Gjuha – atdheu ynë i vërtetë

Në kujtesën e kulturave të botës, gjuha është zjarr, shkëlqim hyjnor, simbol drejtësie, sinonim i atdheut, etnisë, gjakut, farës dhe fisit, është vullnet Zoti, është identitet dhe kod mbrojtës i tipareve racore, mjet marrëveshjesh, po dhe shkas grindjesh e luftërash të përgjakshme me synime hegjemoniste.. Kështu ka qenë një dajm edhe në siujdhesën trazavaçe të Ballkanit, të banuar me popuj autoktonë e ardhacakë, që koloviten n’vorbulla armiqësishë të përhershme të nxitura nga pretendime dominimesh gjuhësore e kulturore. Të gjithë tmerret ballkanike janë prirë nga ideja e mposhtjes dhe ndalimit të përdorimit të gjuhës së tjetrit, me çka, me automatizëm, bëhet zap çdo frymim kulture e qytetërimi i të mundurit. Rilindësit e quajtën shqipen “Gjuhë perëndishë”. Ata e mëkëmbën dhe e shndërruan atë në armë për ringjalljen e vetëdijes së shfytyruar ndër katrahura përsëritjesh që përsëriten përsëri, të bindur se shpërndarja e gjuhës është shpërndarje e gjakut dhe shuarje e etnisë. Dëshminë më të bindshme për këtë e gjejmë në fatin tonë tragjik… Së këndejmi, e drejta për përdorimin e Gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore është legale, por, me të drejtë ngrihet dhe problemi i absurdit që lidhet me përmasat tragjike të bastardimit të saj nga vetë shqiptarët, sepse jemi ne ata që ia shkaktojmë lëndimet më të rënda, duke mos e respektuar siç e do rendi. Mjerisht, papërgjegjësia jonë ndaj gjuhës është e njëjtë kudo: në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë… E kastrojmë pariparueshëm, ia heqim rasat, trajtat, mënyrat, kohët…, ia thyejmë boshtin kurrizor – sintaksën, ia shëmtojnë muzikalitetin, e zbresim në llofkë dhe e katandisim në gjuhë paranjerëzish. Për tmerr, me papërgjegjësi të patolerueshme, këtë e bëjnë edhe intelektualët – qytetarët akademikë, publicistët, gazetarët (respekt përjashtimeve!) dhe shumë të tjerë që gjuhën e kanë mjet të përditshëm pune. Megjithatë, për mrekullinë e Zotit, edhe përkundër të gjitha përçmimeve, shqelmave e shilkave, Gjuha shqipe, me aftësinë e saj ringjallëse nga hiri, vazhdon të rrojë, vazhdon të mbetet vitorja e ekzistencës shqiptare…

Është kjo përgjigja që ia kam një gazetareje të njohur, e cila e deshi mendimin tim lidhur me kujdesin tonë ndaj Gjuhës shqipe. Tani, pas miratimit në kuvend të Ligjit për avancimin e përdorimin të Shqipes nëpër institucionet shtetërore e komunale, përkatësisht: pas formimit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, dua të them edhe diçka.

E para: Të kërkojmë më vendosmërisht zëvendësimin e emrit fyes të Gjuhës shqipe si: Gjuhë e bashkësisë etnike të cilën e përbëjnë mbi 20% e numrit të përgjithshëm të popullatës në Maqedoninë e Veriut.

Natyrisht, ne nuk jemi as bashkësi, ashtu siç duan t’na relativizojnë ata që s’kanë sy ta shohin se qenia jonë nuk futet dot në kallëpet e pakicave etnike, ku bejnë pjesë: serbët, turqit, romët, boshnjakët…, sepse ajo shtrihet me kompaktësi të plotë në vatrat e të parëve ashtu siç e dinë të gjithë, përveç të sëmurëve me shqiptarofobi kronike.

E dyta: Ligji për avancimin e Shqipes (gjer në zyrtarizimin e mirëfilltë të saj me ndryshim kushtetute…) të gjejë zbatim të mirëfilltë në praktikë. Kjo nënkupton të drejtën time, tënden, tonën…, që të komunikojmë me shtetin në gjuhën tonë të folur dhe të shkruar, pa qenë të detyruar t’i përkthejmë gjarat edhe në gjuhën maqedonase. Ndryshe, shqiptarët dhe në veçanti administratorët shqiptarë do të bëjnë dyfishin e punës së kolëgëve të tyre, duke shkruar dy gjuhë kërkesat, ankesat, paditë, planet e punës, raportet, formularët, fletëpagesat, proçesverbalet, deftesat, diplomat… Tjetër punë, nëse dokumentet në Shqip e Maqedonisht do të vlejnë njësoj për qytetarët e dy etnive më të mëdha të vendit.

E treta: Të punësuarit në Agjencinë për Zbatimin e drejtë të Gjuhës Shqipe duhet të jenë profesionistë të fushës së gjuhës, jo kuadro që nuk mund t’i dalin zot kësaj pune. Drejtuesve të Agjencisë në fjalë u bie hise të kërkojnë listat e profesorëve më të aftë që kanë kryer fakultetin e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tetovës dhe në institucionet tjera të arsimit të lartë, kurse mbi institucionet e arsimit të lartë (nëse pyeten, natyrisht) bie përgjegjësia e përzgjedhjes së më të mirëve.

Të shpresojmë se zbatimi në praktikë i Ligjit për gjuhët nuk do të zhagitet si shumë ligje e marrëveshje paraprake, sepse për shqiptarët e këtij vendi Gjuha shqipe vërtet ka mbetur VITORJA e ekzistencës dhe ATDHEU ynë i mirëfilltë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button