fbpx

Analizë: “Baballarët e kombit”: Çfarë lloj presidenti meriton Maqedonia?

Maqedonia është në prag të zgjedhjeve të gjashta me radhë presidenciale që nga pavarësia e deri më sot. Publiku është duke i pritur kandidaturat për kryetar të shtetit. Nga radhët e LSDM-së në pushtet spekulohet me disa emra – ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov nuk e përjashtoi mundësinë për t’u kandiduar, ndërsa në qarqet politike përmenden edhe Radmilla Sheqerinska dhe Stevo Pendarovski. Nga opozita, Vllatko Gjorçev paralajmëroi se nga partia më do të kërkojë mbështetje për nominim në garën presidenciale. Me një shpërndarje të këtillë të forcave, sipas ekspertëve, votuesit përsëri do të përballen me zgjedhje të personave të deleguar nga partitë. “Portalb”-i tashmë analizoi se të gjithë presidentët e mëparshëm u kontestuan – qoftë për shkak të përkatësisë etnike apo asaj etnike.

Kryetari i shtetit ta harrojë “fanellën” partiake…

Me kandidatët, të cilët me kredibilitetin dhe autoritetin e tyre do ta fitojnë mbështetjen e qytetarëve, e jo të udhëheqësive partiake, Maqedonia do të arrijë ta heqë etiketën e zgjedhjeve presidenciale me ngjyra partiake, komentojnë ekspertët për “Portalb”-in në prag të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në muajin prill.

“Vetëm kur do të kemi kandidatë që nuk do të jenë robër dhe pengje të udhëheqjes partiake. Vetëm kur anëtarët e partisë dhe qytetarët do t’i hapin sytë gjerë dhe do ta kapërcejnë egoizmin partiak dhe direktivën e partisë, dhe me vullnetin dhe bindjen e tyre do të votojnë për atë kandidat, për të cilin mendojnë se më së miri do ta kryejë funksionin, do ta përfaqësojë shtetin dhe të jetë baba i kombit në kuptimin e vërtetë të fjalës, atëherë do të fitojmë një president i cili do ta marrë legjitimitetin dhe legalitetin nga populli. Kur në raundin e dytë të zgjedhjeve do të pushojë represioni partiak, dhuna dhe terrori mbi qytetarët që me çdo kusht të votojnë për kandidatin e tyre, kur nuk do të ketë mbushje të kutive siç kishte në referendumin konsultativ. Dhe në fund, ajo që është më e rëndësishme për t’u forcuar legjitimiteti dhe legaliteti i tij pas zgjedhjes së tij, ai duhet të depolitizohet plotësisht dhe të mos i dëgjojë dhe t’u nënshtrohet urdhrave që vijnë nga partitë që e kanë propozuar dhe mbështetur, por të veprojë ekskluzivisht sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit” – thotë profesori, Jove Kekenovski.

Është e vërtetë se të gjithë presidentët e deritanishëm kanë qenë të kontestuar për shkak të përkatësisë së e tyre partiake ose etnike. Kushdo që dëshiron të qëndrojë në krye të shtetit, menjëherë pas dhënies së deklaratës solemne të marrjes së detyrës, duhet ta harrojë ngjyrën e partisë, thotë profesori, Temellko Risteski.

“Ai nuk duhet ta favorizojë një parti të caktuar politike apo grup qytetarësh sipas bindjeve të tyre politike, sepse qytetarët janë të barabartë në liritë dhe të drejtat e tyre pavarësisht nga bindjet e tyre politike, nacionaliteti, statusi shoqëror e kështu me radhë. Ai duhet t‘i ushtrojë të drejtat dhe detyrat e tij në bazë dhe në kuadër të Kushtetutës dhe të ligjeve (neni. 79, paragrafi 3). Çdo lloj favorizimi i qytetarëve në bazë të përkatësisë politike, etnike ose ndonjë përkatësie tjetër paraqet shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve. Si baba i kombit, ai duhet të balancojë në marrëdhëniet midis partive politike” – thotë profesor Risteski për “Portalb”-in, dhe shton:

“Sipas paragrafit të dytë të të njëjtit nen, Kryetari i Republikës është komandanti suprem i forcave të armatosura të republikës. Në përbërjen e forcave të armatosura ka qytetarë me bindje të ndryshme politike, me prejardhje të ndryshme etnike e kështu me radhë. Nëse kryetari i Republikës gjatë komandimit me forcat e armatosura vepron në përputhje me pikëpamjet e partisë politike apo grupit që e ka mbështetur gjatë zgjedhjeve, do ta sjellë veten në gjendje të refuzimit për t’iu bindur. Kuptohet, se në rast të tillë, komanda supreme do të jetë  joefikase.”

A ka nevojë të forcohet pozita kushtetuese e kryetarit të shtetit?

Për zgjedhje të suksesshme presidenciale nevojitet të votojnë së paku 40% e votuesve, ose në zgjedhjet e ardhshme presidenciale duhet të votojnë rreth 720,000 votues. Sipas analistëve politikë, rrethi i parë i zgjedhjeve nuk pritet të jetë problematik nga aspekti i arritjes së daljes së 40% të votuesve, por dilemat janë për rrethin e dytë, kur në kushte të një ambienti të polarizuar  politik, mund të ndodhë abstenim i “heshtur” i votuesve të zhgënjyer edhe nga pushteti edhe nga opozita. Mu për shkak të kësaj, në publik tashmë spekulohet edhe rreth mundësisë për ndryshimin e modelit të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, gjegjësisht modelit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

“Një angazhim i tillë na kthen në fillim kur Kryetari i Republikës së Maqedonisë zgjidhej në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Unë nuk pajtohem me mënyrën e këtillë të zgjedhjes së njeriut të parë të shtetit, sepse në atë rast ai definitivisht do të jetë vetëm një person ceremonial pa asnjë ndikim, kurse i gjithë pushteti do të jetë në duart e kryeministrit. Përkundrazi, angazhohem që të forcohet pozita kushtetuese e kryetarit të shtetit, në mënyrë që ai të jetë korrektor i vërtetë dhe ekuilibër ndaj autorizimeve të qeverisë dhe pushtetit legjislativ të parlamentit, gjegjësisht për transformimin e sistemit parlamentar-presidencial në sistem politik gjysmë-presidencial (i përzier)” – thotë profesor Kekenovski.

Nga ana tjetër, disa analistë konsiderojnë se modeli aktual zgjedhor i zgjedhjeve presidenciale kërkon një përqindje të lartë të daljes së votuesve në zgjedhje, trup të madh votues që vendos për një funksion që nuk ka kompetenca të mëdha. Përveç faktit që kryetari i shtetit njëkohësisht është edhe komandant suprem i forcave të armatosura të Maqedonisë, ai sipas kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, ndër të tjera e përcakton mandatarin për formimin e Qeverisë, i emëron dhe i shkarkon me dekret ambasadorët dhe deputetët e Republikës së Maqedonisë jashtë vendit; i pranon letrat kredenciale dhe letrat e shkarkimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë, propozon dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor Republikan, emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit, fal në pajtim me ligjin, nënshkruan dekrete për shpalljen e ligjeve. Në kryerjen e të gjitha këtyre funksioneve, presidenti duhet të veprojë nga pozita e “babait të kombit”, duke i mbrojtur interesat e shtetit e jo ato të qendrave partiake, thotë profesori Risteski.

“Kryetari i Republikës, sipas Kushtetutës, duhet të jetë babai i kombit, e jo i partisë. Përndryshe, ai e shkel Kushtetutën. Sipas nenit 79, paragrafi 1 i Kushtetutës, kryetari i shtetit e përfaqëson Republikën në vend dhe jashtë saj. Republika, si shtet, është një organizim i qytetarëve të cilët janë bashkuar dhe janë organizuar në mes tyre për të jetuar në gjendje rendi, lirie, sigurie etj. Prandaj, kryetari i shtetit, duke e përfaqësuar Republikën, në mënyrë indirekte i përfaqëson qytetarët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, përkatësia etnike, statusi shoqëror e kështu me radhë. Ai është kryetar i të gjithë qytetarëve. Është fakt se kryetar i Republikës zakonisht zgjidhet personi të cilin e ka propozuar dhe e ka mbështetur një parti apo koalicion i caktuar”

Kryetari i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, për një periudhë pesëvjeçare. “Portalb”-i tashmë e profilizoi punën e kryetarëve të deritanishëm, të cilët, pa përjashtim, u kontestuan ose për shkak të përkatësisë së tyre partiake ose etnike. Deri tani, Maqedonia nuk ka pasur presidente – grua.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close