Dy ditë zie në Maqedoni, janë duke u pritur arsyet për aksidentin e autobusit me 14 të vdekur

Dy ditë zie në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas aksidentit të rëndë që ndodhi të mërkurën (13.02.19) në autostradën E-65 që e lidh Shkupin dhe Gostivarin. 14 persona kanë vdekur, ndërsa 39 janë lënduar. Autobusi i kompanisë “Durmoturs” me më shumë se 50 pasagjerë, rreth orës 17 ka kaluar përtej 3 korsive të autostradës dhe është përmbysur në afërsi të rrugës së vjetër. Ai ka transportuar kryesisht pasagjerë të punësuar në Shkup dhe kanë qenë duke u kthyer në Gostivar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Institucionet kompetente e kanë vërtetuar identitetin e 14 viktimave të vdekura, është kryer inspektimi në vendin e aksidentit, ndërsa autobusi është dërguar për ekspertizë. Pesë nga pasagjerët e hospitalizuar janë në gjendje kritike.

Janë duke pritur arsyet për tragjedinë

Shoferi i cili e ka drejtuar autobusin ka marrë lëndime të lehta dhe është lëshuar në mjekim shtëpiak. Sipas testimeve, që i ka porositur Prokuroria publike, ai nuk ka pasur alkool ose substanca të tjera psikotrope në gjak dhe urinë. Është duke u hetuar nëse shoferi, në momentin e tragjedisë, ka qenë duke biseduar me telefon.

“Menjëherë pas aksidentit Prokuroria publike ka realizuar bisedë fillestare me të, mirëpo ai nuk ka dhënë informata relevante në lidhje me ngjarjen”, kanë njoftuar nga Prokuroria publike.

Nga gjetjet e deritanishme është konstatuar se autobusi është blerë në vitin 2001, ndërsa herën e fundit është regjistruar në janar 2019. Raport dhe mendim të ekspertizës duhet të paraqesë edhe Byroja për ekspertizë ligjore.

“Dourmo Turs” duhet ta dorëzojë dokumentacionin e plotë të licencave që i posedon për transport publik, për mirëmbajtjen e automjeteve, për numrin e pasagjerëve dhe biletave të shitura në autobus, si dhe të dhëna për orarin e punës dhe relacionet që i ka kaluar shoferi në ditën kritike.

Aksidenti i autobusit është i pesti për nga numri i viktimave në historinë më të re të Maqedonisë.

Pesë denoncime për shkak të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale për aksidentin tragjik

Ministria e Brendshme ka ngritur pesë procedura për shkak të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale në lidhje me aksidentin tragjik dhe po punohet në identifikimin e profileve tjera në rrjetet sociale nga të cilat përhapet gjuhë e urrejtjes, informoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button