U prezantua “Plani operativ për punësim 2019”

Plani operativ i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për programet aktive dhe masat për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2019 u promovua sot nën hashtagun #ShansPërTëGjithë, raporton Anadolu Agency (AA).

Për Planin operativ të punësimit 2019, Qeveria ka ndarë 1.1 miliardë denarë për punësim dhe hapjen e bizneseve të reja. Në vitin 2019, do të ketë një shans për të gjithë ata që kanë arsim, por janë të papunë, për t’u përshtatur me situatën aktuale dhe për t’u aktivizuar në tregun e punës.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, theksoi se plani operativ për punësim është një përparësi kryesore për të gjithë qytetarët, kryesisht për të rinjtë, për të gjetur një mënyrë për të hyrë në punë.

“Nëpërmjet planit operativ ne sigurojmë një kërkim më të lehtë të punës për qytetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe, përmes këtij plani operativ ndihmojmë drejtpërdrejt personat nga kategoritë e rrezikuara dhe personat me nevoja të veçanta në gjetjen e zgjidhjes së tyre të përhershme për të siguruar të ardhurat e tyre”, tha Zaev, duke shtuar se ai beson se masat e tilla do të rezultojnë në çrrënjosjen ose në luftën kundër papunësisë.

Ai gjithashtu vuri në dukje se zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut ka 90 mijë punëkërkues aktiv, duke shtuar se masat e tilla do të jenë atraktive për të rinjtë që të qëndrojnë këtu dhe të shohin perspektivat në vend.

Zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike, Koço Angjushev, tha se sot është dita e parë e punës së këshilltarit të kancelares gjermane Angela Merkel në kabinetin e kryeministrit, duke bërë të ditur se mëngjesin e sotëm ka patur një takim fillestar me këshilltarin dhe se në takim u shqyrtua më gjerësisht situata ekonomike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa më tutje do të shkohet në një shqyrtim të hollësishëm.

“Këshilla e parë është se Republika e Maqedonisë së Veriut tani ka një moment shumë të mirë me një zë të mirë, të themi një ndikim në të gjithë botën, kështu që Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga informacionet më të mira, një nga informacionet e rralla në botë në periudhën e fundit. Dhe ne duhet ta përdorim atë moment për të përmirësuar ekonominë dhe kësisoj standardin e jetesës së qytetarëve tanë”, tha Angjushev.

Me planin operativ për vitin 2019 rëndësi e veçantë u kushtohet të rinjve të papunë deri në moshën 29 vjeçare, të papunëve me aftësi të kufizuara, grave të papuna nga kategoritë e rrezikuara dhe përfituesve të ndihmës minimale të garantuar.

Programi është i dedikuar për ndërmarrjet mikro, të vogla, të mesme, ndërmarrjet sociale dhe organizatat e shoqërisë civile.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button