Gjuha shqipe dhe statusi i saj i ri

Me ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, Shqipja u avancua dhe u ngrit në një shkallë më të lartë se dje. Ajo nuk është barazuar akoma me maqedonishten “biblike”, po është një hap më afër për t’u bërë gjuha e dytë zyrtare e vendit. Megjithatë, edhe kështu si është, hyrja në fuqi e ligjit pritet të hapë mundësinë e punësimit të shumë të rinjëve, që kanë studiuar Gjuhën shqipe. Ata do të punojnë si lektorë e si përkthyes dhe do të kryejnë edhe detyra të tjera që lidhen drejtpërsëdrejti me zbatimin e ligjit të gjuhëve në praktikë. Nevojat sigurisht do të jenë të mëdha, sepse shtrirja e përdorimit të Gjuhës shqipe në nivel shteti do t’i obligojë institucionet shtetërore dhe komunale që të punësojnë profesionistë dhe njohës të mirë të standardit të Shqipes. Nëse ndodh kështu siç është normale të presim, të paktën në një segment të jetës do të zbutet papunësia ekstreme, që viteve të fundit ka boshatisur vendbanimet shqiptare.

Gjërat që nuk na duhen aktualisht janë betejat bajraktariste, që lidhen me atë se kujt i takojnë meritat për avancimin e përdorimit të Gjuhës shqipe. Këtë mund ta shfrytëzojnë të tjerët duke kërkuar që jetësimin në praktikë të ligjit për gjuhët ta bëjnë administratorët e pasistemuar shqiptarë nëpër vende adekuate të punës. Kjo do ta zhbënte mundësinë e punësimeve të reja të të rinjëve dhe do të demoralizonte akoma më shumë ata që presin me vite të sistemohen aty ku e kanë vendin. Nëse ndodh kjo, ligji për gjuhët do të mbetet vetëm në letër dhe asgjë më shumë.

Se çfarë statusi do të ketë Gjuha shqipe do të varet shumë prej sjelljes së një ligji për mbrojtjen e saj. Ky është mekanizmi i vetëm që do t’na detyrojë ta respektojmë gjuhën standarde, ashtu siç ndodh në pjesën e qytetëruar të botës. Franca, fjala vjen, ka paraparë gjoba të majme për shkelësit e standardit të frëngjishtes, në institucionet ku përdorimi i saj është detyrim ligjor. Atje gjobiten edhe pronarët që kanë shkruar me gabime gjuhësore emrat e ndërmarrjeve të tyre. Në Rusi, ndërkaq, për lëshime gjuhësore dhe përdorim të fjalëve të huaja në vend të fjalëve ruse në një punim magjistrature a doktorature, dënimet janë shumë të larta…

Mbetet të shpresojmë se ligji për gjuhët nuk do të cënohet siç janë cënuar shumë ligje të tjerë para këtij; se zbatimi praktik i ligjit do të bëhet sipas itinerarit që nuk do të zhagitet për vite të tëra gjersa t’i dalë boja… Për të mos ndodhur kjo, në vend të kacagjelimeve të panevojshme brendashqiptare dhe shndërrimit të këtij ligji në marketing parazgjedhor, politikbërësit tanë, duhet ta zhbëjnë me të gjitha mekanizmat demokratike statusin e turpshëm të etnisë njëzetpërqindëshe. Hapi tjetër duhet të jetë përpjekja për zyrtarizimin e mirëfilltë të Gjuhës shqipe, që nënkupton ndryshimin e Kushtetutës dhe moslejimin e relativizimit të saj nëpërmjet barazimit me gjuhët e pakicave të vërteta kombëtare të vendit. Ata duhet t’ia bëjnë me dije gjithkujt se statusi i Gjuhës shqipe nuk guxon të varet prej mëshirës së të tjerëve, sepse ne jemi autoktonë në këto hapësira gjeografike dhe, si të tillë, duhet t’i gëzojmë të gjitha të drejtat në pajtim me konventat ndërkombëtare, që vlejnë në botën e qytetëruar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button