Deputetja franceze, Lilijana Tangi: Dygjuhësia është e mirë nëse çon drejt respektimit të ndërsjellë

Lilijana Tangi është deputete dhe nënkryetare i Komisionit për Çështje Evropiane Parlamentin e Francës dhe nënkryetare e grupit për miqësinë mes Maqedonisë dhe Francës. Mesazhi kryesor që deshi ta dërgojë ka të bëjë me shpresën se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet në parlamentin grek dhe me këtë do t’i jepet fund kontestit 28 vjeçar për emrin, shkruan “Nezavisen Vesnik” (Gazeta e Pavarur). Vallë kjo do të hapë derën e BE-së, përveç se asaj të NATO-s, për Maqedoninë, çka pret nga zgjedhjet evropiane, si e sheh dygjuhësinë që prej një jave më parë u bë realitet në vendin tonë – ishin pyetjet për të cilat ajo i ndau pikëpamjet e saj, njofton Portalb.mk.

Te ne tashmë po përhapet informacioni se Franca dhe Holanda janë shtetet më rigide rreth kësaj çështjeje dhe ka gjasa që sërish ta bllokojnë datën e negociatave për Maqedoninë në qershor.

“Nuk jam e informuar për këtë që po thoni. Mendoj se është e domosdoshme të plotësohen kushte të caktuara. Ne jemi pothuajse në fillim të fushatës për zgjedhjet evropiane dhe mendojmë se çështja e dhënies së datës për negociata duhet të lihet për më vonë. Përse? Sepse atëherë do të kemi kontekst të ri evropian, ndërsa Maqedonisë do t’i mundësohet të arrijë progres të rëndësishëm në fusha të caktuara, e kjo do të na lejojë t’u japim datë për negociata”.

Në qershor apo më vonë?

“Nëse nuk gabohem gjatë Këshillit Evropian, në qershorin e vitit të kaluar, u tha se kjo çështje do të shqyrtohet nga Këshilli në qershor të këtij viti”.

Maqedonia nga java e kaluar është vend me dygjuhësi. Si e shihni ju këtë?

“Nga ajo që unë e di, një përqindje e caktuar e popullsisë këtu është shqiptare dhe është e drejtë legjitime kjo popullatë të mund të përdorë gjuhën e vet amtare, gjegjësisht se është shumë e rëndësishme që të fliten të dy gjuhët, por vetëm nëse kjo i ndihmon kohezionit social dhe respektimit të ndërsjellë”.

A shihni ndonjë përparim në Maqedoni që nga qëndrimi juaj i fundit vitin e kaluar?

“Konstatoj se ka progres pozitiv. Megjithatë, ngjarja më e rëndësishme që ka ndodhur, është miratimi i Marrëveshjes së Prespës, sepse është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë. Më duhet të përgëzoj guximin e udhëheqësve maqedonas dhe grek, të cilët ia dolën të mbyllin çështjen që ishte e hapur 28 vite. Ka përparim të caktuar në disa fusha specifike, në legjislacion… Maqedonia e ka për obligim të implementojë një sërë reformash dhe, sipas pikëpamjeve të mia, ju pret ende punë. Ju pret, për shembull, reforma e sistemit gjyqësor dhe për transparencë më e madhe në qeverisje dhe nëse këto përpjekje vazhdojnë, është e sigurt se rezultatet do të vijnë dhe Maqedonia do të tregojë se mund të transformohet, se mund të përparojë dhe të arrijë standardet evropiane”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button