Ministria e Kulturës iu përgjigj pyetjeve të Komisionit të Kuvendit

Në lidhje me kërkesat e Komisionit për Kulturë në Kuvendin e Maqedonisë, nga Ministria e Kulturës njoftuan se për 22 rekomandimet për mbrojtjen e rajonit të Ohrit do të raportohet të premten, ndërkaq për Ligjin për kulturë thanë se është në procedurë qeveritare, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me pyetjen pse ndryshimi dhe plotësimi i Propozim-ligjit për kulturë ende nuk ka hyrë në procedurë të Kuvendit, ju informojmë se Propozim-ligji për menaxhim me trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Rajonin e Ohrit, është në procedurë qeveritare, dhe pas miratimit të tij nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do të dorëzohet në Kuvend”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Sa i takon procedurës së zbatimit të 22 rekomandimeve për zhvillimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të rajonit të Ohrit, nga Ministria e Kulturës nuk deshën të japin informacione, por ftuan që të merret pjesë në mbledhjen e Komisionit për Kulturë, kur do të publikohet raporti për të njëjtat.

“Në lidhje me pyetjen për atë nëse ka filluar realizimi i rekomandimeve të Komisionit për Rajonin e Ohrit dëshirojmë t’ju informojmë se për realizimin e rekomandimeve, përkatësisht konkluzioneve të Komisionit për Kulturë të Kuvendit të RMV-së, ministri i Kulturës pati fjalim më 12.12.2018. Përndryshe për të premten (8 mars 2019) është njoftuar mbledhja e Komisionit për Kulturë të Kuvendit të RMV-së në këtë temë, dhe në të cilën do të informojmë në mënyrë plotësuese për aktivitetet e realizuara”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Përndryshe, në Komisionin për Kulturë dje kërkuan që gjatë realizimit të Programit Kulturor Vjetor (PKV) të ketë: kritere të qarta gjatë formimit të komisionit, përzgjedhjes së anëtarëve të Komisioneve dhe verifikim të subjekteve juridike të formuara pak para hapjes së konkursit të PKV-së. Të gjitha këto parashihen me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kulturë.

Paraprakisht, nga Ministria e Kulturës kanë njoftuar, se deri te miratimi i ligjit të ri për financim në kulturë, do të ndryshohet dhe plotësohet ligji aktual për kulturë, në pjesën e dispozitave me të cilat rregullohet financimi i kulturës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button