Mësuesi i madh Baki Bajrami (1948  – 2011)

Tetova ka pasur përherë njerëz të shquar të fushave të ndryshme. Mes tyre bën pjesë dhe Baki Bajrami, intelektuali dhe profesori i njohur i matematikës në gjimnazin e Tetovës, që për një kohë të gjatë qe vatër e mirëfilltë arsimi dhe qendër rezistence në mbrojtje të dinjitetit kombëtar.

Profesor Baki Bajrami ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shumë sfera të jetës, veçmas në sferën e arsimimit dhe ngritjes së brezave të rinjë, për të cilët nuk e kurseu as atomin e mbramë të energjive të shpirtit fisnik.

Ai qe njeri modest, më i miri ndër më të mirët, më i zgjuari ndër më të zgjuarit, më i zellshmi në bankat e shkollës, i shkëlqyeshëm në auditoret e Universitetit të Prishtinës, i paarritshëm në punën shumëvjeçare si pedagog i lëndës së Matematikës, i veçantë si njeri atdhedashës.

Këto nuk janë epitete kurtoaze që zakonisht thuhen pas ikjes nga kjo botë e një njeriu të shquar si Baki Bajrami, sepse Ai qe vërtet personalitet dhe kuadër që me punët që bëri tejkaloi mundësitë e një individi, të cilin për punë zotësie e kishte prekur ndryshe dora e Zotit. Të tillë e njohëm dhe të tillë do ta mbajmë mend Baki Bajramin – intelektualin me përmasa institucioni.

Baki Bajrami u lind në fshatin Sellcë të Malësisë së Sharrit, më 24 mars të vitit 1948, si fëmijë i familjes së madhe të axhës Taip, i cili shquhej me urti e mençuri të natyrshme dhe ishte punëtor i vyeshëm që siguronte ekzistëncën e familjes me njëmijë mundime.

Katër klasat e para të fillores i kreu me sukses të shkëlqyeshëm në vendlindje, për t’pauzuar pastaj 2 vite, përgjatë të cilave punoi punë të ndryshme fshati dhe qe shumë larg idesë për udhën që do të merrte më pas jeta e tij. Më shumë se mungesa e vetëdijes së mesit ku jetoi për rëndësinë e vazhdimit të shkollimit, vitet e humbura erdhën si pasojë e skamjes së madhe të cilën e vuante gati pa përjashtim e tërë Malësia. Por, siç ngjet shpesh me fatet e njerëzve të veçantë të një mesi, u gjend dikush që ta inicojë vazhdimin e shkollimit të Bakiut dhe mrekullia ndodhi. Djaloshi i hajthëm dhe sypetrit i Sellcës u ul në bankat e shkollës tetëvjeçare “Liria” të Tetovës dhe me talentin e zgjuarësinë e Tij u bë shembulli më i mirë se si duhet të duket një nxënës shembullor, pa çka se gjithë suksesin e arriti në kushte jashtëzakonisht mizerje.

Me të kryer të tetëvjeçares, Bakiu u regjistrua në Gjimnazin e Tetovës, të cilin gjithashtu e kreu me sukses të shkëlqyeshëm dhe me një lehtësi të pazakonshme. Shokët e gjeneratës, edhe pas kaq vitesh, vazhdojnë të flasin për zgjuarësinë dhe aftësitë e Baki Bajramit në të gjitha lëndët mësimore. Si i tillë ishte e pamundur të mos merrte pjesë edhe në lëvizjet dhe aktivitetet që lidheshin me të drejtat e shqiptarëve, që nëpërkëmbeshin nga pushteti sllavo-komunist. Hallet e bashkëqytetarëve dhe bashkatdhetarëve të Tij e poqën para kohe dhe e bënë ta kuptojë mirëfilli pozitën e mjerueshme të kombit shqiptar në Jugosllavi, e veçmas pozitën e shqiptarëve këtu në Maqedoni, që dekada me rradhë luajti lojën e sejmenit të devotshëm serb dhe me kënaqësi xhelati pranoi të shndërrohet në poligonin ku testohej durimi i shqiptarëve. Duke qenë nxënësi më i mirë i gjimnazit i ra hise fillimisht ta ngrejë me guxim zërin e arsyes për të kërkuar hapjen e paraleleve shtesë në gjuhën shqipe nëpër shkollat ekzistuese të qytetit, kurse më pas u kyç dhe në demonstratat e njohura të vitit 1968, për të drejtat e mohuara dhe në mbrojtje të Flamurit Kombëtar Shqiptar.

Atëbotë unë kam qen fëmijë, po më kujtohet mirë se emri i Tij ishte kthyer në fjalën më të bukur të sellcasve dhe jo vetëm të tyre. Bakiu u shndërrua në sinonim të mençurisë e zotësisë, në ndjenjë krenarie të mesit që e lindi dhe e rriti. S’do mend se pikërisht autoriteti i tij në popull ndikoi pozitivisht në udhën jetësore dhe sukseset e shumë të rinjve të tjerë që dëshironin sado pak t’i ngjajnë heroit të tyre – Baki Bajramit.

Vitet në vijim djaloshin e Sellcës e gjejmë në auditoret e fakultetit të shkencave të natyrës në Universitetin e Prishtinës, si njërin prej studentëve më të talentuar e më të vyeshëm të matematikës. Në këtë tempull kombëtar të dijes Baki Bajrami dha dëshmitë poltësuese të aftësive të tij të parëndomta, po të kota mbetën lutjet e disa profesorëve që të pranojë detyrën e asistentit të kësaj lënde të vështirë, për t’u avancuar më pas në rangun e ligjëruesve univesritarë, për të cilët Kosova kishte nevoja të mëdha. Bakiu e kishte përcaktuar tani më udhën e tij jetësore dhe kishte vendosur ta realizojë deri në fund idealin e jetës: të kthehej në Tetovën e tij të dashur, të punësohej në gjimnazin e qytetit dhe të hapë udhët për matematikanët e ardhshëm shqiptarë, asokohe në numër fare simbolik. Shih për këtë, në vitin shkollor 1973/74 Atë e gjejmë si mësimdhënës të matematikës në gjimnazin të cilin e kishte nderuar qysh si nxënës, me vetë faktin e ndjekjes së shkollimit të mesëm pikërisht në bankat e tij.

Ishte koha kur gjimnazi i Tetovës qe shndërruar në bastionin e atdhetarizmit shqiptar dhe në shtyllën e qëndresës kombëtare, ku Bakiu, bashkë me kolegët e Tij, ishte i vendosur për t’mos lëshuar pe para trysnive antishqiptare që u intensifikuan e u çorroditën fare pas demonstratave studentore të Kosovës në vitin 1981, të cilat shovenistët sllavë i shfrytëzonin si alibi për të kërkuar rimohimin e të drejtave edhe ashtu të pakta, të fituara pas shpërnguljeve biblike të mijëra shqiptarëve në shkretëtirat e Anadollit dhe pas largimit të Rankoviqit famëkeq nga posti i kryepolicit jogosllavo-titist. Në kësi situatash, pushteti duhej të eliminojë nga skena fillimisht ideatorët e qëndresës shqiptare, ndaj, në valën më të madhe të diferencimeve famëkeqe ideo-politike, në vitin 1983 e largoi ndër të parët nga puna Profesor Bakiun.

Baki Bajrami e përjetoi dhembshëm largimin e dhunshëm nga nxënësit e tij të vyeshëm, të cilët identifikoheshin me figurën shembullore të profesorit të tyre më të mirë e më të dashur, po nuk u pendua e nuk u luhat për asnjë çast të vetëm. E morri si një fatkeqësi të vogël personale që shkrihej natyrshëm në fatkeqësinë e madhe të kombit shqiptar. Krenar siç e pat falur Zoti, 7 vite të tëra brodhi metropoleve të Evropës duke punuar punët më të rënda fizike dhe duke ndarë kësisoj fatin e hidhur të bashkëkombasve të shumtë, të degdisur kanaleve e kantiereve të kryeqyteteve evropiane. Natyrisht, gjatë gjithë kohës mbeti në korrent me lëvizjet atdhetare brenda e jashtë trojeve shqiptare, sepse i takonte racës së zgjedhur të bijve që nuk e durojnë kërbaçin e huaj.

Kështu do të vazhdojë jeta prej gurbetqari e Bakiut deri në vitin 1990, kur, më në fund, u shemb muri i Berlinit dhe nisën të ndjehen gjithnjë e më shumë kërcëllimat e bedenave të shtetit artificial jugosllav, në të cilin më së keqi e pësuan shqiptarët që përbënin gjysmën e kombit të gjendur jashtë kufijvë të natyrshëm të shtetit Amë. Tani ndryshuan kushtet, u zbut pak shtrëngimi i darëve sllave dhe Baki Bajrami u kthye sërish aty ku e kishte vendin – profesor në gjimnazin e Tetovës. Ishte etur keq për bankat e mbushura me nxënës dhe nuk ngopej dot me punë. Shfrytëzoi çdo shteg të mundshëm për realizimin e idealeve rinore dhe u gjend në krye të të gjitha nismave fisnike, siç ishte iniciativa për pajtimin e gjaqeve; iniciativa për formimin e subjekteve politike shqiptare (pa e projektuar veten në strukturat udhëheqëse partiake e politike);  iniciativa për formimin e LASH-it (Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë), selia e së cilës ishte në Prishtinë; iniciativa për regjistrimin e maturantëve tetovarë në Universitetin e Tiranës, në një kohë kur në Kosovë ishin mbyllur dhunshëm të gjitha institucionet arsimore dhe ishin përjashtuar nga puna të gjithë shqiptarët dhe kur këtu, në pjesën shqiptare të Maqedonisë paralelet e përziera e kishin zbritur në minimum numrin e shkollarëve shqiptarë; iniciativa për hapjen e shkollës Ekonomike, së cilës i priu një kohë si drejtor i parë i saj; iniciativa për themelimin e klubit të matematikanëve “PASKAL”, përkatësisht të organit të tij – revistës së parë matematikore “PLUS”, që sot njihet anembanë trojeve shqiptare dhe që u bë “sebepi” i nismës së garave gjithkombëtare në lëndën e matematikës dhe i shumë sukseseve të të rinjëve tanë në këtë fushë të dijes; iniciativa për themelimin e Universitetit Shqip të Tetovës etj.

Mjerisht, kjo veprimtari e bujshme dhe e stërmbushur me suksese tani nisi t’u pengojë disa njerëzve të strukur nën sqetullat e pushteteve fiktive dhe, si për punë mallkimi, pushteti i huaj arriti të vë sërish në lëvizje minjtë brejtës të indit shqiptar që flisnin gjuhën tonë. Bakiu tani u bë halë në sy i tipave që nuk e arrinin dot as nivelin e sholleve të këpucëve të Tij. Ai e prishte keq notën mësatare të mediokritetit, metilit dhe hirës së kombit, ndaj duhej dënuar e përçmuar sërish me forcën e shpifjeve më të paskrupullta e më idiote. Natyrisht, e pranoi sfidën dhe vazhdoi me krenari aktivitetet e tij të nduarnduarshme arsimore, kulturore e shoqërore, duke mos ua varur veshin mashave dhe hyzmeqarëve të huaj, po mësyemjet joprincipiele vazhduan, për t’mos u ndalur madje as në periudhën kur shtëpia e Profesorit ishte e mbushur ding me vëllezërit e motrat e dëbuara me dhunë nga vatrat e tyre shekullore. Një Zot e di sa do të ketë vuajtur për këto vaki të panatyrshme që po i binin mbi kokë vetëm pse nuk pranoi të jetojë me kompromise, ashtu siç jetonin ata që tani më kishin provuar ëmbëlsinë e cucllave eterike sllave dhe pjatat e stërmbushura me mish të pjekur derri.

Gjithë këto kupa të hidhura pelimi Profesori ynë i duroi stoikisht deri në zgjidhjen fatlume të çështjes së Kosovës dhe pastaj shpërtheu si uragan me një shkrim të guximshëm kushtuar kapobandave që po e diferenconin për herë të dytë… Si koleg e mik i Tij i afërt asokohe, pata fatin e rrallë ta lexojnë në dorëshkrim këtë përgjigje bubullonjëse si shpërthimet e një vullkani, që jepte diagnozën më të saktë e më koncize të pozitës tragjike të shqiptarëve dhe pjesëmarrjen në këtë fatkeqësi të disa zvarranikëve të padinjitet, po, mjerisht, këtë fat nuk e pati dhe publiku lexues shqiptar, sepse, edhe përkundër premtimeve të fuqishme se do ta botojë shkrimin gazeta që mbante emrin e bashkimvëllëzërimit tragji-komik shqiptaro-sllav nuk arriti ta kalojë pragun e censurës së padronëve që vendosnin për postet drejtuese te paçavures. Ishte e kuptueshme edhe kësaj here, sepse Baki Bajrami nuk ishte dokushdo. Fjala e tij mund ta prishte në çast edhe imazhin e pushtetarëve të vërtetë e lëre më atë të përfaqësuesve të hikmeve të vockla fiktive…

I këtillë ishte Baki Bajrami – njeriu që do ta kemi vështirë ta kompensojmë, njeriu që jetoi stinët më të vështira të historisë së kombit, njeriu që i përballoi të gjitha furtunat e mundshme dhe eci tutje jetës vertikalisht, për t’mbetur kudo i mirëseardhur e i mirëpritur, i dashur e i adhuruar, i veçantë dhe i jashtëzakonshëm.

Ky ishte Bakiu ynë, i cili, edhe atehërë kur sëmundja e pengoi të vazhdojë përpjekjet e mëtejme për të mirën tonë të përgjithshme, vazhdoi t’u gëzohet sukseseve të të tjerëve si të ishin sukeset e Tij; Bakiu që kurrë nuk u ankohej shokëve për problemet personale; Bakiu që edhe në një gjendje tejet të rënduar shëndetësore ndiqte me vëmendjë gjithçka që kishte të bëjë me fatin e kombit; Bakiu Ynë i shtrenjtë, që la pas vetes një familje të shëndoshë intelektuale dhe shembëlltyrën e një personaliteti që do t’na prijë përjetshëm në udhën e sendërtimit të idealeve të mëdha shoqërore e kombëtare për të cilat nuk kurseu asgjë në jetë; Bakiu që i gëzohej edhe arritjes më të vogël në planin kolektiv dhe Bakiu që i vuajti shumë dështimet e politikave shqiptare, të cilat, në mungesë mundësishë të tjera i komentonte me nga një AH!, që për miqtë e Tij ishin shumë kuptimplote…

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Profesor Baki Bajramin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button