Kur i gjithë kreu i shtetit dyshohet për terrorizëm

Më në fund, erdhi dita të shohim ngritjen e hetimeve dhe vendosjen e paraburgimeve lidhur me organizatorët e ngjarjeve të përgjakshme të 27 Prillit 2017. Atë që të gjithë e dinim që në momentin kur ndodhi sulmi në Kuvend, atë që e dinim edhe shumë më herët që do të ndodhte, përfudnimisht filloi të identifikohet dhe të marrë formë në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe në Gjykatën Penale të Shkupit. Që në ditët e fundit të Janarit 2017, kur ish-kryeministri doli në intervistën e tij legjendare dhe u kërkoi përkrahësve të tij të mos rrijnë në shtëpi duke veshur papuçe por të dalin dhe ta mbrojnë shtetin e tyre nga armiqtë e përhershëm që duan tua shesin shtetin shqiptarëve dhe platformës së tyre e gjuhës së tyre, dihej se çfarë do të ndodhte më tej. Si me sustë, protestat për Maqedoni të pastër filluan  që atë mbrëmje dhe vazhduan deri sa nuk ndodhi dhuna në Kuvend, që na solli buzë luftës civile. Askush nga të gjithë ata që kanë dyshim të shëndoshë në këtë shtet për asnjë moment nuk ka dyshuar që organizatori kryesor i asaj ngjarjeje të përgjakshme ishte personalisht ish-kryeministri Gruevski. Tani, Prokuroria për Krim të Organizuar do të mundohet ta dëshmojë këtë në gjykatë dhe përfundimisht të kërkojë vendosjen e drejtësisë dhe barjtjen e përgjegjësisë penale për sulmin më të rëndë që i është bërë rendit kushtetues në këtë shtet. Jo qe nuk kemi pasur konflikte të armatosura më herët, por asnjëherë për një arësye të këtillë: të pengohet transferi paqësor i pushtetit pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike me të vetmin qëllim që të mbrohet dhe të vazhdohet kriminaliteti njëdekadësh.

Dhe ja tani, e shohim të thirret në llogaridhënie njërin nga ata që ishin njerëzit më të fuqishëm në këtë shtet, ish-kryetarin e Kuvendit Veljanovski. I pyetur nga gazetarët a ka qenë vërtetë ai organizatori i ngjarjeve të së enjtes së përgjakshme, ai tha “Unë kam qenë 10 vjet kryetar i Kuvendit. Çfarë organizatori!”. Sikur fakti që ka qenë kryetar kuvendi është argument i parrëzueshëm i pafajsisë së tij! Ja edhe Gruevski për një dekadë ishte kryeministër, ndërsa tani është person i gjykuar dhe i arratisur i cili tani ngarkohet me akuza të reja, shumë më të rënda se të gjitha ato që i ka bartur deri tani. Në këto momente duhet pa asnjë vonesë të vendoset për heqjen e imunitetit të Veljanovskit në mënyrë që masa e paraburgimit të mund të realizohet. Ndryshe rreziku për t’u arratisur është shumë i madh. Pikërisht për këtë rrezik Janavievski dhe Ristovski tani më janë në paraburgim, në mënyrë që të pengohet arratisja e tyre eventuale duke ditur se nga pesë të dyshuarit për organizim të 27 Prillit dy prej tyre tani më gjenden në arrati. Dy më të rëndësishmit. Dy Nikollat prej të cilëve për njërin Prokuroria mundohet të dëshmojë që ka qenë ideatori dhe inspiruesi kryesor i atyre ngjarjeve ndërsa për tjetrin që ka qenë operatori kryesor i ngjarjes, i cili gjithnjë sipas njoftimit të Prokurorisë, me veturë zyrtare të DSK ka shpërndarë plumba dhe mbrojtëse tek personat në masën e gjërë të cilët kanë qenë të trajnuar të përdorin armë. Tani bëhet gjithnjë e më e qartë që arsyet e arratisjes së Nikolla Boshkovskit nuk janë të lidhura vetëm me rastin Target-Fortesa, por mbi të gjitha me rastin 27 Prilli ku ai dyshohet për terrorizëm.

Kjo informatë është vërtetë mbresëlënëse: një ish-kryeministër, një ish-kryetar i parlamentit, dy ish-ministra dhe një zyrtar i lartë i shërbimeve sekrete dyshohen për organizim të veprës Rrezikim terrorist i rrendit kushtetues. Dyshohen për një formë të terrorizmit, për shpërndarrjen e frikës dhe terrorit mes qytetarëve të cilët ata është dashur që t’i mbrojnë. Një kryeministër është kreu i pushtetit ekzekutiv, një kryetar kuvendi është kreu i pushteti legjislativ, Janakievski ka qenë ministër që duhej të kontribuojë në përmirësimin e transportit dhe lidhjeve në shtet dhe jo të lidhë terroristët ndërmjet veti, Ristovskit i qe besuar për udhëheqje arsimi i gjeneratave të reja, e Boshkovski është dashur të mbrojë sigurinë e qytetarëve dhe jo ta rrezikojë atë në mënyrë terroriste. Është e paimagjinushme të mendosh që për 10 vite kemi jetuar në shtet ku krerët më të lartë të cilëve qytetarët ua kanë besuar udhëheqjen e shtetit në fakt dyshohen se kanë përdorur metoda terroriste për të qëndruar në pushtet, edhe pasi e kanë humbur përkrahjen nga qytetarët.

Ajo që vazhdon të mbetet e paimagjinueshme dhe e papranueshme është se subjekti politik të cilin të gjithë këta krerë të akuzuar për terrorizëm e përfaqësonin vazhdon të mos distancohet nga ajo ngjarje e përgjakshme, dhe vazhdon të propagojë se i gjithë ky proces është një komplot kundër këtij subjekti. Dhe mbi të gjitha, tani ka një zonjë profesoreshë të së lëmisë kushtetuese për kandidate për president që me fjalët e veta dhe me vullnetin e vetë të plotë kërkoi dhe mori përkrahjen poltike pikërisht të këtij subjekti politik që arsyeton terrorizmin e dyshuar të anëtarëve të vetë.

Ky po që është njëri ndër absurdet më të mëdha që kanë parë qytetarët e këtij vendi. Edhe sa absurde të tjera do të shohim më tej?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button