Dajaku ka dalë prej xheneti

“E dini çka, oj msuse, rrehe bre! Ta kam pru ty me ma ba njeri, jo me m’metë si Cil Rrungaja”! Mësuesja s’e di kush është ky farë Cili, po as që i intereson në këto çaste kur merrte “këshilla” të këtilla për dhunë nga një prind. “Rrehe, mshoj, le t’bahet njeri, a po merr vesh a jo”! i thotë prindi mësueses, kurse fëmija që është i pranishëm aty e mban kokën lëvarur. Mësuesja e re mundohet të thotë se nuk është ajo që ka ardhur këtu në shkollë t’i rrahë fëmijët, por t’i mësojë, t’i arsimojë, t’ua hapë dyert e dijes, mundohet t’ia bëjë me dije prindit se ai si baba po e fyen fëmijën e vet, se po e shkel personalitetin e fëmijës, se kjo mënyrë komunikimi nuk është e qëlluar, por prindi nuk ndalet duke e përsëritur “filozofinë” e tij të rrahjes së fëmijës. Mësuesja ndërhyn me të mirë e butë mësuesi: “Një moment, vetëm pak… Ju lutem… ni moment”! shton duke e shikuar fëmijën në atë pozitë të rëndë, po prindi nuk e dëgjon. Prindi vazhdon me të veten:

“Oj msuse, mos u mërzit, bre! A po t’thom une – rrehe, rrehe! E ke lejen prej meje. Rrehe bre këtë mistrec! Vete, diti mirë, nuk diti – shuplakë! Ça po mërzitesh ti! E di unë, dajaku ka dalë prej xheneti. Pa dajak, kta kurrë s’kanë me msu xha! Kshtu, oj msuse! I di unë kto punë si shkojnë”!

Dhe, në çastin kur prindi niset duke thënë:

“Hajt pra, po shkoj”, mësuesja mendon se përfundoi drama. Prandaj i drejtohet butë djalit të vogël:

“Hajde me mësuesen”.

Po prindi sa  bën nja dy hapa, kthehet përsëri prapa dhe i bie një shpullë në palë të qafës të birit.

“Ngoje msusen, a more vesh?! thotë dhe largohet.  I turpëruar, djalit të vogël një fytyrë i vjen, një i shkon. As mësuesja nuk ndjehet mirë. Kjo shuplaka që prindi ia dha djalit, mësuesen e befasoi edhe më shumë dhe u gjet keq sa s’ka. As të flasë, as të ndërhyjë. “Ky”, mendoi mësuesja, kur sillet kështu me fëmijën e vet, mund të sulmojë çdo njeri”… Fëmijës, nga ana tjetër, një minut i bëhet një shekull. Çfarë torture! Mësuesja e merr veten pak, ndonëse një mjegull turpi e ndjek hap pas hapi, pse s’mundi t’i kundërvihet kësaj dhune. I dhembset nxënësi i saj. E shikon, i kërkon fjalët më të mira që t’ia thotë voglushit fatkeq, por edhe fjalët i ka zënë peng turpi që ndjente. Mësuesja më në fund ndërmerr diçka. Ia ledhaton flokët djalit. Fëmija e kupton mirësinë e mësueses, por fëmijës errët e ka para syve, kurse veshët i zihen, thua ti me atë dyllin e rrallë me të cilin Odiseu ua ka mbyllur veshët bashkëudhëtarëve të vet kur me anije kanë kaluar pranë sirenave. Mësueses i lirohet goja, i rrjedhin fjalët nga zemra dhe i përcjellin ndjenjat e saj fisnike te fëmija. Sado që fjalët e mësues të kenë qenë mbështetje e fortë për fëmijën, ato s’kanë mundur t’i bëhen mehlem për varrën e shkaktuar nga i ati, nga babai i tij.

Fëmijës iu bë një amshim i tërë ajo torturë, ajo fyerje! Po! Dhe gjatë gjithë asaj kohe ai çun që shkonte në shkollë me një kënaqësi të madhe, tash u gjet në një terr. Nuk i shkohej kah dera e shkollës. Kombët e tij të vockla i dukeshin të rënda e të palëvizshme. Po megjithatë, dalëngadalë fjalët e mirësisë së mësueses e hapën murin e territ dhe nisën ta bëjnë për vete. Pastaj, çuni i vogël dhe mësuesja u gjetën në klasë midis nxënësve të tjerë që po e prisnin mësuesen.

Ishte një përvojë e dhembshme kjo për mësuesen. Dhe, gjatë gjithë ditës pas mësimit ajo mendonte se si do t’ia dilte që t’ia shërojë plagën shpirtërore djalit të vogël dhe njëherësh mendonte se nëse ka edhe prindër të tjerë kështu si ky, si do të gjente çare. Ku janë të drejtat e fëmijëve, liria e tyre. Mendojeni këtë skenë të tmerrshme: prindi e torturon fëmijën e vet para mësueses që fëmija e ka idhull dhe mësuesen e cila nuk mund ta ndihmojë nxënësin e saj nga sulmi të cilin e bën njeriu më i afërm fëmijës së vet. Kjo ishte një përvojë e hidhur, të cilën nuk do të donte mësuesja t’i përsëritet as nxënësit e as asaj vetë. Mendojeni sa vështirë e kanë pasur fëmija dhe mësuesja. Këta dy e duruan gjithë atë hata, kurse prindi në vend se të kthehej krenar ngase rrezatoi dashuri prindore para mësueses së re, ai po kthehej krenar pse u tregua i dhunshëm para mësueses.

Mësuesja mendonte se si do të kthehej fëmija në shtëpi, pas atyre goditjeve shpirtërore e fizike, kurse fëmija nisi të ëndërrojë se një ditë do të shkonin në ekskurzion e ai do të ishte pranë mësueses.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button