Papua Guineja dhe WhatsApp-romani

“Një kafaz i hekurt. Mure të larta, me tela. Dyer elektronike. Kamera survejimi (CCTV) që ndjekin 20 burra me veshje të bollshme. Mëngjes, ora gjashtë, rojet hyjnë dhe na nxjerrin nga shtrati. Brenda pak minutash na çojnë në një kafaz të mbyllur fort. U bënë dy orë. Ç’tmerr qenka të gjendesh në kafaz. Një muaj në Ishullin e Krishtlindjeve.” Zyrtari  i mrrolur na jep rroba që s’korrespondojnë me shtatet tona. S’ka zgjedhje. Duhet të veshim atë që na e japin. Fanella të verdha të poliesterit, që i tjetërsojnë trupat tonë, që na poshtërojnë.” “Në ditët me shi ishulli ka një ngjyrë dhe aromë ndryshe… s’ka mushkonja… Kur bie shi nuk ndjehet temperatura që e pëmbyt trupin e djersitur. Lule që i ngjajnë kamomilës… Marrin frymë rëndë… I dua këto lule… një zell për rezistencë, një vullnet i madh për jetën.“ “Unë, një copë mishi e hedhur në një tokë të panjohur”. “Arritja më e madhe e burgut, parimi i sistemit kiriarkal: manipulimi i ndjenjave të urretjes midis njëri-tjetrit”

Kohëve të fundit me të madhe flitet për kundërtinë dyshe libri-IT (teknologjia informatike), për atë se Revolucioni Digjital e “vret” librin, se janë dy gjëra të pabashkueshme. Por, në fakt, nuk është bash kështu. Këtyre ditëve mësuam për “Rastin Behrouz Boochani”, që e përgënjeshtron këtë tezë, që flet për një vepër-roman që do të gjejë vend të merituar në literaturën botërore të burgut. Një refugjat kurdo-iranian 36-vjeç, gazetar, themelues i revistës Werya, disident, që iu sulmua byroja e revistës nga paramiltantët e regjimit, kundër të cilit u nxor fletërarrest, aksione këto që e çuan të arratisej nga qyteti i lindjes Ilam. Para gjashtë viteve (2013), nga Indonezia, ishte nisur për në Australi me një varkë. Pasiqë nuk i ishte pranuar kërkesa për azil, kishte përfunduar në Ishullin Manus të Papua Guinesë së Re (emërtuar edhe si Guantanamo II), gjeografi kjo e menaxhuar nga Australia. Që atëherë deri më sot, i mbajtur në një qendër mbikëqyrjeje, në ishullin të cilin ai do ta cilësojë si burg.

Produkti i tij tregon se rrugët e suksesit janë të hapura nëse ka vullnet, pasion dhe përpjekje, madje edhe përmes mjeteve joadekuate. Reuters, Sputniknews dhe Euronews kumtuan lajmin për fituesin e Çmimit Letrar Victoria  dhe tjetrin për vepër Jo-Fiksion (Prize for Non-Fiction) për këtë vit (2019): “No Friend But the Mountains: Writing from Manus Prison” (Pa mik pos maleve: Shënime nga burgu i Manusit, botues Pan Macmillan, 2018). Boochani, që librin e vet e kishte shkruar në një celular, nga frika se letrat mund t’ia merrnin gardianët, që më pas përmes Whatsappit tekstin t’ia dërgonte një miku Moones Manoubit, dhe nga ai një përkthyesi, Omid Tofighian, bashkëpunëtor i jashtëm i Universitetit të Sidnejit, që e kishte kaluar rrëfimin  në gjuhën angleze, për të dalë në dritë kështu një vepër mbresëlënse. Autori s’e pati fatin ta pranonte personalisht shpërblimin meqë s’kishte arritur të marrë vizën për të shkelur në dheun australian, vend ky politikat e të cilit ndaj refugjatëve dhe imigrantëve Boochani i kritikon ashpër.

“Këtë libër nuk e kam shkruar për të fituar shpërblim, çmimit s’mund t’i gëzohem. Shpresoj që i njëjti të tërheqë vëmendjen e botës lidhur me gjendjen në të cilën jemi, të sjellë ndryshime, t’i japë fund kësaj politike barbare”- thotë autori, i revoltuar, i abstraguar nga bota, që ngre zërin kundër procedurave shumëvjeçare lidhur me kërkesat e migrantëve, që shpesh refuzohen, duke shkaktuar kthim prapa dhe shumë pasoja kardinale si vetërvrasjet (tri brenda një viti e gjysëm). Autori rebelohet  kundër këtij “sistemi të vdekjes dhe torturave”, kundër këtij establishmenti ku shprehur me fjalët e Primo Levit, “ska pse” (there is no why).

Romani autobiografik në fjalë e analizon burgun si regjim i dehumanizimit, të hapësirës së “copëve të mishit në një furnelë me shtypje”, të torturës dhe deprivimit me qëllim që t’i shtyjë të burgosurit në ankth. Ky libër, nga analistët është cilësuar si një akt i rezistencës së atyre që iu mungon e ardhmja, një dhuratë për humanitetin, një zë i të burgosurve që përjetojnë horror, një përshkrim tragjik që të bën të vuash (goodreads.com), të mos ndjehesh pjesë e rendit të qytetëruar.

Shkrimtari, shkollari, avokati kulturor dhe filmbërësi Boochani, i krahasuar me Gramscin me Shënime nga burgu, me Oscar Wilde me De Profundis, me ligjëratën e Solzhenicinit, përmes një performance të shkëlqyer filozofike jep një mesazh të fortë kundër johumanitetit të njeriut (man’s inhumanity) [AFR Magazine], kundër vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm të Manusit, kundër rendit ndërkombëtar të mangët nga vlerat etike, që aplikon politika të pamëshirshme (ruthless politics). [A. Zable], [The Saturday Paper] Termi kryesor i kësaj vepre letrate është me konotacion sociologjik: kyriarchy, sistem social ose tërësi e sistemeve të lidhura shoqërore të ndërtuara rreth dominimit, shtypjes dhe nënshtrimit. Përkthyesi pyet: çka është më rrëqethëse, qendrat e arrestit të imigrantëve të konstruktuara si anomali të demokracisë liberale ose tortura sistematike shtetërore e imagjinuar si diçka e ndryshme nga fashizmi? Pa mik pos maleve është shkrim dekolonial, letërsi transnacionale, narracion burgu, letërsi filozofike klandestine. Është denoncim i regjimit të qeverisë së Melburnit, siç shprehet Boochani, të politikës barbare. Është cilësuar nga kritika si vepra më e rëndësishme në Australi në 20 vitet e fundit, libër i domosdoshëm për lexim për çdo australian. Të fitosh një çmim dhe të mos gëzohesh. Të shkruash për The Guardian, Huffington Post, Financial Times dhe ende të jesh në burg. Kjo është një ndjenjë paradoksale. Por edhe ngushëlluese, nga kafazi, celulari, Whatsappi te çmimi i parë dhe fama botërore.

Për ata që duan të mësojnë më tepër për ditët e terrorit, ditët e errësirës, për ditarin e një refugjati sugjerojmë deokumentarin e publikuar në vitin 2017, të përgatitur nga Bouchani dhe A. K. Sarvestani, “Chauka, Please Tell Us the Time” (Çauka, të lutemi na e trego kohën).  Ta përmbyllim këtë kolumnë me fjalët e Richard Flanaganit nga ballina e No Friend But the Mountains, “qeveria jonë e ka burgosur trupin e tij, por shpirti i tij ka mbetur i një njeriu të lirë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button