Çfarë presidenti i duhet Maqedonisë Veriore? Konsensual apo i përbashkët?

Zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë Veriore janë caktuar që të mbahen me 21 prill të vitit 2019. Gara dhe spekulimet për kandidatët e mundshëm për president të Republikës tashmë kanë filluar që të marrin hov. VMRO-DPMNE si duket është duke zgjedhur një kandidat të mundshëm për president i cili nuk do të jetë i njollosur politikisht nga aferat e ish strukturave partiake me në krye azilantin Nikolla Gruevski. Tashmë në konkursin e tyre të hapur për kandidat për president është paraqitur deputeti i kësaj partie Vlatko Gjorçev. Kandidatura e Gjorçevit për president edhe pse nuk është përfundimtare mund që të duket sikur kandidatura e Elvis Bajram, djalit të Amdi Bajram për kryetar të komunës së Shuto Orizarës. Premtimi kryesor i Elvis Bajram për elektoratin e tij ishte që do të përfundoje shkollën e mesme me kohë nëse e fiton mandatin e kryetarit të komunës. Gjorçev u bë pjesë e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë Veriore ende pa e përfunduar fakultetin. Dhe për momentin nuk kemi asnjë informacion për shkollimin e tij.

Në radhët e LSDM-së po spekulohet për katër emra kryesor të cilët mund që të janë kandidat të mundshëm për president në zgjedhjet e ardhshme presidenciale: nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski dhe ministrja e mbrojtjes, Radmila Shekerinska. Si emër i mundshëm për president jashtë rrethit të LSDM-së, po përmendet edhe ai i profesorit universitar Denko Maleski.

Kandidatura e mundshme e nënkryetarit të LSDM-së, Muhamed Zekiri varet nga kundër kandidati i mundshëm nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Nëse VMRO-DPMNE-ja e përkrah variantin e Vlatko Gjorçevit, jam i bindur se gjasat që Muhamed Zekiri të jetë kandidat i LSDM-së për zgjedhjet presidenciale janë maksimale. Kjo gjë do të ishte kështu për arsyen se Vlatko Gjorçevi nuk i plotëson parametrat për të bindur opinionin për të qenë president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë Veriore. Ndërsa me Muhamed Zekirin në lojë, LSDM-ja do të mund që të rriste trupin votues shqiptar, të përmirësonte imazhin para ndërkombëtarëve në një proces të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në NATO si dhe fitoren do ta kishte të sigurt.

Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë Veriore, Nikolla Dimitrov edhe pse është pjesë e një procesi të rëndësishëm të integrimit të Maqedonisë në NATO ai nuk e ka përkrahjen e nevojshme nga strukturat e brendshme të LSDM-së. Kuluaret partiake të LSDM-së, Dimitrovin ende sot e kësaj dite e quajnë si njeri të Nikolla Gruevskit! Ai pati përkrahjen kryesore të tij si dhe gjithmonë ka qenë i përkëdheluri kryesor i VMRO-DPMNE-së. Dimitrov ka pasur qëndrime anti shqiptare ose nacionaliste në momentin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Arsyetimi e tij i vetëm në atë kohë ka qenë se ajo Marrëveshje nuk ka brenda koncept qytetar dhe se nëse shqiptarët përfaqësohen drejt në polici, atëherë Maqedonia do të shpërbëhej. Përkundrazi, Maqedonia vetëm se u forcua me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Vendosja në lojë e Nikolla Dimitrovit për president do të ishte fatale e ngjashme si në kohën e vendosjes në lojë të Stevo Pendarovskit i cili në tribunat e tij promovonte idenë e mos regjistrimit të popullsisë se shqiptarët, sipas tij, do të dilnin 16.7 % ose edhe më pak.

Radmila Shekerinska është pjesë e procesit të modernizimit të ushtrisë së Maqedonisë Veriore. Para disa ditësh ajo promovoi edhe blerjen e 7.300 palë çizmeve për ushtrinë e cila shumë shpejt do të bëhet anëtare e NATO-s. Në opinion u përdorën meme dhe ironi me fotografitë nga promovimi i çizmeve nga ana e Radmila Shekerinskës. U tha se Maqedonia u furnizua me armatimin më të sofistikuar bashkëkohor-çizme.

Përkundër spekulimit të futjes në lojë në garën për president, vlerësoj se kryeministrit Zoran Zaev, Radmila Shekerinska do t`i duhet në procesin e modernizimit të ushtrisë së Republikës së Maqedonisë Veriore. Oliver Spasovski dhe Denko Maleski janë emrat që i afrohen më shumë realitetit dhe gjasave për të qenë në rrethin e ngushtë për kandidat për president nga radhët e LSDM-së. Profesori universitar Denko Maleski nuk ka qasje anti-shqiptare e as anti-perëndimore, ndërsa Oliver Spasovski duket si kandidat që mund t`i kryej shumë punë në terren, për shkak të pozitës së tij në ministrinë e punëve të brendshme. Sidoqoftë ajo që i intereson lexuesve është pozicioni i partive politike shqiptare në garën për zgjedhjet presidenciale.

BDI-ja në çdo cikël zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale i ka shërbyer me përkushtim interesave maqedonase. Një periudhë dolën me kampanjën “President, tung e ki”, duke e shtuar trupin votues me qëllim që të kalohet pragu dhe të njihen zgjedhjet presidenciale. Në çdo cikël zgjedhor nga kjo parti kanë nxjerr në opinion idenë e presidentit konsensual, por gjithmonë ai president konsensual ka qenë maqedonas sipas versionit të tyre. PDSH-ja ka nxjerr kandidat me të vetmin qëllim që t`i nxjerr votuesit shqiptar në zgjedhje dhe t`i mundësoje partive politike maqedonase që të realizojnë synimet e tyre në zgjedhjen e presidentit.

Aleanca për shqiptarët e vetmuar në opozitë, e etur skajshmërisht për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkërisht me grupin e Bilall Kasamit po thuan se duan që të nxjerrin një kandidat të përbashkët opozitar për president.

Kundër idesë së presidentit konsensual ka dal Lëvizja Besa e Afrim Gashit e cila po kërkon kandidat të përbashkët midis të gjitha forcave politike shqiptare. Nëse tashmë nuk janë marr vesh paraprakisht, ideja e Afrim Gashit për kandidat të përbashkët dhe i pranueshëm për të gjithë shqiptarët i jep shtysë vlerave kombëtare të cilat do të orientonin të ardhmen e politikave nacionale në Maqedoni.

Presidenti është pozitë e rëndësishme në Republikën e Maqedonisë Veriore. Gjorgje Ivanov e ka dëshmuar shpesh herë këtë gjë në raport me shqiptarët e këtij vendi. Shqiptarët duhet që t`i kushtojnë rëndësinë e duhur me qëllim që të mos i vuajnë pasojat siç ka ndodhur në të kaluarën.

Shkruan: Hamdi Nuiju

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button