PLAKA NË PARVAZ

Mbështetur me dy bërryla në parvazin e dritares së azilit të pleqve, nëna plakë shikon në terr shtegun që vjen nga dera e madhe kah shkallët. E pret të birin. I ndriçuar me dritën e zbehtë të hënës shtegu duket si diçka jashtëtokësore. Ka diçka aty që ta kujton një largësi, nostalgjinë e pikëllimin.

Ka vite që kështu, çdo natë, nëna e pret të birin, që kur ai la babë e nënë dhe u nis me shokët kah mali. Thanë se do të shkonin në kurbet… Nuk deshën ta frikësojnë nënën se po shkojnë në luftë. Po atje shkuan. I thërriste liria!

Çdo natë e ke nënën në dritare. Tash është mjaft ftohtë, po nëna nuk hiqet së këtejmi. Ia thotë mendja plakës se do të hidhërohet i biri po të vijë nëse nëna nuk e pret kështu. E di plaka se i biri nuk do ta ngrejë zërin pse rri në dritare në këtë  natë të freskët pranverore, ku  mund të ftohet, nuk do t’i thotë gjë se është djalë i mirë. Do të shqetëhohet, por do të heshtë.
Dhe, heshtazi do të vrapojë ta përqafojë fort, fort, nënën që aq shumë e do. Është djali i saj i dashur. I vetmi i nënës. Për të cilin ajo ka dhënë gjithçka. Krejt rininë e të gjitha vitet e kaluara. Ajo s’e ka kursyer dhe s’e kursen kurrë as jetën për djalin e saj. Edhe lirën e qafës, një kujtim të shtrenjtë që e mori kur u bë nënë. Do të bëjë gjithçka nëna që i biri të jetë i  lumtur.

Ka kaluar shumë kohë që nëna nuk e ka parë të birin. Shumë vite. Atëherë kur u largua ai i ka thënë: po shkoj, por do të vij nënë. Dhe, nënë e bir janë ndarë me një përqafim të ngrohtë. Nënës me sy të përlotur i ka mbetur dora ngritur lart në ajër si shenjë që shpreh dëshirën e madhe për udhë të mbarë.
Nëna  i ka pasur aty kah të gjashtëdhjetat kur ka shkuar i biri dhe i ka lënë në shtëpinë e vjetër babë e nënë, e sot  ajo i ka diku kah tetëdhjeta. Tash i janë zbardhur flokët dhe e kanë mbuluar rrudhat. Edhe i biri do të ketë ndryshuar sigurisht. Ai ka shkuar njëzet e sa vjeç e sot i ka kaluar të dyzetat e përmbi diçka.  Do të ketë marrë hije mesoburri.

Nëna pret aty në parvaz me dritare të hapur dhe i dëgjon hapat e njerëzve që kalojnë aty-pari. I ka mbajtur mend mirë hapat e të birit kur vinte natën nga ndenjat rinore. Dhe, çdo hap në oborrin e azilit e dallon. Sigurisht do t’i kuptoj hapat e të birit edhe tash po të vijë. Nuk është ky im bir, jo. Hapat e tij janë më të butë. Ata kanë një melodi që s’e kanë hapat e të tjerëve.

E shikon plaka një aeroplan  që kalon si meteor në qiell. Ku ta dish, mund të jetë i biri brenda?… Bëna vaki pas një ore vjen.  Kalon një orë, kalon edhe një… Pastaj dëgjohet së largu herëkeqja.  Pastaj bie heshtja. Plaka e dëgjon frymën e vet dhe fill pas kësaj një këngë që e këndon dikush në rrugë. Ajo i vë veshin. Do të jetë ndonjë i dehur, mirëpo kënga e ngashëren plakën:

Mbeçë, more shokë, mbeçë
Përtej Urës së Qabesë
Falë me shëndet nënesë,
Kàun e zi le ta shesë.

Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua.
Në pyestë se ç’grua mori
Tre plumba te kraharori,

Në pyestë se ç’kalë hypi
Atje tek hypën meiti.
Në pyestë se ç’krushq i vanë
Sorrat e korbat që e hanë.

Plakën e shkretë kënga e shpie në një botë të sikletshme. Çfarë dreq kënge gjete të më këndosh tash, more i gjorë? e pyet vet me vete kalimtarin e panjohur që ia tha kësaj kënge në terr. Pastaj ajo i dëgjon të rrahurat e zemrës së vet të lodhur. Pastaj ia nis të lehurat një qen i rrugës. Pastaj vjen një rrymë e ftohtë ere kah dritarja. Tash bëhet situata thuajse e padurueshme. Tash edhe ky qen i mallkuar!
Edhe era e ftohtë. Dhe, sikleti. I ndjen e shkreta si i rrjedhin djersët e ballit. Djersë të ftohta. Nga zori e thërret bashkëshortin: “Oh Ukë”,  ngjashëm sikur thërrasim ne “Oh nënë” kur jemi ngushtë. Në të vërtetë e tha emrin e të shoqit ngase ai i kishte vdekur që moti. “Oh Ukë”, po më vret kjo këngë! Si s’të pata këtu, pranë o Ukë! Ndalet rryma e ftohtë e ajrit. Qetësi. Tash u mërzit. U shqetësua shumë. Si do t’i tregonte të birit se i ati i ka vdekur. Si do t’ia thoshte këtë kumt të zi?
Në atë çast fryn një erë e lehtë dhe te hunda i sjell erën e mirë të argavanit që sapo kishte çelur. Ah sa herë që vinte i shoqi nga puna, i sillte asaj  një tufë argavana. Dhe, bashkëshorti ia jepte me kujdesin e një burri të dashuruar.  Ajo shkrihej e tëra nga bukuria dhe nga era e mirë e argavanit dhe e përjetonte thellë kënaqësinë që shkakton kujdesi i burrit për gruan.

Për bela ajo kënga që e këndoi i dehuri pak më parë nuk e lë të qetë plakën. I sillen ndër mend si ndonjë shirit i prishur manjetofoni ato vargjet:

Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua.
Në pyestë se ç’grua mori
Tre plumba te kraharori…

Çne kjo këngë e mallkuar tash?! Oh, Ukë, Ukë, si më le kështu vetëm?!… Ç’m’i shpiki kënga këta plumba në kraharor?! Mos o zot! Po im bir nuk ka shkuar ushtar, nuk ka shkuar në luftë! Djali im është në kurbet, e ngushëllon nëna veten. Im bir është shëndosh e mirë dhe kurrë nuk më harron!

Ja tash pamjet e të birit dhe të dashurës së tij, ashtu si i kishte në fotografi e që i ruante në kuletë, i dalin para sysh të qarta në terr. Ata i bëjnë me dorë dhe buzëqeshin. Thuajse ia bëjnë me dije se po vijnë. Pa kontroll edhe plaka u bën me dorë atyre, thuaje po e përjeton çastin aq të pritur të takimin me të birin.

Përsëri zemra nis e i rrah fuqishëm.

Më në fund, mendon plaka, erdhi çasti. Ja ku erdhën e po më thërrasin. Më duhet ta përgatis valixhen e të iki nga ky azil, nga kjo shtrungë e vetmisë, ku na sollën kur serbët na e dogjën shtëpinë. Mjaft më në këtë vetmi, mendoi. Do të shkoj me ta! Do ta bëjmë shtëpinë tonë të re.

Pastaj ra heshtje e gjatë.

Era e freskët hynte me të madhe në dhomën e azilit përmes dritares.

Mbylle atë dritare se po narth! i bërtiti dikush plakës! Nuk pat përgjigje.

Mbylle dritaren, të thashë! u përsërit urdhëri. Përsëri nuk pat përgjigje.

Një grua e dhomës së azilit ku rrinte plaka në dritare u ngrit, e ndezi dritën dhe e pa plakën me krye të mbështetur për parvazi. Iu afrua, i preku pulsin… Pastaj ia ngriti kryet, ia afroi pasqyrën te goja e hunda. Nuk pa avull.

Gruaja  tha: Oj shoqe, shpejt se plaka paska ndërruar jetë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button