fbpx

Maqedoni, vazhdon implementimi i projektit për përkrahjen e personave me shikim të dëmtuar

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, së bashku me Ambasadorin e SHBA-ve, Shkëlqesinë e tij, Xhes Bejli dhe ministrat e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe të Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska sot kanë mbajtur fjalim në tryezën e rrumbullakët kushtuar iniciativave të institucioneve të sistemit për ndërmarrjen dhe vazhdimin e implementimit të projektit për përkrahjen e të verbërve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në pjesën e komponentit arsimor, theksoi ministri Ademi, janë themeluar pesë qendra resursesh në Shkup, Tetovë, Shtip, Manastir dhe Veles, ku fëmijët me shikim të dëmtuar frekuentojnë mësim shtesë dhe edukohen nëpërmjet materialeve, respektivisht teksteve shkollore të përpiluara me shkrim Brajt.

“Në këto qendra janë realizuar edhe trajnime për më shumë se 200 mësimdhënës, edukatorë për punë me këta fëmijë. Po ashtu, Kryqi i Kuq ka themeluar edhe Qendrën për Personat me Shikim të Dëmtuar ku realizohen kurse të certifikura për IT shkathtësi, për gjuhën angleze, punëtori për shkathtësi për orientim dhe lëvizje, për socializim”, theksoi Ademi, duke shtuar se Strategjia e re e Arsimit 2018-2025 parashikon përmirësim të konsiderueshëm të arsimit për personat me nevoja të veçanta arsimore.

Në këtë drejtim, shtoi ai, bëjmë përpjekje që shkollat të shndërrohen në mjedis i plotë inkluziv, pavarësisht nga specifikat fizike dhe psikike, që nënkupton përmirësimin e kushteve infrastrukturore në shkolla – që ka për qëllim pranimin dhe lëvizjen e lirë të këtyre nxënësve në brendësi të objekteve, trajnime për stafin mësimor dhe profesional, furnizimin me teknologji asistive, formimin e grupeve inkluzive, përpilimin e planeve arsimore individuale e kështu me radhë.

Sipas ambasadorit Bejli, këto partneritete janë shembull i shkëlqyer për bashkim për impakt më të madh.

“Para pesë viteve, USAID dhe Fondacioni Lajons Klub i bashkuan fuqitë që t’u ndihmojnë institucioneve lokale dhe komuniteteve, që t’i detektojnë dhe parandalojnë anomalitë e syve te fëmijët dhe t’i rrisin mundësitë arsimore për personat me shikim të dëmtuar. Ky partneritet u rrit dhe përfshiu shumë organizata tjera dhe individë prej të cilit shumë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut kishin përfitim të drejtpërdrejtë.

Merreni, për shembull, Barbara Vasilevskën. Në moshën 7-vjeçare Barbarës i ishte diagnostikuar atrofi në nervin e syrit. Prindërit e saj iu drejtuan për ndihmë Qendrës së re të Resurseve në Manastir. Qendra i mundësoi Barbarës mësim special katër herë në javë, me ndihmën e një edukatori special. Për vetëm disa muaj ajo ishte e gatshme që t’i bashkohet shkollës fillore në Manastir. Kjo është pikërisht ajo që ne shpresonim të arrihej – përfshirja e fëmijëve dhe të rriturve me shikim të dëmtuar në aktivitetet e rregullta dhe në jetën e përditshme”, deklaroi ambasadori Bejli në fjalën e tij.

“Avancimi i të drejtave dhe mundësimi i kushteve më të mira për personat me aftësi të kufizuara, siç theksoi ministrja Carovska, mbetet prioritet i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

“Me Ligjin e ri për mbrojtjen sociale, që është në procedurë parlamentare, vendosen dy shërbime tërësisht të reja për personat me aftësi të kufizuara – asistenca personale dhe kujdesi shtëpiak. Të gjitha këto risi në mënyrë të konsiderueshme do t’i rrisin të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, do të rritet vëllimi i shërbimeve ku do të kenë qasje këta persona dhe do të investohen fonde financiare në shërbimet individuale që do të mundësojnë jetë të pavarur të personave në vendbanimin e tyre dhe inkuadrim i tyre më i madh social”, ka shtuar ministrja e Punës dhe Politikës Sociale.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, theksoi se sistemi vizual është njëri nga sistemet më të rëndësishme për rritje dhe zhvillim të drejt të një fëmije.

Sipas tij, nëse përcaktohen mospërputhje të caktuara, rezultate më të mira ka kur sanohen në kohë.

“Skriningu i 30.000 fëmijë tashmë ka dhënë informacione konkrete për gjendjen lidhur me të pamurit e fëmijëve në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë deri në fund të vitit do të aplikojë Programin e skriningut të hershëm për shikim te fëmijët dhe do t’i ndërmarrë të gjitha masat në kuadër të sistemit të organizuar që do të ofrojë të ardhme të shëndetshme për fëmijë të shëndetshëm”, potencoi ministri Filipçe.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close