UNSHM: Sipas statistikave, nxënësit në shkollat e mesme në Tetovë çdo ditë janë viktimë e bullizmit

Bazuar në rezultatet e anketimit të bërë nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme(UNSHM), bullizmi psiqik dhe verbal është prezent në shkollat e mesme të Tetovës. Sipas rezultateteve, 27% e nxënësve ballafaqohen çdo ditë me bullizëm në shkollë, dhe për këtë UNSHM ka hapur fushatë ku nxënësit mund të raportojnë bullizmin në faqen e tyre në facebook, njofton Portalb.mk.

Tema e bullizmit është një temë që shumë pak, për të mos thënë fare, është debatuar dhe debatohet në vendin tonë. Të njejtës nuk i kushtohet aspak rëndësi dhe si dukuri anashkalohet jo vetëm nga prindërit dhe profesorët, por edhe nga institucionet shtetërore. Ndonëse në shkolla ka psikologë, ashtu siç thuhet nga UNSHM, ata nuk i kushtojnë aspak rëndësi dhe as nuk e diskutojnë këtë çështje.

Sipas UNSHM, nga hulumtimet që kanë bërë nëpër shkolla pritshmëritë e tyre ishin që bullizmi fizik të jetë më i pranishëm midis nxënësve. Por rezultatet e dala nga ky pyetësor treguan që 79% e të anketuarëve vlerësojnë se më i pranishëm është bulizmi i ashtuquajtur i padukshëm, ose bullizmi psiqik, edhe atë më shumë në relacionin mësimdhënës – nxënës por edhe midis vetë nxënësve.

Rezultatet e anketimit nga UNSHM

Nga UNSHM thonë se kjo sjell në përfundim se “dhuna psiqike dhe verbale me raste përdoret si mjet edukimi në shkollat e mesme” në vend, dhe se kjo paraqet një rrezik për ardhmërinë e nxënësve të cilët më vonë në jetë mund të përballen me pasoja serioze, sidomos në gjendjen emocionale dhe shpirtërore.

“Një e dhënë tepër shqetësuese që ka dalë nga pyetësori është se 44% e nxënësve kanë qenë viktima të bullizmit, dhe ky numër sipas të gjitha gjasave shkon në rritje, derisa bullizmi po shndërrohet në një rutinë ditore në shkollat tona”, tha Blendi Hodai, udhëheqës i UNSHM.

Gjithashtu, afro 81% e të anketuarve pranojnë se kanë qenë viktimë e bullizmit në ambientet shkollore si nga shokët, ashtu edhe nga profesorët por edhe nga organet më të larta në shkollë.

Rezultatet e anketimit nga UNSHM

UNSHM akuzon zyrat e psikolgëve, që sipas tyre, janë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë gjendje, pasi nga ana e tyre nuk është bërë asnjë hulumtim në lidhje me këtë çështje, dhe fatkeqësisht Unioni deklaron që ata nuk janë të njohur edhe me termin se çfarë do të thotë “Bullizëm”. Ata këtë e quajnë mosfunksionim i zyrës së psikologëve në shkolla, pasi ironia më e madhe është që edhe nxënësit nuk e dinë se kush janë psikologë në shkollat të cilët ata mësojnë.

Ata kërkuan nga Avokati i Popullit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Komiteti i Helsinkit, Byroja për Zhvillim të Arsimit që t’i qasen me më shumë seriozitet këtij fenomeni që është në rritje dhe të hartojnë politika parandaluese ndaj tij.

Gjithsej u anketuan 1729 nxënës të moshave nga 15 deri në 19 vjeç, gjashtë shkolla të mesme të Tetovës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button