Zaharova: Prej kujt NATO do ta mbrojë Maqedoninë? Kërcënimi i vetëm është Armata e Kosovës

“Me atë që do të bëhet anëtare e NATO-s, Maqedonia do ta humb aftësinë e saj ta ndjekë politikën e saj të jashtme si shtet sovran”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Marija Zaharova, gjatë kohës së takimit të djeshëm me gazetarët, njofton Portalb.mk.

Sipas saj, është e paqartë që të thuhet se çfarë përparësi reale do të fitojë Maqedonia nga anëtarësimi në NATO dhe nga kush do ta mbronin shtetin. Zaharova ka vlerësuar se kërcënimi i vetëm në rajon është armata e Kosovës.

“E vetmja forcë e armatosur serioze që ta destabilizojë rajonin është armata e Kosovës, e krijuar nga militantët shqiptarë. Nuk shohim kërcënime tjera për sigurinë dhe në lidhje me atë pyetëm: NATO a do të luftojë prapë me ata që i ka trajnuar dhe i ka armatosur? Ne ketë konstruksion e pamë në vendet e Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore. Fillimisht i armatos, ndërkaq më pas ka luftuar me terroristët dhe militantët. Fillimisht krijuan kushte për paraqitjen e terroristëve, ku asnjëherë nuk ka pasur, ndërkaq më pas kanë harxhuar miliarda dhe përpjekje për parandalimin e zgjerimit të kërcënimit terrorist, jo vetëm në rajon, por edhe në botë”, tha Zaharova.

Ndryshe, sot Greqia e para do të ratifikojë Protokollin për anëtarësim në NATO të Maqedonisë. Ndërsa dje Komisioni kuvendor për mbrojtje nacionale dhe politikë të jashtme në Greqi, filloi të diskutojë për ratifikimin. Pas ratifikimit në Kuvendin grek, vendi edhe zyrtarisht do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.

Me këtë menjëherë fillojnë edhe obligimet e Qeverisë për të zbatuar Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Qeveria me shkresë duhet t’i njoftojë të gjitha organizatat dhe forumet ndërkombëtare por edhe vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara se Republika e Maqedonisë nga ai moment do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.Do të kërkohet që emri i ri të përdoret edhe nga 130 shtetet të cilat e njohin Maqedoninë sipas emrit Kushtetues.

Menjëherë do të fillojë të punojë grupi qeveritar ndër-resor. Në afat prej shtatë ditëve pas ratifikimit të Protokollit duhet të takohet dhe të përgatisë plan nacional aksionar për zbatimin e obligimeve të Marrëveshjes. Më pas duhet ta vëzhgojë edhe zbatimin e tyre. Do të ndryshohen tabelat në kalimet kufitare në përfaqësitë konsullore-diplomatike si dhe në hyrjet e institucioneve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button