Maqedoni, VMRO-DPMNE-ja i publikoi emrat e nëntë kandidatëve për zgjedhje presidenciale

Pas përmbylljes së konkursit për aplikim për kandidatë për president të Maqedonisë të partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-ja, sot nënkryetari i saj, Vllado Misajlovski ka publikuar emrat e nëntë të aplikuarve, nga dhjetë, pasi që njëri është diskualifikuar për shkak se nuk ka respektuar afatin kohor, njofton Portalb.mk.

Për kandidat të VMRO-së për president të shtetit kanë aplikuar profesoresha e Fakultetit Juridik, Gordana Siljanovska, profesoresha Nikita Shekutovska, kryetar i Odës Komerciale për Energjetikë, Vasko Kostov, deputeti Vladimir Gjorçev, profesori në pension, Ilija Dimovski, ish-drejtori i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë, Goran Angellov dhe profesori Sasho Kutleshovski.

Emrat do ta kalojnë filtrin e VMRO-DPMNE-së më 16 shkurt, në konventën e partisë.

“Të gjithë të aplikuarve do t’u jepet qasje e barabartë deri te komitetet komunale, që t’i prezantojnë programet e tyre”, tha Misajlovski.

Nënkryetari i VMRO-së, Misajlovski edhe sot kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Përndryshe, zgjedhjet presidenciale do të shpallen më 8 shkurt, dhe të njëjta priten të mbahen më 21 prill.

Përveç VMRO-së, konkurs për kandidat për zgjedhje presidenciale ka shpallur edhe partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), ndërkaq kandidatë kanë paralajmëruar edhe nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kurse nga partitë shqiptare opozitare, Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasami është duke u shqyrtuar mundësia që të dilet me kandidat të përbashkët për zgjedhje presidenciale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button