Lituania e nënshkroi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Lituania sot me 108 vota “për” dhe asnjë “kundër” e ratifikoi Protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe me këtë, ky shtet u bë anëtarja e tetë e NATO-s që e nënshkruan Protokollin, transmeton Portalb.mk.

Në seancë plenare ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Sejmi i Lituanisë dhe shteti i Lituanisë, me aktin e Ratifikimit të Protokollit për aderimin tonë në Aleancën e NATO-s,  vetëm e konfirmuan në vepër mbështetjen e sinqertë dhe pa rezervë që gjatë gjithë këtyre viteve të kaluara e kemi pasur dhe e kemi pranuar nga ju. Prandaj, më lejoni që sinqerisht të falënderoj në emrin tim personal, në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Xhaferi në fjalimin e tij në Lituani.

Xhaferi më parë pati takim me shefin e diplomacisë së Lituanisë, Linas Linkeviçius, i cili e konfirmoi mbështetjen e Lituanisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Ndryshe, protokolli për anëtarësim në NATO është nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Pasi të gjitha vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë Protokollin në Kuvendet e tyre, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button