Numri i viktimave nga sulmi terrorist në Zelandën e Re arriti në 50, në mesin e të vrarëve janë dhe tre fëmijë

Policia tha se numri i të vdekurve në vrasjet masive në dy xhami të qytetit Christchurch, në Zelandën e Re ka arritur në 50. Në mesin e të vrarëve janë edhe një fëmijë 3-vjeçar, një fëmijë 4-vjeçar dhe një djalosh 14-vjeçar. 50 persona të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat. 36 persona janë ende në spital, nga të cilët dy në gjendje kritike.

Komisioneri i Policisë së Zelandës së Re, Mike Bush, tha të dielën se trupi i “të paktën një viktime” të vrasjeve masive të premten në dy xhami, do t’i jepet familjes, transmeton VOA.

Drejtuesja e zyrës mjeko-ligjore Deborah Marshall tha se autoritetet janë “duke punuar me shpejtësi” për të siguruar identifikimin e saktë të viktimave.

“Nuk mund të ketë asgjë më të keqe se sa t’i japësh trupin e gabuar familjes së gabuar. Kemi parë nga përvoja jashtë vendit, se kur përpiqesh të përshpejtosh procesin ose të anashkalosh hapat e duhur, ndodh pikërisht ajo që nuk duhet të ndodhë“.

Qeveria shpreson të kthejë të gjitha trupat e viktimave tek familjet e tyre deri të mërkurën.

Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern tha të dielën se ajo ishte një nga më shumë se 30 personat të cilëve u ishte dërguar manifesti nacionalist prej 74 faqesh nga i dyshuari për vrasjet, nëntë minuta para sulmeve të tij terroriste në dy xhami të Zelandës së Re.

“Nuk përfshihej vendi apo hollësi specifike. U këshillova brenda dy minutave nga marrja e tij, të paktën në zyrën time, dhe mesazhi iu përcoll drejtpërdrejt zyrës për sigurinë parlamentare. Dua t’ju siguroj që në se do të ishin dhënë detaje do të kishim vepruar menjëherë”.

Ardern tha se 28-vjeçari Brenton Tarrant, një qytetar australian dhe nacionalist i bardhë i vetëshpallur i akuzuar për vrasjet masive “do të përballet me sistemin e drejtësisë të Zelandës së Re”. Tarrant dënon myslimanët dhe i quan emigrantë “pushtues” në manifest.

Kryeministrja pohoi disa herë gjatë një konference shtypi të së dielën pasdite se “do të ketë ndryshime në ligjet e armëve”.

Numri i të vdekurve nga vrasja masive në dy xhamitë e Zelandës së Re të premten shkoi në 50 pasi punonjësit e emergjencës gjetën një trup tjetër në një nga skenat e krimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button