Mediat rajonale dhe lokale kërkojnë para nga buxheti përmes fondit për media

Para të qytetarëve për mediat, por jo direkt nga buxheti i shtetit, por që do të vinin nga një fond për mediat, i formuar posaçërisht, për të cilin, megjithatë, qeveria do të ketë fjalën e fundit, njofton Meta.mk.

Kjo vjen si propozim nga Shoqata e mediave lokale rajonale dhe “Medium objektiv”, që ishte të premten temë e debatit me shoqata të gazetarëve, pronarë të mediave dhe ministri për llogaridhënie dhe transparencë Robert Popovski. Mediat lokale dhe rajonale mbetën pa reklama qeveritare dhe janë lënë plotësisht në tregun mediatik jofunksional.

– Qeveria do të vendosë se prej ku do të tërhiqen mjetet për fondin. Propozimi ynë është që kjo të jetë nga agjencitë që kanë ndonjë lloj baze të të ardhurave nga sektori i biznesit, nga qytetarët, nga taksat. Ne nuk i dimë të gjithë operatorët ekonomikë. Qëllimi është zhvillimi i të gjitha mediave lokale dhe rajonale. Qëllimi është që të kemi pluralizmin dhe prosperitet – deklaroi Dimitar Micov, iniciator i këtij takimi, pronari i TV “Kanal Vis” nga Strumica.

Propozimi i kësaj shoqate është që fondi të mos vlejë për media, të cilat do të formoheshin tani. Baza për atë se sa do të marrin mediat është në bazë të përllogaritjes së shpenzimeve për punë, si tarifat për leje pune nga ASHAVM, për paga dhe kontribute dhe për taksa.

Ka një kohë më të gjatë që, për këtë ide të fondit për media, po dëgjohet në qarqet mediatike. Qëndrimet janë të ndara, varësisht nga pozicioni nga i cili veprojnë. Pronarët e mediave të vogla nuk kanë dilemë se duhet të ketë “para të shtetit”, veçanërisht pas rraskapitjes gati dy vjeçare pa para të qeverisë.

Nga pikëpamjet e shprehura publikisht, te një pjesë e gazetarëve profesionistë, ekziston frika se fondi do të ishte mënyrë e re për korruptimin e mediave, veçanërisht tani para zgjedhjeve të ardhshme. Pikërisht për këtë, qëndrimi i njëjtë që e përsërisin ministrat e qeverisë, është se propozimi duhet të vijë nga esnafi i gazetarëve.
-Nëse ne mund të ndihmojmë që të rritet numri i gazetarëve, të rritet numri i të punësuarve në media, paga dhe kontribute më të larta dhe përmbajtje më cilësore, atëherë së bashku duhet ta gjejmë mënyrën. Nëse të gjithë pajtoheni se nevojitet mbështetje, jemi këtu që së bashku të monitorojmë mënyrën si do të zbatohet. Askush nuk e përjashton atë. Le të mos jetë e kaluara pengesë për të realizuar diçka për të ardhmen. Megjithatë, me shumë kujdes, që mos të gabojmë të gjithë. Drejtimi në të cilën do të lëvizim duhet të jetë i fokusuar drejt rritjes së cilësisë së përmbajtjeve mediatike, e jo përmes thirrjeve telefonike dhe diktateve – tha Robert Popovski, Ministër i llogaridhënies dhe transparencës.

Ndryshe nga pronarët e mediave, te Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë mbisundon pikëpamja se mediave duhet t’iu ndihmohet, por jo drejtpërdrejt me para. Si ndihmë e tërthortë theksohen lehtësimet tatimore dhe lloje tjera të ndihmës nga shteti.

– Ne nuk do të pranojë zgjidhje e cila do të thotë ndihmë direkte nga buxheti, por gjithsesi mund të pranojmë zgjidhje që do të thonë lehtësim në aspektin e lehtësimeve tatimore, si lehtësim për tarifat e ndryshme për agjencitë, si tarifat për Agjencinë e filmit, AAPM, lirimin e kontributeve për një pjesë të të punësuarve – ka propozuar Mlladen Çadikovski, kryetar i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).

Ky propozim është vetëm pjesërisht i pranueshëm për pronarët e mediave, të cilët kërkojnë intervenime direkte të fondeve. Gjatë diskutimit ata e theksuan faktin se, për shkak të gjendjes së dobët financiare, janë të detyruar ta reduktojnë stafin e gazetarëve dhe atë teknik, ndërsa disa prej tyre kanë problem edhe me pagesën e rrogave.

Debati i sotëm në Strumicë ishte i pari, i iniciuar për themelimin e të ashtuquajturit fond për ndihmë për radiodifuzerët (transmetuesit). Orekset u rritën sidomos pasi shteti ofroi subvencione për mediat e shkruara, për të cilat disa radiodifuzerë vlerësuan se janë ndarë pa kritere reale, për të stimuluar përmbajtje më cilësore gazetareske, si bazë për të marrë mbështetje. Qeveria, përmes një thirrjeje publike në janar, ka ndarë 42 milionë denarë për 11 media të shkruara. Ministri Popovski ka mohuar se qeveria, në këtë mënyrë, bën përpjekje për korrupsion, por se i ndihmon mediat e shkruara duke i paguar shpenzimet e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button