fbpx

ASH: Një pushtet i varur nga krerë partiakë, ministra dhe deputetë të hetuar nuk mund ta luftojë korrupsionin

Organizata prestigjioze Transparency International ka publikuar dje raportin vjetor për gjendjen e korrupsionit në botë, i cili konfirmon se korrupsioni vazhdon të mbetet problem serioz në Maqedoninë e udhëhequr nga pushteti LSDM-BDI, me tendencë për theksim të mëtutjeshëm të këtij problemi. Në klasifikimin e sivjetmë, Maqedonia radhitet e 93-ta në botë, në nivel të njëjtë me vende si Gujana dhe Mongolia. Raporti tregon për një nivel të korrupsionit të pandryshuar krahasuar me vitin 2016, që njihet si periudha më e errët e regjimit VMRO-BDI. Madje, sipas Transparency International, Maqedonia është vend që duhet vëzhguar nga afër sepse ekziston rrezik për rritje të mëtutjeshme të shkallës së korrupsionit.

Në përputhje me shqetësimet e shprehura në mënyrë konsistente nga Aleanca për Shqiptarët, raporti thekson se problemi kryesor në shtetet si Maqedonia mbetet fenomeni i kapjes së shtetit nga grupe të caktuara të cilat e sabotojnë sistemin e drejtësisë përmes metodave korruptive. Transparency International vlerëson se në rrethana të tilla, lufta kundër korrupsionit mbetet retorikë boshe, duke kontribuar kështu në rritjen e shkallës së korrupsionit. Ky raport vjen në vazhdën e raporteve ndërkombëtare, siç ishte Raporti i progresit i Komisionit Evropian 2018, të cilat njëri pas tjetrit po konfirmojnë se kjo qeveri nuk ka arritur asnjë rezultat në luftën kundër korrupsionit. Zatën, një pushtet i varur nga krerë partiakë, ministra dhe deputetë të hetuar për raste korruptive të cilët janë burimi kryesor i korrupsionit nuk mund ta luftojë korrupsionin. Gjarpri nuk e kafshon bishtin e vet. Tanimë të gjithë e kanë të qartë se pushteti SDSM-BDI është kapësi i shtetit, i cili po e saboton drejtësinë për të shpëtuar figura të caktuara nga burgu. Ndryshe nuk kuptohet amnistimi i zyrtarëve të akuzuar për sulmin terrorist të 27 prillit apo edhe ndryshimi i Kodit penal për t’i pushuar lëndët korruptive të ngritura nga Prokuroria Speciale.

Sikur të mos mjaftonte kjo, thonë nga Aleanca për Shqiptarët, në ditën kur u publikua raporti i Transparency International ishim dëshmitarë të kapjes së Komisionit parlamentar anti-korrupsion ku deputetët e pushtetit, përfshirë shqiptarët Artan Grubi dhe Muhamed Zeqiri votuan kundër deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi. Në vend të tij, anëtare të komisionit e bënë Vlladanka Avoroviçin, deputete e përjashtuar nga VMRO-DPMNE dhe nënë e një të dënuari për korrupsion nga Prokuroria Speciale Publike në rastin “Trust”. Për të dalë nga kjo gjendje, Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje Kryeministrit Zaev që të reflektojë mbi dështimin e qeverisë së tij e cila tanimë e ka humbur besimin e qytetarëve pikërisht për shkak të dhunimit të shtetit ligjor dhe amnistimit të të korruptuarve.

Vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat do të prodhonin një qeveri të re, e cila do ta kishte integritetit moral dhe vullnetin politik për t’u përballur me të korruptuarit si parakusht për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit në NATO dhe në BE.

LEXO: Maqedonia në vendin e 93-të në Indeksin për Korrupsion bashkë me Mongolinë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button