrori më trishtues i një koke të prishur, të infektuar me një virus global të quajtur: islamofobi, urrejtje ndaj gjithçka që është islame, e fryrë nga qarqe shumëpolëshe, nga politikanë, strategjistë, analistë, shkrimtarë, intelektualë, figura të artit, kulturës, fesë, media  e forume globale… përfshirë edhe syresh ballkanike dhe shqiptare.

Rasti i Tarrantit, antimigrant [“invaders” (pushtuesit), “our soil” (toka jonë), ndonëse edhe vetë me prejardhje imigranti: shumë më vendas janë aborigjinasit)], i inspiruar nga lideri fashist britanik Oswald Mosley, nga autori anti- francez imigrant Renaud Camus, prej të cilit e ka plagjiarizuar edhe titullin e librit Le grand replacement (Zevendësimi i madh), edhe një herë tregoi se sot të jesh mysliman është një mision shumë i rëndë, i targetur nga të katër anët (Hoffman). Edhe besimtar aktiv, edhe pasiv, edhe laik e sekular nëse je, si të jesh mysliman me emër e me vend origjine, je i padëshiruar. Ngado që të shfaqesh shikohesh si fundamentalist, radikalist, terrorist, së paku potencial, i mundshëm, bombë me sahat. Një perceptim ky ekskomunikues që herë shprehet në mënyrë transparente, herë nuk thuhet, por paprerë  mendohet. Zelanda e re është gjeografia momentale e terrorit të kultivuar me shumë përkujdesje. Makineria propaganduese e fillimshekullit të përkujton antisemitizmin e viteve 1920-30, kur gjahu ndaj hebrenjve ishte një tendencë, ndërsa sot islamofobia është bërë trendy dhe fancy gjithandej. Shkolla e islamofobisë së zgjedhur sot është masovizuar, në këtë rrjet janë edhe njerëzit e thjeshtë, mbështetur edhe nga agjenda qeveritare të caktuara.

Politikat antimigrante sot janë më aktuale se gjithherë. Njeriu nga vendet e botës së bardhë me shekuj propagandoi “misionin qytetërues’, detyrën e tij për ta çbarbarizuar dhe për ta civiilzuara pjesën tjetër të botës, nga Afrika në Azi, nga Amerika Latine në Oqeani e Australi. Sundoi dhe shfrytëzoi sa mundi deri kah mesi i shekullit XX dhe më në fund radha erdhi që të nënshtruarit e tyre të dikurshëm të vijnë në zonën qytetërimore, si punëtorë, si krah pune, si element për rritjen e ekonomisë dhe rritjen e demografisë në tatëpjetë. Ndërkohë me hapa galopantë ndodhi modernizimi dhe shturrja e familjes, kriza e fertilitetit (“failing to create families, failing to have children”-Tarrant, https://nex24.news/2019/03/the-great-replacement-by-brenton-tarrant/), ndërsa nga ana tjetër qytetet e mëdha të Perëndimit dita ditës po nxiheshin, trend ky që vazhdon; zezakët, myslimanët, aziatikët ta zënë syrin gjuthandej. Si rezultat i këtij fenomeni nisën të shfaqen xixat e panikut, psikologjia e frikës nga ardhacakët që me gjasë do t’ua zënë hapësirën jetike të bardhëve dhe vendasve. Ksenofobia dhe islamofobia janë dy rrymat që po marrin hov si një uragan në saje të të djathtës radikale nga Wiljdersi, te Orbani, nga Le Pen te Kurz. Christchurch është një alarm i fundit për të ndryshuar kursin përndryshe  bota mund të shkojë drejt asaj që në terminologjinë e marrëdhënieve ndërkombëtare është quajtur “çrregullimi apo kaosi i ri global”.

Një konstatim i rëndësishëm është se terrorizmi sot na shfaqet si një religjion i ri i kohës, si një religjion i njerëzve pa fe, sepse fetari s’mund të bëjë gjëra të këtilla, pra terroristë gjejmë në të gjitha fetë, por publikisht vetëm islamit i ngjitet “terrorizmi”, asnjë feje tjetër. Aspekt tjetër që bie në sy te rasti Christchurch janë mesazhet: histori 1300 vjeçare gjaku. Nëse bëjmë një analizë të semiologjike dhe semantike të fjalëve dhe mesazheve të shkruara në armët e terroristit do të konstatojmë se përveç datave historike të konfliktualiteti botë islame-krishterim, 732, 1683, vërejmë edhe alfabete të ndryshme nga ai latin te ai serb, armen, gjeorgjian etj. Pyetja që shtrohet është se kush i shkroi germat në serbishte të pastër, Милош Обилић? Një pyetje tjetër është se si nuk u reagua nga policia prej momentit kur filloi livesetreami në rrjetet sociale? Ku ishin organet atë kohë kur vetëm tre kilometra ishte larg është stacioni policor? Rrëqethëse janë tendencat për injorim të rastit nga elita e politikbëries botërore (me disa përjashtime si Merkel), defilimet me svastika si ai i të dielës në Riga, i djathtistëve afër Dyseldorfit, presionet e vrullshme të qytetarëve si ai ndaj kryeminsitres norgvegjeze që u desh ta fshinte postimin në Facebook për ngushëllim ndaj kurbanëve të dy xhamive, shembujt e medieve që synojnë të relativizojnë krimin (Daily Mirror flet për engjëllrinë e fëmijërisë së Tarrantit, Europa e Lirë masakrën e cilësoi  “shkëmbim zjarri”), ndonëse vetë krimineli e ka pranuar si akt terrorist në Manifestin e vet  (fq. 12). Tarrant do të shënohet si një turp i madh i shekullit XXI, si antikrisht apo si një figurë e “të keqes së koncentruar” (B. McGinn), që e pranon Jezusin por vepron kundër tij (Matheu, 28:19, 20), si një terrorist që lë një barrë të rëndë me të cilën do duhet të përballemi të gjithë si lloj human pa marrë parasysh identitetet tona fetare, etnike, racore, komunitare, rajonale apo globale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button