Dështimi i parë i opozitës shqiptare, pos Gruevski

Nuk është as humbja e dinjitetshme në proceset zgjedhore, në arritjen e rezultateve synuese për partinë më të madhe fituese, të skenës politike shqiptare, duke marrë parasysh se ishin subjekte të sapo formuara politike. Nuk ishte as dalja nga qeveria, që shumëkush e llogariti si papjekuri dhe nxitshmëri politike, shikuar vrullin e të vepruarit me gjykimin e zemrës opozitare, sesa gjakftohtësisë qeverisëse. Asnjëra nga këto nuk konsiderohet dështim i opozitës. Edhe kritikat drejtuar pushtetit për ligje specifike, për gabimet e qeverisë, parimisht, nuk janë dhe nuk mund të jenë dështime, sepse janë metodë normale e çdo opozitarizmi, gardiane e interesave publike.

Ndërsa së fundmi, opozita e Ziadin Selës dhe Bilal Kasamit, e patën dështimin e parë opozitar, dhe atë në sfidimin që ju bëri kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në kërkesën unifikimit të votës shqiptare me kandidat të përbashkët, i cili mos unifikim i vështirëson partnerët shqiptar qeverisës, në nxjerrjen e një kandidati të etnisë shqiptare, përballë negociatave me LSDM-në, e cila sikur duket, nuk ka vullnet të nxjerrë kandidat shqiptar për kreun e shtetit, të paktën nga ajo që është përfolur në media.

Ky dështim i parë i Selës dhe Kasamit, mund të mos llogaritet si dështim, për nga interesat grupore politike që synojnë të arrijnë këto parti opozitare për veten e tyre, duke shpresuar se me këtë mënyrë do shtojnë votën elektorale, me arsyen e mos bashkëpunimit me BDI-në, për faktin e akuzave të korrupsionit apo bashkëqeverisjes së saj të kaluar, me partinë e Gruevskit, siç ata akuzojnë. Në anën tjetër, dëmi kombëtar në momente të rëndësishme politike, kuptohet, për interesa te fuqizimit partiak, është dëm i konsiderueshëm, siç është tani gjendja e mos unifikimit të faktorit shqiptar në kandidatin e tyre të përbashkët, i cili kandidat do ti imponoheshe Zaevit dhe partisë së tij, E sipas gjasave, kandidat fitues përball bllokut të VMRO-së.

Historia sikur na përsëritet, sikur jemi të mallkuar nga kjo përsëritje. Ashtu si dikur, kur mbas luftës së 2001-shit, Partia Demokratike Shqiptare në krye me Arbën Xhaferin, për interesa politike, nga frika se mund të faktorizohej grupacioni i UÇK-së (sot BDI), u larguan dhe shkaktuan prishjen e Këshilli koordinativ shqiptar, Këshill i cili formua pas shpërbërjes së UÇK-së, e që kishte qëllim realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, me garancinë e gjithë faktorit politik shqiptar. Por me këtë akt, Arbën Xhaferi i ndjerë, në prapaskenë nga nënkryetari Menduh Thaçi (de fakto kryetari), u gabuan shumë. Përpos që pamundësuan funksionimin e Këshillit koordinues shqiptar, mundësinë e shpejte e të drejtë të implementimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, interesi partiak që ata panë me braktisjen e këtij.

Këshillit kombëtar, ju kthye bumerang, me transformimin e gradacionit politik – ushtarak të UÇK-së, në forcë politike (BDI-në), e cila forcë e ishte edhe fundi i dominimit të tërësishëm politik të PDSH-së.
Të mësojmë nga historia, ta lexojmë atë dhe kuptojmë se si duhet vepruar në çështje madhore, duke shmangur zemrën dhe menduar me mendje. Në këtë mënyrë, jo vetëm i shërbejmë të mirës së përgjithshme, por edhe frytet politike, sigurisht do të jenë më të mëdha.

Një retrospektive, opozita e sotme me argumentin e mos-bashkëpunimit me BDI-në, për arsyen e keq qeverisjes dhe korrupsionit të kësaj të fundit, bie në ujë, sepse opozita e sotme pas rrëzimit të Gruevskit, ishte pjesë e qeverisë ku ishte edhe partia e Ahmetit. Ndërsa, as për këtë arsye nuk doli nga qeveria. Kurse tani, po për të njëjtët, dalin pengesa “parimore” në bashkëpunimin e një kandidati të përbashkët presidencial, i cili s’do të thotë se do të ishte kandidat i BDI-se, thjesht të uleshin dhe të negocionin. Mund edhe të nxirrnin një figurë apolitike me profil akademik, me vlera të pranueshme nga gjithë palët. Fatkeqësisht opozita nuk e po e bën këtë, ajo shikon në këtë situatë interesin e ngushtë partiak.

Retrospektiva tjetër, organizata politike e udhëhequr nga Ahmeti, përkundër meritave historike të 2001-shit dhe viteve qeverisë pas saj, ka përgjegjësinë e mbajtjes në jetë të qeverisë Gruevski, veçanërisht në mandatin e fundit, si mandati më shkatërrimtar edhe në aspektin korruptiv. Për të parën pagoi kosto zgjedhore, për të dytën ka hapur rrugë ti vendos para drejtësisë të gjithë keqpërdoruesit, qofshin funksionarë të saj, nëpërmjet Prokurorisë speciale, si dhe Prokurorisë publike e cila pritet të reformohet komfor direktivave në plotësimin e kushteve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mund të mos jetë sinqertë në këtë, mund ta ketë bërë nga frika elektorale, pak rëndësi ka, rëndësi ka rezultati në praktikë dhe ecuria e proceseve integruese. Të gjitha këto arsye, nuk e legjitimojnë opozitën e Selës dhe Kasamit të mos bashkëpunojnë me partinë e Ahmetit, për unifikimin e kandidatit të përbashkët presidencial.

Me të njëjtën logjike, Ahmeti, me plotë të drejtë mund të refuzonte bashkëpunimin me Selen, me arsyen se ai ishte funksionar i partisë së Menduh Thaçit, në kohët më destruktive dhe vëllavrasëse të saj. Mund të thoshte të njëjtën gjë edhe për Kasamin, se edhe ai ke qenë pjesë dhe funksionar i BDI-së, në një kohë të qeverisjes me Gruevskin.

Shikuar nga kjo perspektivë, opozita dhe pozita shqiptare duhet të bashkohen në negociatat-bisedimet me Zaevin, ti lënë dallimet dhe inatet mënjanë. Të ulen bashkë dhe mundësojnë një kandidat shqiptar për president shteti. Njëkohësisht duke ju bërë thirrje edhe shqiptarëve brenda LSDM-se, të mbështesin një kandidat të tillë. Nëse opozita shqiptare nuk e bënë këtë bashkëpunim të duhur, ky akt mund ti kthehet bumerang edhe për votat partiake, si dhe do t’ia zbehë suksesin për angazhimin e dhënë politik në rrëzimin e Gruevskit.

Shkruan: Aplin Ollogu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button