Popovski: Koncepti i shkrim-leximit mediatik është një nga mënyrat për luftë kundër lajmeve të rreme

Ministri i ngarkuar për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë Robert Popovski, në hotelin “Holiday Inn”, mori pjesë në debatin mbi perspektivat e gazetarisë hulumtuese që e organizoi Qendra për komunikime qytetare, BIRN dhe OJQ Info-qendra, transmeton Makfax. 

Debati, në të cilin morën pjesë gazetarë, media dhe përfaqësues të shoqatave dhe OJQ-ve të gazetarëve përfshiu dy panel diskutime, si dhe u prezantuan rezultatet e monitorimit të mediave për sasinë dhe cilësinë e gazetarisë hulumtuese dhe analitike në kuadër të projektit “Gazetaria hulumtuese për nxitje të reformave”, i financuar nga Bashkimi Evropian, për periudhën 2016-2018.

Në prezantim u përmend se përqindja më e lartë e storjeve hulumtuese është regjistruar në tre vitet e fundit. Në këto storje gazetareske kanë dominuar temat e politikës dhe ekonomisë, ndërsa më së shumti ka pasur analiza për institucionet shtetërore.

Ministri Popovski, i cili mori pjesë në pjesën e parë të debatit, që u përqendrua në pyetjen “Vallë rritja e numrit të storjeve hulumtuese në media është një tendencë afatgjatë ose vetëm një ndryshim afatshkurtër”, theksoi se për dallim nga praktika e mëparshme, Qeveria aktuale ka siguruar kushte për publicitet të secilës çështje me rëndësi për qytetarët, që është një nga parakushtet për storje hulumtuese të cilat shënojnë prirje afatgjatë të rritjes.

Duke e vlerësuar debatin si jashtëzakonisht cilësor, për shkak të pjesëmarrjes së profesionistëve nga fusha e mediave, ministri Popovski theksoi se ai mund të kontribuojë shumë në zhvillimin e gazetarisë, duke e përfshirë edhe gazetarinë hulumtuese.

“Besoni se mua personalisht kjo përqindje nuk më kënaq. Po, ndoshta edhe në nivel botëror, 5.6 herë përfaqësim më i madh është i kënaqshëm, por mendoj se Maqedonia ka nevojë për shumë më tepër. Për këtë çështje rol dhe përgjegjësi ka Qeveria dhe institucionet, por edhe profesioni i gazetarisë, punonjësit e mediave dhe të industrisë mediatike”, theksoi Popovski duke vënë në dukje se vetëm bashkëpunimi dhe theksimi i dobësive edhe në njërën anë edhe në anën tjetër mund të rezultojnë me përmirësim të informimit të qytetarëve dhe realizim të interesit të publikut në një shtet demokratik.

Ministri Popovski theksoi se në krye të politikave të Qeverisë aktuale është koncepti i qeverisjes së hapur, që maksimalisht i mbështet të gjitha idetë për konceptin e shkrim-leximit mediatik si një nga mënyrat për të luftuar kundër lajmeve të rreme.
Ai shtoi se qeveria e ka anuluar pagesën për marrje të informacioneve dhe dokumenteve me karakter publik, të cilat tani çdokush mund t‘i merr falas në format elektronik dhe në mbajtës digjital ose përmes e-mailit, me çka lehtësohet puna e gazetarëve me qasje të lirë deri e burime të informacioneve me rëndësi të veçantë për gazetarinë hulumtuese.

Si mbështetje të gazetarisë dhe storjeve hulumtuese ai e përmendi dispozicionin e “Vegla për shpenzimet publike të zyrtarëve qeveritarë”, publikim të 21 dokumenteve nga ministritë, e-portalin dhe përfshirjen e shumicës së sugjerimeve të punonjësve të mediave në tekstin e ri të Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik.

“Shteti i kapur ka lënë pasoja të rënda te disa njerëz në administratë, të cilët kanë frikë të komunikojnë. Dhe ky është ndryshim i vendosmërisë politike. Është përgjegjësi e madhe edhe e jona edhe e juaja, që të na tregoni kudo që ka probleme që të mund të reagojmë shpejt, për shkak se detektimi është shumë i saktë kur vjen nga ana juaj”, theksoi ministri Popovski. Ai shtoi se Qeveria do ta zvogëlojë, sa më shumë që është e mundur, rolin e rregulloreve qeveritare në reformën e medias, duke mbetur edhe më tej plotësisht e përkushtuar për mbështetje të fortë dhe të plotë kur është fjala për vetë-rregullimin dhe ngritjen e standardeve profesionale.
Duke vënë në dukje se çdo qeveri që deklaron se është demokratike dhe progresive gjithmonë do të gjejë mënyra dhe mjete për të ndihmuar dhe për të forcuar kapacitetet e gazetarëve hulumtues, gjithnjë duke pasur kujdes që të mos e kalojë vijën e kuqe e cila e garanton lirinë dhe pavarësinë e tyre, ministri Popovski veçanërisht e theksoi mbështetjen që Qeveria ia jep rrjetëzimit të gazetarëve hulumtues në rrjetet rajonale, evropiane dhe globale, si pjesë e përpjekjeve për hulumtim të rrjeteve kriminale ndërkombëtare për të gjitha llojet e krimit, sidomos për ato ku ka të përfshirë zyrtarët politikë.

Ministri i ngarkuar me komunikime, llogaridhënie dhe transparencë Popovski u bëri thirrje të gjithë punonjësve të mediave për të marrë pjesë në debate që kanë të bëjnë me nevojën për rregullimin e çështjeve të caktuara që ata i konsiderojnë të nevojshme dhe të flasin publikisht gjatë miratimit të ligjeve që e rregullojnë këtë sferë.
Në pjesën e dytë të debatit që ishte e dedikuar për çështjen “Të dhëna të hapura”; A kontribuojnë bazat e të dhënave në përmirësimin e gazetarisë hulumtuese”, së bashku me gazetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, mendimin e vet për mundësinë e përdorimit të të dhënave nga gazetarët, gjatë hulumtimeve të tyre, e dha Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button