Shqipëria dhe Kosova kanë përshëndetur miratimin e Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti grek

Shqipëria dhe Kosova kanë përshëndetur miratimin e “Marrëveshjes së Prespës” nga Parlamenti i Greqisë, e cila zgjidh mosmarrëveshjen 28-vjeçare rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Shqipërisë dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama, në llogarinë e tij në twitter ka përshëndetur miratimin e marrëveshjes, në veçanti duke përgëzuar kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras dhe atë të Maqedonisë, Zoran Zaev, siç shkruan ai, për “arritjen e tyre historike dhe fundin e konfliktit të gjatë” midis dy vendeve.

“Ishte e vështirë dhe ajo ende do të prodhojë një politikë të vjetër lokale, por me të vërtetë është një përfundim i mirë miq të dashur”, ka shkruar Rama.

Edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, miratimin e marrëveshjes e ka vlerësuar si “një arritje historike”.

“Miratimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti grek është një lajm i shkëlqyer për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën evropiane dhe euro-atlantike të rajonit tonë. Përgëzime për këtë arritje historike”, ka shkruar Meta.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, nga ana e tij, miratimin e marrëveshjes e vlerësoi si hap të rëndësishëm për të gjithë rajonin.

“I duartrokas liderishipit të kryeministrit, Alexis Tsipras, si dhe të të dyja vendeve, për marrjen e vendimeve të guximshme për të ardhmen më të mirë të Greqisë dhe Maqedonisë. Ky është një hap i rëndësishëm për të gjithë rajonin”, ka theksuar Pacolli në një komunikatë për media.

Sot, Parlamenti i Greqisë me mbështetje të 153 deputetëve nga gjithsej 300 deputetë, miratoi marrëveshjen e arritur me Maqedoninë apo “Marrëveshja e Prespës”, e cila parashikon ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Maqedonia e Veriut”.

Pas ratifikimit të marrëveshjes edhe në Greqi, dy vendet përmbushën detyrimet drejt finalizimit të marrëveshjes, me çka Maqedonisë i hapet rruga për t’u bërë anëtarja e 30-të e NATO-s me emrin “Maqedonia e Veriut”.

Marrëveshjes e Prespës u nënshkrua në muajin qershor të vitit 2018 nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim e Maqedonisë në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar finalizoi Marrëveshjen e Prespës me ndryshimet kushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button