Bertolini dhe ambasadori Zhbogar filluan sot në Tetovë fushatën “BE për TY”

Financim të projekteve të ndryshme për komunën, shoqëritë civile dhe sektorin e biznesit. Këtë e parasheh fushata “BE për ty”,  e cila do të realizohet në Tetovë. Pezentimi i mënyrave për aplikim për fonde nga BE u bë sot në Tetovë në gjimnazin “7 Marsi” nga Shefi i Sektorit për Bashkëpunim pranë Delegacionit të BE-së, Nikolla Bertolini, njofton Portalb.mk.

Ndërkaq, Ambasadori Samuel Zhbogar sot vizitoi gjimnazin “Kiril Pejqinoviç”, për të diskutuar me të rinjtë për Bashkimin Evropian në kuadër të fushatës “BE për ty”. Gjithashtu, Zhbogar zhvilloi takim me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Unë vetë isha në gjimnazin “Kiril Pejqinoviç” dhe u impresionova nga entuziazmi i nxënësve për Bashkimin Evropian dhe për shtetin e tyre. Do të doja që liderët politik të ishin sot aty për të dëgjuar dhe për të marë këshilla prej nxënësve. Ne si Bashkim Evropian do t’i mbështesim ata dhe do t’i marrim parasysh këshillat e tyre”, tha Zhbogar.

Ndërkaq kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, theksoi kontributin dhe përkrahjen e BE-së në projektin për pastrimin e ujërave të zeza.

“Ne sot kishim një takim të rregullt miqësor, biseduam për aktivitetet që janë në realizim e sipër në qytetin e Tetovës. Falënderoj ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme për projektin për pastrimin e ujërave të zeza, projekt i cili ka kaluar të gjitha fazat dhe është në fazën e realizimit”, tha Arifi.

Zhbogar theksoi se BE në bashkëpunim me Qeverinë investojnë në projekte që janë më të nevojshme, dhe se ndarja e investimeve nuk bëhet sipas lokacionit gjeografik. Ai tha se projekti për pastrimin e ujërave të zeza është një ndër investimet më të mëdha të BE-së, në vlerë prej 33 milion euro.

Ndërkaq, Shefi i Sektorit për Bashkëpunim pranë Delegacionit të BE-së, Nikolla Bertolini, ka vizituar sot gjimnazin “7 Marsi” për të prezantuar format e aplikimit për fonde në Bashkimin Evropian për komunën, shoqëritë civile dhe sektorin e biznesit.

Ai theksoi se shkaku i problemeve në vend projektet e BE-së nuk janë implementuar siç  duhet në vitet e kaluara.

“Të jemi realist, vitet e kaluara ka pasur probleme në Maqedoni dhe projektet nuk janë implementuar ashtu siç do të duhej, fondet nuk janë shfrytëzuar ashtu siç do të duhej. Nuk po them se sot problemet janë zgjidhur plotësisht, por ne e dimë që çdo ditë po bëhet mirë e më mirë”, tha Bertolini.

Ndryshe, këtë pranverë fushata “BE për TY” do të përqëndrohet në të rinjtë, dhe Tetova ishte stacioni i parë i fushatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button