Maqedoni, ekspertët e BE-së kanë tre kritika kyçe për ngecjen e reformave të shërbimeve të sigurisë

Reformat në shërbimet e sigurisë në Maqedoni janë duke u vonuar, nevojitet rishikim të ligjeve aktuale dhe të reja që kufizojnë vëzhgimin objektiv ndaj punës së Agjencisë Tekniko Operative (ATO), formimi i Këshillit Civil dhe kompletimi me ekspertë i Komisioni parlamentar për realizim të mbikëqyrjes ndaj ATO-s. Këto janë kritikat që u adresuan sot në takimin e punës së ekspertëve të Bashkimit Evropian, Maurio Vareneze dhe Kloe Lauren me përfaqësuesve të anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të realizimit të masës së veçantë hetuese dhe ndjekjen e komunikimeve, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Komisionit Parlamentar, Emil Dimitriev pas takimit deklaroi se konstatim i përbashkët i ekspertëve të BE-së dhe deputetëve ishte se Maqedonia është duke u vonuar në realizimin e reformave në shërbimet e sigurisë.

Problemi me ligjet: mundësojnë mbikqyrje sa për sy e faqe 

Kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të realizimit të masës së veçantë hetuese dhe ndjekjen e komunikimeve, Emil Dimitriev

Sipas tij, problemi qëndron në dy ligjet të cilat tashmë janë në fazën përfundimtare të përpilimit, si dhe në vetë Ligjin për ndjekjen e komunikimeve.

“Miratimi i atyre ligjeve dukshëm do të ndikojnë në uljen e cilësisë të kontrollit të shërbimeve. Është e palogjikshme që ne këtej të ndërtojmë kontroll cilësor, kurse nga ana tjetër të sjellim ligje që ta shkatërrojmë atë kontroll”, tha Dimitriev.

Ligji për ndjekjen e komunikimeve, mundëson mbikqyrje vetëm sa për sy e faqe.

“Ligji për ndjekjen e komunikimeve duhet të rishikohet në pjesën ku theksohet se çfarë vëzhguesit nuk mund të mbikëqyrin. Janë numëruar shumë gjëra se çfarë mbikëqyrja nuk mund të verifikojë të cilat në thelb, nëse miratohen, mbikëqyrja do të jetë vetëm formale”, tha Dimitriev.

Në Këshillin Civil janë zgjedhur vetëm gjysma e anëtarëve

Theksi i ekspertëve është vendosur në vonimin e formimit të Këshillit Civil që duhet të mbikëqyr punën e Agjencisë Tekniko Operative (ATO). Të hënën (21.01.19) në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, u zgjodhën 3 anëtarë dhe kryetarja e Këshillit për Mbikëqyrje Civile: Margarita Caca Nikollovska, ndërsa për anëtarë, Ice Iljevski, Gordan Kallajxhiev dhe Filip Stojanovski.

Për anëtarët e tjerë, do të shpallet përsëri konkurs.

“Konkursi i parë për gjysmën e anëtarëve të Këshillit Civil tashmë ka kaluar në Komisionin parlamentar për Zgjedhje edhe Emërime, për pjesën tjetër pritet të shpallet konkurs në mënyrë shtesë, tha Dimitriev.

Pritet që dy anëtarë të propozohen nga BDI-ja, me qëllim që të plotësohet edhe kushti për përfaqësim të drejtë të etnive, ndërsa një do ta propozojë VMRO-DPMNE-ja. Në konkursin e parë kërkoheshin 7 anëtarë ndërsa u paraqitën vetëm 8, një prej të cilëve nuk përmbushte kushtet. Në këtë mënyrë, anëtarët e Komisionit për zgjedhje dhe emërime nuk patën opsion zgjedhje.

Komisioni parlamentar për mbikëqyrje të realizimit të masës së veçantë hetuese dhe ndjekjen e komunikimeve

Angazhimi i dy ekspertëve të jashtëm në Komisionin Parlamentar

Në takim, siç njoftoi më tej Dimitriev është kërkuar edhe angazhim i ekspertëve që do të jenë pjesë e Komisionit parlamentar për kryerjen e mbikëqyrjes së ATO-s.

Pasi që deputetët nuk kanë njohuri për ta kryer mbikëqyrjen, Komisioni ka nevojë për dy ekspertë. Ata duhet të jenë të fushës së forenzikës digjitale, të të dhënave, të telekomunikimeve dhe të juridikut. Megjithatë tentohet edhe të bëhet listë ekspertësh që do të mund të angazhoheshin edhe hë për hë sipas nevojës.

Për punësimin është parashtruar kërkesë deri te kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi qysh në muajin nëntor, por prej atëherë nuk ka përgjigje.

“Gjatë muajit nëntor edhe në mënyrë të shkruar jam drejtuar deri te kryetari Xhaferi, se patjetër duhet Kuvendi të ndihmojë në pjesën e sigurimit të ekspertëve, sepse Komisioni nuk ka resurse që ta bëj vetë këtë. Deri tash nuk kam përgjigje”, tha Dimitriev.

ATO-ja filloi punë në nëntor të vitit të kaluar, si organ ndërmjetësues i cili do të përçojë sinjalin nga operatori celular deri te organi i cili merr lejen e përgjimit.

Agjencia për Siguri Kombëtare është DSK-ja e re e Maqedonisë

Kohë më parë Qeveria e Maqedonisë, me propozim të Ministrisë për Punët të Brendshme vendosi që DSK-ja të largohet nga MPB-ja dhe të formohet organ i veçantë i reformuar. Tani, DSK-ja do të quhet Agjencia për Siguri Kombëtare, për formimin dhe funksionimin e saj është përpiluar ligj, i cili pritet që së shpejti të jetë në procedurë qeveritare.

Sipas propozim-ligjit, ish DSK-ja, me ligjin e ri Agjencia për Siguri Kombëtare të ketë të drejtë për përgjim, pa ndërmjetësimin e Agjencisë Teknike Operative (ATO) – e cila ka nën kontroll sistemin e përgjimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button