Haradinaj: Vendimi për taksën s’është shkaku i prodhuesve vendorë, por për shkaqe politike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës se sotme nëpër biznese të Komunës së Pejës, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e bizneseve prodhuese, transmeton Koha.net. 

Gjatë fjalës së tij, Haradinaj, tha se në tregun tonë ka mundësi të bëhet edhe më shumë, andaj kërkoi nga të gjithë qytetarët e vendit, por edhe bizneset që t’i kthehen idesë që produkti ynë të zë vendin së pari në Kosovë e pastaj të dalë në tregun e jashtëm, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Me këtë rast, ai vlerësoi se politikat tatimore në Kosovë janë ndër më të mirat që i ka bota, duke theksuar se tashmë janë krijuar lehtësira në tatimin e lëndës së parë, të makinerisë prodhuese, dhe ajo që duhet bërë në Kosovë është mbushja e tregut me mallra të vendit.

Sipas tij Qeveria i ka kushtuar kujdes investimeve nacionale për këtë trevë dhe punimet e autorrugës për Pejë edhe pse janë vonuar, do të fillojnë në maj të këtij viti, e që është ndihmesë për zhvillimin ekonomik të kësaj treve.

Në këtë takim me përfaqësues të bizneseve, kryeministri foli edhe për vendosjen e taksës për produktet serbe, duke thënë se, “ky vendim nuk është marrë për shkak të prodhuesve vendorë, por për shkaqe politike, dhe koha kur do hiqet taksa do jetë atëherë kur Serbia t’i plotësojë kushtet e kërkuara nga vendi ynë”.

Gjatë bashkëbisedimit të Haradinajt me përfaqësuesit e bizneseve të komunës së Pejës, u ngritën shumë tema që kanë të bëjnë me ekonominë, si çështja e punëtorëve të kualifikuar përmes hapjes së shkollave profesionale, subvencionet, çështjet tatimore, infrastruktura ligjore, rritja e kualitetit të prodhimeve “Made in Kosova” dhe tema tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri u tha përfaqësuesve të bizneseve se ia vlen që të planifikojnë që shumë veprimtari ekonomike të cilat do t’i shpërndajnë në vende tjera, t’i koncentrojnë në vendin e tyre, për shkak se këtu do të ndodh zhvillimi dhe Kosova do të bëhet adresë e fuqishme ekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button