Imunitet nga drejtësia

Sundimi i së drejtës në Maqedoni vazhdon të përballet me probleme serioze. Është e dhimbshme të shihet se si për t’u arritur çdo qëllim politik e gjeostrategjik çmimi që paguhet gjithmonë hyn në hesapin e drejtësisë. Kjo fatkeqësisht e tregon qeverisjen aktuale si të paaftë për të vendosur drejtësi të vërtetë dhe efikase për lëndët të cilat i shqyrton Prokuroria Speciale si dhe për lëndën e 27 Prillit 2017.

Në momentin kur paraqitet rasti historik që ish kreu i shtetit të përgjigjet për terrorizëm ajo që pason është një debakël i vërtetë institucional. Së pari vetë lajmi i hapjes së hetimeve lidhur me organizuesit kryesorë të 27 Prillit bie shpejt në harresë dhe mbulohet me lajmin tjetër “më të rëndësishëm”, ai se Mile Janakievski dhe Spiro Ristevski qenkan sulmuar verbalisht dhe fizikisht gjatë vendosjes së tyre në paraburgim. Ky bëhet lajm i ditës dhe krijohet një histeri maramendase. Kërkohet përgjegjësi nga të gjitha anët, nga kryeministri, nga ministrja e Drejtësisë dhe nga drejtori i burgut. Kryeministri kërkon dorëheqje nga drejtori i burgut ai e jep por dorëheqja nuk mund të realizohet sepse jemi në periudhë parazgjedhore.

Është shumë në rregull dhe tërësisht e detyrueshme të bartet përgjegjësi për dështimet në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, ku vend kryesor ka mbrojtja nga tortura dhe keqtrajtimet e tjera gjatë paraburgimit. Por në këtë proces po aq e rëndësishme dhe tereshit e detyrueshme është të ketë standarde të barabarta dhe jo standarde të dyfishta. Në momentet kur ngrihet histeria për paraburgimin e Miles dhe Spires, nuk ka si të mos na kujtohet videoja që qarkulloi para disa vitesh ku shihej njëri ndër të akuzuarit në rastin “Bordec”, dukshëm i keqtrajtuar dhe i torturuar, si merret në pyetje nga policët. Mos mbajti dikush atëherë përgjegjësi për këtë? Askush. Po në rastin më të freskët kur avokatët e të gjykuarve të grupit të Kumanovës ankoheshin vazhdimisht se klientët e tyre keqtrajtohen në paraburgim mos morën ndonjë përgjigje? Mos barti dikush përgjegjësi? Mos dha dikush dorëheqje? Askush. Maqedonia është gjetur e fajshme ndërkombëtarisht për ushtrim të torturës në paraburgim në rastin botërisht të njohur El Masri dhe as për këtë rast askush deri tash as ka mbajtur përgjegjësi e as ka dhënë dorëheqje. Por ama, në rastin e Miles dhe Spires zhurma nuk ndalon dhe përgjegjësia kërkohet menjëherë. Kjo për shkak se është e dukshme që në këtë shtet bëhet dallim mes të dyshuarve për terrorizëm më të privilegjuar dhe të tillëve më pak të privilegjuar. Dhe kështu, rëndësia kalon mbi çështjen kush akuzohet për terrorizëm dhe jo mbi atë se çfarë terrorizmi ai dyshohet të ketë bërë.

Por drama nuk mbaron aty, kalon në kuvend. E si mund të kalkulohet në këtë mënyrë për heqjen e imunitetit ndaj një ish-kryetari të kuvendit të akuzuar për cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë?! Si mund t’i lejojë vetes dikush që për herë të parë në histori të mos e respektojë kërkesën e gjykatës e cila kërkon heqje të imunitetit me qëllim të vendosjes së personit në paraburgim në mënyrë që të pengohet ikja eventuale e tij, duke ditur që deri më tani 4 persona janë arratisur në këtë mënyre? Nuk ka procedurë ligjore e as nuk ka kalkulim ose interes politik që e arsyeton një sjellje të këtillë. Aq më tepër nuk ka asnjëfarë logjike që pas gjithë kësaj faji për arratisjen eventuale të Veljanovskit t’i hidhet gjykatës e cila në kohë dhe sipas procedurës ka kërkuar heqjen e imunitetit nga personi në fjalë. Por si duket qëllimi është që disa njerëz të kenë imunitet ndaj drejtësisë, në mënyrë që ajo të mos i kapë e as të mos sillen para saj. Qëllimi është të krijohet imunitet dhe papërgjegjësi për rastet si Veljanovski dhe rastet që do të vijojnë. Qëllimi është të lirohemi nga drejtësia sikur personi që merr vaksinë anti-grip lirohet nga sëmundja e gripit.

Qëllimi tjetër është që të histrizohet rreth këtyre ngjarjeve sa është e mundur më tepër. Të bëhen drama në kuvend, të ketë akuza lartë e poshtë, fjale të rënda, grindje pa asnjë kuptim. Ndërsa në fakt, jashtë asaj histerie, qëllimi është që punët të vazhdojnë të jenë në vijë. Dhe në këtë mënyrë fitohet imunitet nga drejtësia, ndërsa subjektet politike grinden në mes veti një natë dhe natën tjetër dalin me kandidat të përbashkët për president.

Shaka e hidhur kjo politika jonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button