Po vjen superhëna! Më e shndritshme se kurrë gjatë 2019-s
Superhëna më spektakolare e vitit 2019 do të mund të shihet të martën e 19 shkurtit, duke u shfaqur në qiell më e shndritshme se kurrë, transmeton Top Channel.
“Është një takim që nuk duhet humbur” ky, sipas astrologëve. Sipas tyre, hëna do të jetë më e shndritshme dhe rreth 7 për qind më e madhe sesa një hënë e plotë normale.
Hëna rrotullohet rreth Tokës në një orbitë në formë ovale, në të cilin çdo muaj arrin një distancë minimale dhe maksimale. Superhëna ndodh sa herë që hëna e plotë koinçidon me momentin e distancës minimale me Tokën.
Në orën 22:07 minuta të 19 shkurtit, hëna do të gjendet në distancën më të afërt me Tokën, 356.761 kilometra, e asnjëherë tjetër përgjatë të gjithë vitit 2019 nuk do të kemi një hënë të plotë më afër nesh.
Ajo e 19 shkurtit do të jetë superhëna e dytë e vitit, pas asaj që koinçidoi me eklipsin e natës mes 20 dhe 21 janarit. Premton po ashtu të jetë mbresëlënës edhe takimi i tretë me një superhënë që nga fillimi i vitit, që do të ndodhë më 21 mars, në koinçidencë me ekuinoksin e pranverës.