Icardi humb Europën, synimi është derbi

Kush priste mes tifozëve të Interit se kjo fundjavë do të sillte dhe zgjidhjen e konfliktit më serioz brenda skuadrës së futbollit italian, u zhgënjye me fundin e takimit të radhës mes Mauro Icardit dhe drejtuesve.

Sulmuesi argjentinas vazhdon të mos bindet për t’u stërvitur dhe për t’u grumbulluar me ekipin milanez dhe bashkë me agjenten Wanda Nara po dikton një linjë të ashpër, në përplasje frontale me të gjithë, transmeton TCH.

Është thuajse e pamundur që ish-kapiteni i Interit të jetë mes lojtarëve që do të jenë në dispozicion për ndeshjen e kthimit në Europa League kundër Eintracht Frankfurt. Në mesjavë ndaj gjermanëve, trajneri Spalletti do të duhet të menaxhojë repartin ofensiv me Keita, Politano dhe Perisic.

Por, stafi teknik shpreson se ujërat rreth bomberit problematik do të qetësohen në kohë për ta patur në derbin ndaj Milanit. Por, historia që lindi pasi Icardit i hoqën shiritin e kapitenit, ka disa pika të ndryshme ku bazohen palët. Futbollisti pretendon se nuk ka asgjë për të sqaruar dhe synon të rimarrë shiritin e kapitenit, ndërsa lojtarët e tjerë pretendojnë falje për atë që e cilësojnë braktisje në pikën kulmore të sezonit. Interi ka nevojë për Icardin dhe e di që nuk duhet të zhvlerësojë një lojtar që kushton të paktën 100 milionë euro.

Pikërisht për këtë do të synojë të zbutë situatën, për ta çuar më pas zgjidhjen drejt të pashmangshmes, shitjen e sulmuesit argjentinas në ditët e para të merkatos.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button