Maqedonia dhe Kosova diskutojnë mbledhjen midis dy qeverive

Zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim zv/kryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani, me të cilin diskutuan për një sërë temash, duke përfshirë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe përgatitjen e një mbledhjeje të përbashkët midis qeverive të vendeve të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, Hoxhaj në një konferencë për media bëri të ditur se Osmanin e informoi për dinamikën e dialogut me Serbinë dhe se në maujt shkurt, mars dhe prill pritet një axhend intensive e takimeve në Bruksel. Ai gjithashtu tha se javën e ardhshme takimi duhet të mbahet në Bruksel.

“Ajo që ndodh në marrëdhëniet bilaterale midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë vetëm për këto dy vende, por edhe për rajonin dhe ne do ta informojmë zëvendëskryeministrin edhe në të ardhmen për çdo dinamikë që ky proces do të ketë, sepse arritjet e Kosovës do të jenë të rëndësishme për Maqedoninë dhe për shqiptarët në Maqedoni”, tha Hoxhaj.

Zv/kryeministri kosovar theksoi se ka përgëzuar homologun e tij nga Maqedonia për rolin e madh të faktorit politik shqiptar në Maqedoni në vitin 2018 në lidhje me emrin e vendit. Ai theksoi se janë biseduar edhe për përgatitjen e një takimi të qeverive të të dy vendeve që do të mbahet në vitin 2019.

“Kemi një axhendë shumë të mirë dhe 17 marrëveshje që duhet të nënshkruhen dhe që parashikojnë bashkëpunimin e zyrave të kryeministrive, ministrive të sektorëve të ndryshëm, komunave dhe këto marrëveshje edhe më tej do të rregullojnë bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, arsimit, shëndetësisë, lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe pikat doganore”, tha Hoxhaj.

Zvkryeministri Osmani tha se vizita e tij në Prishtinë përkon me një ditë të rëndësishme në të cilën pritet që Greqia të ratifikojë Marrëveshje e Prespës, me të cilën përmbyllet çështja e emrit dhe Maqedonia mbyll të gjitha çështjet e hapura bilaterale me fqinjët e saj dhe hap rrugën për anëtarësim në NATO dhe BE .

“Unë shpesh kam theksuar se Maqedonia nxit dhe eksporton në një farë mënyre modelet evropiane të mbylljes së kontekstit ballkanik, gjë që shpresojmë të jemi katalizator për mbylljen e temave të tjera në rajon, me çka përfundimisht i gjithë rajoni të hyjë në periudhën e paqes, stabilitetit dhe integrimit në NATO dhe BE”, tha Osmani.

Ai gjithashtu deklaroi se erdhi për të informuar Hoxhajn se Maqedonia është e gatshme të mbajë takimin në maj menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale në vendin e tij. Që të dy zv/kryeministrat janë koordinatorë për organizimin e takimit të përbashkët midis dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe Kosovës.

Osmani theksoi se deri më tani është bërë shumë në përgatitjen e marrëveshjeve të nevojshme dhe se kjo kohë mund të përdoret për përgatitjen e disa çështjeve të tjera, veçanërisht në fushën e ekonomisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button