Nuk ka marrëveshje, por vetëm “dëshirë” që Sela dhe Kasami të propozojnë kandidat të përbashkët presidencial

Aleanca për Shqiptarët me kryetar Ziadin Selën dhe Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin, po e shqyrtojnë mundësinë që në zgjedhjet presidenciale të dalin me kandidat të përbashkët njofton Portalb.mk.

Të dy partitë, thonë se ekziston dëshira që si opozitë shqiptare të kenë bashkëpunim dhe të dalin me një kandidat të pranueshëm për të dyja palët, por ende nuk ka marrëveshje për këtë pasi që duhet të vendosin organet e larta partiake.

“Kjo çështje nuk është biseduar me Lëvizjen BESA. Është fakt se ka një dëshirë të përbashkët që të shkohet, por nuk ka marrëveshje. Është një gjë shumë normale në aspektin opozitar që të pritet, dëshira e përbashkët ekziston. Sot do të mbajë mbledhje Kryesia Qendrore dhe do të vendos në lidhje me këtë çështje. Vendimi final do të dalë nga kjo mbledhje”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

Edhe deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, i mohon zërat për ekzistimin e një marrëveshjes për të shkuar në zgjedhje presidenciale me kandidat të përbashkët, por thotë se bisedimet vazhdojnë dhe dëshira ekziston.

“Bisedohet që të shkohet në zgjedhje presidenciale me një kandidat të përbashkët. Ka intenca për të shkuar me një kandidat, ka qëllim dhe dëshirë, por s’ka marrëveshje. Sot do të mbajmë konsultim me rrethin e ngushtë të udhëheqësisë së partisë, ndërkaq nesër dhe pasnesër do të thërrasim mbledhje të kryesisë qendrore dhe do të vendosim për këto çështje”, thotë për Portalb.mk, Zendeli.

Ndryshe, ende nuk është përcaktuar se si do të kandidojnë partitë në zgjedhjet presidenciale. BDI ka vendosur që të propozojë kandidat të saj në zgjedhjet presidenciale, duke lënë hapësirë për bashkëpunim me partitë shqiptare dhe partinë në pushtet LSDM. Kanë qarkulluar emra të shumtë nëpër media për kandidatë të mundshëm, por ende nuk është zyrtarizuar ende asnjëri. Zgjedhjet presidenciale do të shpallen më 8 shkurt. Për zgjedhje të suksesshme presidenciale nevojitet të votojnë së paku 40% e votuesve, ose në zgjedhjet e ardhshme presidenciale duhet të votojnë rreth 720,000 votues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button