Manifesti për Evropën

Evropa është në krizë. Nuk dua t’i besoj Emil Sjoranit: “Perëndimi? Një gjasë pa të nesërme“.  Evropës i mungojnë zgjidhjet kundrejt sfidave me të cilat përballet. E sa herë është përgjumur gjeniu i saj, ajo është rrezikuar.

Evropa sfidohet nga populistët, ekstremistët, ksenofobët. Zëri i tyre fuqizohet në organet e vendimmarrjes politike. Kjo i trishton ata që Evropën e shohin si shpëtim, si projekt solidariteti, mirëbesimi, diversiteti kombëtar, kulturor, gjuhësor, si hapësirë ku krijohen vlera mbinacionale, vlera të përbashkëta evropiane. Njëkohësisht, kjo i ekzalton ata që Evropën e duan vetëm si emër kontinenti.

Hannah Arendt ka thënë se pas Luftës së Dytë Botërore, e keqja do të jetë çështja kryesore e jetës intelektuale në Evropë. Me këtë çështje tani merren edhe personalitetet e kulturës, që, nëpërmjet një manifesti, kanë bërë thirrje për shpëtimin e Evropës. Në mesin e nënshkruesve janë: Milan Kundera, Bernard – Henri Levy, Orhan Pamuk, Adam Mihnik, Adam Zagajevski, Mario Vargas Llosa, Ismail Kadare etj.

Ne që i njohim personalitetet e sipërpërmendur, ne që i kemi lexuar librat e tyre, ne që e dimë fuqinë e gjenisë së tyre, ne që e dimë vizionin e tyre për Evropën, duhet të shqetësohemi kur e lexojmë këtë manifest. Duhet të shqetësohemi edhe si shqiptarë, sepse sa herë e kemi humbur Evropën jemi bërë pjesë kasaphanash.

Ky manifest është ftesë për botën intelektuale evropiane që të dalë pak nga kulla e fildishtë dhe të ndikojë më shumë në politikën lokale, rajonale dhe evropiane.

Zëri i elitës mendore nuk guxon të jetë i mefshtë. Kjo elitë duhet të jetë vepruese. Mefshtësia e saj i ka kushtuar Evropës, ku kanë ndodhur luftëra të tmerrshme, ndër më të tmerrshmet në historinë e botës.

Bota intelektuale edhe herë të tjera në historinë e Evropës ka reaguar me vonesë. Zërat e vetmuar në shkretëtirë, që e parashikuan rrënimin moral, nuk e kanë pasur efektin e një zëri të konsoliduar elitar. Evropa sot ka nevojë për një zë të artikuluar dhe të konsoliduar intelektual dhe jo vetëm për zërat e vetmuar në shkretëtirë.

Elita mendore duhet të marrë rol aktiv dhe koherent në proceset politike, sepse zëri i saj arrin më vështirë në veshin e shoqërisë. Shumë më i shpejtë është zëri i populistëve, ksenofobëve, rrënuesve. E përsërisim: sa herë që zëri i gjeniut evropian ka qenë i mekur, Evropa është mbuluar me varre, gjak, rrënoja dhe lot.

Thuhet se Evropa është si elefanti. Ajo duhet të shikohet vetëm si tërësi dhe jo me sytë e atyre që e shikojnë vetëm nga afër, duke e parë vetëm një pjesë të saj, të atyre, pra, që u pengon kjo kështjellë e bukur e arsyes, paqes, solidaritetit, mirëbesimit, diversitetit, respektit ndaj tjetrit, të ndryshmit nga ne. Projekti evropian dëmtohet si nga provincializmi i “të mëdhenjve”, si nga ai “i të vegjëlve”. Të dy llojet e provincializmit e shohin botën e tyre si më të mirën e mundshme dhe i nënshtrohen “totalitarizmit të mbylljes”.

Populistët dhe ksenofobët na orientojnë drejt një “bote të mbyllur”, por Evropa nuk e duron mbylljen. Evropa është projekt që kërkon investim të përhershëm, vigjilencë, përkushtim, bashkëpunim, dialog, hapje, ide të reja dhe jo plogështi e përgjumje.

Personalitetet që e kanë firmosur këtë manifest kanë bërë shumëçka për ruajtjen e shpirtin evropian.

Bernard – Henri Lévy e sheh Evropën si hapësirë për koalicione kulturore, ku secila kulturë do ta ruajë origjinalitetin e vet. Për Milan Kunderën laramania kulturore është vlera më e madhe evropiane. Mario Vargas Llosa është kundër projekteve nacionaliste, sepse, sipas tij, u duhet vetëm njeriu që udhëhiqet nga pasioni dhe jo nga idetë.  Adam Zagajevski, ky kundërshtar i nacionalizmit, neonacizmit dhe racizmit, përherë ka sinjalizuar se rrojmë në kohë të trishtë, ngase, në vende të ndryshme, rikthehen nacionalizmi ose fashizmi. Mposhtja e së keqes, sipas tij, mund të bëhet vetëm nëse nuk i harrojmë katastrofat e ndodhura gjatë regjimeve naziste, fashiste e komuniste.  Evropa për Adam Mihnikun është rajon dhe jo komb, është projekt, që bazohet mbi vlerat themelore të lirisë dhe demokracisë.

Mendime të ngjashme hasim edhe te nënshkruesit tjerë.

Nëse manifesti i personaliteteve evropiane nuk do të merret në konsideratë nga elitat politike, do të ndodh gjithnjë e më shumë forcimi i elitave ksenofobe, që kanë projekte të rrezikshme. Mund të na shërbejnë si shembull luftërat në hapësirat e Jugosllavisë së dikurshme, kur “elitat dominuese” nacionaliste e ksenofobe, që bënin thirrje për homogjenizim kombëtar dhe mbyllje, e ngulfatën “elitën e padëshiruar” liberale, që bënte thirrje për paqe, dialog, bashkëpunim e hapje.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka bërë të qartë se sfidat e sotme, me të cilat përballet Evropa, nuk mund të zgjidhen vetëm nga një shtet, por bashkërisht. “Nëse mungon kompromisi do të mungojë edhe paqja”, ka paralajmëruar ajo.

Ruajtja e shpirtit dhe idealit evropian kërkon investim të përhershëm, të çdoditshëm, të përbashkët, kërkon ide të reja, që sot, sipas shumë autorëve eminentë, i mungojnë Evropës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button