Maqedoni, Komisioni amë nuk ia hoqi imunitetin deputetit Trajko Veljanoski

Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit nuk ia hoqi imunitetin deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski, transmeton Portalb.mk.

Për heqjen e imunitetit votuan 4 deputetë “për” dhe 4 “kundër”.

Në Komision nuk ka qenë i pranishëm deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Agim Shaqiri.

Kryetari i Komisionit, Pavle Bogoevski ka deklaruar, se me votimin 4:4, nuk ka mundësi të japë rekomandim deri te kryetari i Kuvendit, se a duhet apo jo t’i merret Veljanoskit imuniteti.

“Kjo do të thotë se është refuzuar kërkesa, dhe nuk do të rekomandojë pranimin e saj”, tha Bogoevski.

Siç sqaroi më tej, për imunitetin do të vendoset në seancë plenare.

Pas votimit, Komisioni amë duhet të dorëzojë raport nga debati deri te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe ky i fundit duhet që brenda tre ditësh të caktojë seancë plenare për heqjen e imunitetit të deputetit Veljanoski.

Debati i pasdites sërish ishte tensionues, me replika dhe kundëreplika ndërmjet deputetëve të shumicës dhe opozitës.

Opozitarët ishin në qëndrimin se bëhet fjalë për linç politik, sepse kjo është hera e tetë që diskutohet për heqje të imunitetit të deputetëve, kurse shumica parlamentare konsideroi se duhet të zbulohen organizatorët e ngjarjes së 27-prillit të vitit 2017-të në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Paraprakisht, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Ballgica Llasovska gjatë fjalimit të saj ka thënë: “Nëse paraburgoset Veljanoski, nuk do të jetë i sigurt në Burgun e Shuto Orizares”.

Ka reaguar kryetari i Komisionit, Pavlle Bogoevski duke pyetur: “Pse tash u sulmuan Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski në burg?”

Përndryshe, dje në seancë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski, ka mohuar se ka pasur njohuri paraprakisht për sulmin.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti i Partisë Popullore Social Demokrate (PPSD), Goran Misovski i cili ka vlerësuar se tërë ngjarja është organizuar në Pallatin e Bardhë (selinë e VMRO-së).

Debati për heqjen e imunitetit, erdhi pasi që Gjykata Themelore Shkupi, deri te Komisioni ka dorëzuar kërkesë për paraburgim të deputetit Veljanoski, sepse i njëjti është i dyshuar si organizator i ngjarjeve të 27-prillit, në kohën kur ka qenë kryesues i Kuvendit të Maqedonisë.

Prokurorja Villma Ruskovska ka sqaruar se arrestimet e ish kryeparlamentarit – T.V. (Trajko Veljanoski), ish ministrave – M.J. (Mile Jankieski) dhe S.R. (Spiro Ristovski), ish agjentit – N.B. (Nikolla Boshkovski) dhe ish kryetarit të partisë – N.G. (Nikolla Gruevski), vijnë pas realizimit të procedurës parahetimore.

Për N.G. dhe N.B. do të kërkohet ekstradim, pasi që i pari gjendet në Hungari, kurse i dyti në Greqi. Për momentin M.J. gjendet në arrest shtëpiak, S.R. në paraburgim, kurse për T.V. nuk është caktuar asnjë masë, pasi që gëzon imunitet prej deputeti. Ata akuzohen se kanë kryer vepër penale “kërcënim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”.

LEXO: Ngjarja e 27-prillit, Joveski dhe Ruskovska: Kërkojmë të respektohet prezumimi i pafajësisë
LEXO: Ngjarjet e 27-prillit, Prokuroria është duke përndjekur edhe Gruevskin e Boshkovskin

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button