fbpx

Skandal në Maqedoni: 12 mijë pensionistëve me vite s’u janë transferuar kontributet në shtyllën e dytë

Analiza e hollësishme e sistemit pensional, të cilën e ka bërë Ministria për Punë dhe Politikë Sociale me Institucione financiare ndërkombëtare, për herë të parë pas 12 vitesh, ka zbuluar parregullsi në shpërndarjen e kontributeve të pensionistëve të ardhshëm, tha sot në konferencë për shtyp ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska, njofton Portalb.mk.

Ajo theksoi se, në këtë mënyrë, 12.000 personave të siguruar u është bërë padrejtësi skandaloze kundrejt mundësisë që në të ardhmen të realizojnë pension më të lartë.

“Me ndryshimet e fundit ligjore e korrigjuam këtë padrejtësi, për çka kemi siguruar 19 milionë euro nga buxheti i RM-së, mjete me të cilat do t’i zhdëmtojmë shfrytëzuesit. Të gjitha dokumentet, që ishin pjesë e analizës, do t’i dorëzohen Prokurorisë publike themelore për hetime të mëtejshme”, deklaroi Carovska.

Ajo që e zbuluam është se për rreth 12,000 persona të siguruar kontributet e paguara kanë ngelur vetëm në shtyllën e pensionit shtetëror, gjegjësisht për ata nuk janë transferuar mjete në shtyllën (e dytë) private, edhe pse i kishin përmbushur kërkesat ligjore për këtë, shpjegoi ministrja.

“Për shembull, për një person të siguruar me pagë mesatare, për periudhën prej vitit 2007 deri 2018, kanë mbetur të pa transferuara gjithsej rreth 295 mijë denarë kontribute në shtyllën e dytë. Gjegjësisht, janë humbur rreth 95 mijë denarë të ardhura nga investimi në llogarinë individuale, për çka ne do të zhdëmtojmë 400 mijë denarë për çdo përdorues”, tha Carovska.

Ajo theksoi se këto para do t’u paguhen shoqërive private të pensioneve, e ata do t’ua shpërndajnë shfrytëzuesve. Për çdo person të siguruar do të bëhet pagesë monetare për tërë periudhën e kaluar, për të cilën nuk u janë transferuar kontributet.

“Si pasojë e politikave të gabuara të qeverisë së mëparshme dhe ad hoc rritjeve të pensioneve jashtë kuadrit ligjor, për 10 vjet në Fondin për SPIM është krijuar një deficit prej 15 miliardë denarë. Nga 1 janari 2019, hyri në fuqi pakoja e ligjeve me të cilat ndryshohet struktura e sistemit të pensioneve me dy shtylla dhe kontribuohet në zvogëlimin e këtij deficiti”, theksoi Carovska duke shtuar se Ministria e punës dhe politikës sociale në bashkëpunim me institucionet kompetente dhe fondet private të pensioneve vazhdon me aktivitete dhe zgjidhje të reja ligjore për të stabilizuar fondin pensional.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close