Irlanda dhe Finlanda mbështesin Maqedoninë për çeljen e negociatave me BE-në

Nëse Republika e Maqedonisë vazhdon me sukses tempon e reformave, atëhërë në qershor mund të llogaris në mbështetjen e parezervë të Irlandës dhe Finlandës për marrjen e datës për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e thanë në Shkup ministrja e Shtetit për Çështje Evropiane e Republikës së Irlandës, Helen McKenty dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Samuli Virtanen, pas takimit me zv/kryeministrin e Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashëkt pas takimit, Osmani tha se vizita e dy delegacioneve në fjalë është e rëndësishme sepse bëhet fjalë për shtete përkrahëse të forta të rajonit dhe në veçanti të Maqedonisë për anëtarësim në BE, për çka në takim tha se është biseduar për avokatinë që këto dy shtete do të bëjnë për negociatat e Maqedonisë me shtetet tjera të BE-së, në mënyrë që në qershor vendi të marrë datë për çeljen e negociatave për anëtarësim.

“Vizita e tyre në këtë moment kyç për vendin në vigjilje të nënshkrimit të protokolit për anëtarësim dhe disa muaj para verifikimit të datës për fillim të bisedimeve e shohim si shenjë të mbështetetjes së fuqishme të këtyre dy vendeve të BE-së”, tha Osmani.

Ministrja e Republikës së Irlandës, Helen McKenty, nga ana e saj përshëndeti, siç tha, lidershipin dhe parasëgjithash guximin e qeverisë për të zbatuar Marrëveshjen e Prespës, që nga perspektiva evropiane shihet si një gjë shumë e vlefshme jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin dhe BE-në në përgjithësi.

Ardhja e saj në Shkup, tha se bëhet për të parë nga afër situatën para se të merret vendimi në qershor për çeljen e negociatave.

“Në emër të vendit tim mund të them se nëse ky vend vazhdon me përparimin të cilin e ka dëshmuar në vitet e kauara dhe vazhdon zbatimin e reformave, Irlanda do të ofrojë mbështetjen e dhënë edhe në të kaluarën”, tha ajo, duke vënë theksin tek reformat në gjyqësor, administrata publike dhe në luftën kundër korrupsionit, çështje këto shumë sfiduese për vendin.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Samuli Virtanen, tha se është i lumtur që mund të shohë përparimin që ka bërë Maqedonia për çështjen e emrit me Greqinë, për të shtuar se Finlanda përveç që dëshiron të shoh vendin në BE, dëshiron të intensifikojë edhe marëdheniet dypalëshe me Maqedoninë.

Për sa i përket axhendës së zgjërimit, Virtanen tha se ardhja në Shkup është një parapërgatitje për Finlandën e cila në korrik merr kryesimin me Këshillin e Bashkimit Evropian, për të shtuar se shpreson që kur vendi i tij të merr kryesimin, Maqedonia të fillojë negociatat.

“Nga perspektiva e Finlandës, çështja ka të bëjë me parimin e korrektësisë, gjë e cila përcaktohet përmes nënshkrimit të kritereve që kemi bërë se si të çojmë proceset përpara. Kur shohim përparim, se janë përmbushur disa kritere të caktuara, atëherë edhe BE-ja duhet të jetë e drejtë dhe partnere lojale me atë vend”, tha Virtanen, për të shtuar se shohin një përkushtim të Maqedonisë, për çka inkurajoi qeverinë të vazhdojë me tempon e njëjtë.

Kujtojmë se delegacionet nga Irlanda dhe Finlanda do të takohen edhe me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button