BOTË PARULLASH

Parullat godasin fort dhe janë motori i turmës, e cila kërkon ndryshime të shpejta dhe revolucionare në shoqëri.
Nëse do një protestë të suksesshme, atëherë gjej një parullë që godet sentimentet e turmës.
“Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe!”.
Kjo parrullë më nuk dëgjohet, sepse kokat e protestës janë në paqe, pasi kanë arritur do qëllime personale, që duan t’i paketojnë si qëllime të përgjithshme.
Shumica nuk kanë synuar ndryshimin e një sistemi të egër shtetëror, por të disa funksionarëve…
Bota shikohet me syze hipokrite dhe maskat e vjetra zëvendësohen me maska të reja.
Kritikuesit e regjimit të kaluar dhe të pushtetit të sotëm janë zërat që i duhen një shoqërie demokratike.
Këta kritikues, me ndjenjë për jetën e përbashkët, kanë besuar me sinqeritet, mbase edhe me naivitet, për lindjen e një sistemi të ri.
Si gjithmonë janë të paktë, por të domosdoshëm.
Himnizuesit e regjimit të djeshëm dhe të pushtetit të sotëm, janë servilët, që janë e keqja e çdo demokracie.
Kritikuesit e djeshëm dhe himnizuesit e propaganduesit e sotëm janë hipokritët, që i ripërkufizojnë parimet për drejtësinë dhe lirinë sipas nevojave personale apo konjukturale.
Këta nuk e kanë hallin e lirisë dhe demokracisë.
Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe…
Paqja, sipas këtyre, vjen kur keqbërësit pendohen dhe punojnë për kauzën tyre, sipas logjikës: ne i urrejmë keqbërësit, sepse janë në anën e gabuar dhe kur ata kalojnë në anën tonë, atëherë nuk janë më keqbërës.
Servilët dhe keqbërësit e kanë çmimin e lirë dhe janë të dëgjueshëm…
Qeveria e di se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për të ardhmen e qytetarit.
Qeveria na siguron të ardhmen e ndritur, mjafton mos t’ia përmendim të tashmen.
Nëse e tashmja është e zymtë, kjo, sipas saj, vjen vetëm për shkak të kaluarës së errët.
Diskurset dominuese për të kaluarën e errët i mjegullojnë dështimet e sotme.
Qeveria na do kur besojmë dhe jo kur mendojmë.
Qeveria na do kur dëgjojmë dhe jo kur priremi për mosdëgjueshmëri…
Me këtë logjikë funksionojnë qeveritë tona.
Ndryshojnë do ministra e deputetë, por nuk ndryshon sistemi.
Ligjet ende vlejnë vetëm për qytetarët e rendit të dytë dhe jo për “të rëndësishmit”.
Një shoqëri e një shtet gërryhet nga brenda kur amnistohen keqbërësit dhe dënohen të pafajshmit.
Keqpërdorimet bëhet ose në emër të popullit ose në emër të së ardhmes së ndritur.
Ka një tregim që fillon me fjalinë: “Para ligjit jam plotësisht i pastër, prandaj jam i shqetësuar”…
Ka shumë vepra letrare që merren me të drejtën e munguar dhe na japin mesazhin se një shoqëri e degjeneruar e degjeneron ose e djeg edhe njeriun e ndershëm.
Le të përkujtojmë: “Procesin” e Kafkës, romanet e Oruellit ose “Të mjerët” e Viktor Hygosë, ku Zhan Valzhani dergjet me vite në burg, sepse ka vjedhur një bukë.
Ka edhe vepra të tjera që flasin për drejtësinë e munguar, sikurse është “Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij” (1907) nga Ivan Cankari (1876 – 1918), një shkrimtar slloven me bindje socialdemokrate.
Shërbëtori Jernej kërkon të drejtën e tij dhe beson se do t’i kompensohet padrejtësia që i është bërë nga pronari.
Jernej, duke e kërkuar të drejtën e tij, kudo sheh shpërfytyrimin moral. Të gjithë janë të korruptuar: njerëzit, nënpunësit, administrata, gjyqtarët, politikanët, mbreti, kisha.
I maltretuar, madje i dënuar pa bërë faj, Jernej i drejtohet Zotit: “Drejtësinë ua dhé njerëzve, por ata e kanë fshehur; ajo nuk gjendet as te polici, as te gjyqtari, as te cari”.
Për këtë reagim ai akuzohet për blasfemi.
Pasi askund nuk e gjen të drejtën, Jerneji e merr drejtësinë në dorë të tij. Ai e djeg shtëpinë e pronarit, por edhe vetveten.
Aty ku mungon drejtësia, digjet qytetari i ndershëm.
Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe…
Entuziazmi i turmës është kthyer në zhgënjim.
Pasi turma ka pritje të mëdha, shumë shpejt bie në dëshpërim.
Duhet vetëm një parullë e re që të ndizet motori i saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button