Grubi: Bëra me dorë të ndalohet fjalimi i Micovskit, jo Xhaferi ta ndalojë seancën

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi mohon që gjatë seancës së mbrëmshme për heqjen e imunitetit të ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, ka sinjalizuar me dorë kryeparlamentarin Talat Xhaferi, që ta ndërpresë seancën pasi që ka kaluar afati, njofton Portalb.mk.

“Prej nga e nxorët se i kam sinjalizuar? Atëherë dora ime paska thënë atë që e thoni? Më së paku pres nga gazetarët e shkolluar që të merren me lajme të rrejshme në bazë të një besimi imagjinar, ku dëgjuat se kam kërkuar diçka të tillë?”, pyeti Grubi gazetarët, pasi që ata e pyetën se pse ka kërkuar nga Xhaferi ta ndërpret seancën në të cilën do të hiqej imuniteti i Velajnovskit.

Siç thotë ai, me ngritjen e dorës ka kërkuar që të ndalohet fjalimi i koordinatorit të VMRO-DPMNE-së dhe të hidhet vendimi në votim.

“Ajo nënkupton që t’ia ndërpres fjalimin koordinatorit të VMRO-DPMNE-së dhe të bëhet votimi”, shtoi Grubi.

Për të qenë transparent, ju sjellim videon e TV21 në momentin ku deputeti Grubi e ka ngritur dorën

Grubi në konferencë për shtyp deklaroi se mbrëmë kanë qenë të gatshëm që të votojnë, por akuzoi partnerin e koalicionit LSDM se janë marrë vesh me VMRO-DPMNE-në që të mos e votojnë heqjen e imunitetit të Veljanovskit.

“Mbrëmë jemi renditur nga Ali Ahmeti deri te i sëmuri Agim Shaqiri për t’ia hequr imunitetin. Fatkeqësisht skenat e mbrëmshme mendoja se kanë përfunduar më 27 prill dhe me 11 janar, por ja që deputetët nuk u përmbajtën nga ofendimet, sharjet dhe gjuajtjet ndaj kryetarit të Kuvendit në momentin e votimit. Asgjë mbrëmë nuk do të ndodhte në rast se kryetari i Komisionit për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit do ta lejonte që të votohet në komision në ora 23:00, ashtu siç jemi marrë vesh. Asgjë mbrëmë në rast se LSDM-ja nuk do të merrej vesh me VMRO-DPMNE-në, duke e përjashtuar BDI-në, dhe duke e bërë votimin në orën 21:00, në marrëveshje mes tyre dhe pa na njoftuar neve fare. Asgjë nuk do të ndodhte, nëse disa nga deputetët nuk do të ngriheshin në këmbë me ofendime dhe sharje duke penguar votimin me kohë”, tha Grubi, transmeton Portalb.mk.

Për shkak të seancës së mbrëmshme, deputetët e LSDM-së, sot e kanë bojkotuar Xhaferin, gjegjësisht nuk koordinatori i tyre nuk ka marrë pjesë në koordinimin e përjavshëm, ndërkaq nga zyra e Xhaferit kanë njoftuar se anulohen dy seancat e sotme plenare.

LEXO: LSDM: Xhaferi të tregojë pse e ndërpreu seancën për heqjen e imunitetit të Veljanovskit?
LEXO: LSDM e bojkoton Xhaferin, Zekiri: BDI e shpëtoi Veljanovskin që edhe ai t’i shpëtojë ndonjëherë

Për ndërprerjen e seancës ka reaguar edhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, i cili e ka akuzuar BDI-në se e kanë shpëtuar Veljanovskin, me shpresë që siç thotë ai, t’i shpëtojë edhe Veljanovski ndonjëherë.

“Talat Xhaferi dhe DUI duhet t’i sqarojnë opinionit pse e shpëtuan pobratimim e tyre Trajko Veljanovski?!!!…
E SHPËTUAN për të shpresuar se VMRO do t’i “SHPËTOJË” ndonjëherë tjetër apo???…
Populli thotë çdo e keqe ka një të mirë… Opinioni në vend edhe njëherë e pa fëtyrën e vërtetë të këtij subjekti politik. Në një hadith Muhamedi a.s ka thënë : “Nëse nuk turpërohesh bej ç’të duash”.

P.S
DUI 2014 =153.000
DUI 2016 = 86.000
DUI 2019 = …”, shkruan Zekiri.

Në lidhje me akuzat se mosvotimi i Veljanovskit është pazar politik, Xhaferi tha se nuk e ka ndërmend të merret me konstatimet politike.

“Nuk e kam shpëtuar Trajko Veljanovskin e askënd, seanca është ndaluar pasi që ka kaluar koha për miratim vendimi dhe për shkak të sjelljes së deputetëve”, tha Xhaferi.

LEXO: Xhaferi me zënka e kaloi afatin për votim dhe e ndërpreu seancën për marrjen e imunitetit të Veljanovskit
LEXO: Maqedoni, Komisioni amë nuk ia hoqi imunitetin deputetit Trajko Veljanoski
LEXO: Më së voni për tre ditë Kuvendi do të diskutojë imunitetin e Veljanovskit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button