fbpx

Ndarje në LSDM rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sepse nuk është i sigurt censusi i zgjedhjeve presidenciale

Deri në fund të javës pritet që Këshilli qendror i LSDM-së të mbajë mbledhje, në të cilën do të diskutohet për propozimin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që bashkë me zgjedhjet presidenciale në pranverë të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Atëherë duhet të fillojnë edhe përgatitjet e procedurës partiake për zgjedhje të kandidatit presidencial.

Në udhëheqësinë  e LSDM-së ka ndasi nëse duhet bashkë të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale edhe ato parlamentare, apo vetëm zgjedhje ato presidenciale.

Një prej argumenteve kryesore për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare me zgjedhjet presidenciale është censusi për zgjedhje të presidentit. Për t’u votuar kryetar i shtetit, në rrethi e dytë duhet të dalin rreth 720 mijë votues.

Nga Koalicioni qeveritar, për SAKAMDAKAZHAM.MK, thonë se censusi është i pasigurt për shkak të pakënaqësisë së lartë të votuesve të papërcaktuar si dhe të një pjesë e anëtarësisë partiake për shkak të lëshimeve të mëdha që partia i ka bërë për të kaluar Marrëveshja e Prespës, veçanërisht me amnistinë e deputetëve të cilët ishin të akuzuar për sulmin e organizuar mbi Kuvendin më 27 prill 2017, si dhe lirimin e drejtorit të mëparshëm të Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, Sasho Mijallkov dhe biznesmenit Orce Kamçev nga paraburgimi, të akuzuar në rastin “Perandoria” si dhe ngecja e reformave ekonomike.

“Mund të vijë deri te abstenimi i madh i votuesve, në zgjedhjet presidenciale, për shkak të dëshpërimit nga kompromiset e dhimbshme për Marrëveshjen e Prespës, ndërsa edhe VMRO-DPMNE nuk tregon nëse do të paraqitet fuqishëm në zgjedhje. Prandaj duhet të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Shpërndarja e forcave në Parlament tregon se, deri në vitin 2020 kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, vështirë do të mund të mbijetojë koalicioni LSDM dhe BDI me tetë deputetët e VMRO-DPMNE–së të cilët e siguruan shumicën prej dy të tretave për Marrëveshjen e Prespës për zgjidhje të kontestit për emrin me Greqinë”, thonë burime të shumicës parlamentare nga Kuvendi për SAKAMDAKAZHAM.MK.

Zyrtarisht nga LSDM-ja për momentin nuk ka qëndrim.

Vetëm ministrja e drejtësisë Renata Deskovska tha që do ta përfaqësojë qëndrimin se me zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale.

“Mendoj se duhet të mbahen së bashku edhe zgjedhjet presidenciale edhe ato parlamentare. Por, kjo është çështje e vendimit politik dhe analizës në suaza të organeve partiake. Unë do të përfaqësoj anën se duhet të shkohet në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare për shkak të politikave të caktuara, të cilat realisht i kemi promovuar në periudhën e kaluar dhe çështje të caktuara të cilat do të duhet t’i zgjidhim, do të ishte mirë të jemi me disa pozicione më të qarta në Parlament”, ka thënë Deskovska në intervistë në emisionin “360 shkallë” në televizionin “Alsat-M”.

Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska dje deklaroi se deri në fund të javës në LSDM, por edhe në suazat e koalicionit, do të bisedojnë për propozimin e VMRO-DPMNE-së.

“Këtë javë pres biseda serioze edhe në suaza të koalicionit edhe në LSDM, rreth çështjes nëse bashkë me zgjedhjet presidenciale do të kemi edhe zgjedhje parlamentare”, ka thënë Shekerinska në pres-konferencën e përbashkët me ministrin e mbrojtjes të Sllovenisë, Karll Erjavec.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, më 12 janar publikisht tregoi se nuk është për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por pasi kjo është kërkesë e liderit të opozitës, LSDM seriozisht do të hapë çështjen dhe do të informojë publikun menjëherë pasi të merret vendimi.

Nga BDI për SAKAMDAKAZHAM.MK thonë se janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse e shohin interesin partiak, për shkak se i kanë plotësuar kërkesat themelore të shqiptarëve, Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe anëtarësimi i sigurt në NATO, por se nuk do të ishte në interes të shtetit sepse do të frenohen proceset për marrjen e paralajmëruar të datës për negociata me BE-në në qershor dhe për dinamikën e ratifikimit të protokolleve për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.

“Me LSDM–në bisedojmë për të gjitha çështjet dhe bashkërisht do të marrim vendim. Tani jemi duke biseduar për të gjetur kandidatit konsensual për president, kurse për zgjedhje parlamentare ka ende kohë për vendim”, thonë burime nga BDI për SAKAMDAKAZHAM.MK.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi paralajmëroi se zgjedhjet presidenciale do t’i shpall më së voni deri më 8 shkurt, por nëse koalicioni qeveritar LSDM-BDI vendos të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, zgjedhjet duhet të shpallen deri më 20 mars, për t’u mbajtur bashkë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në rast të tillë, sipas Marrëveshjes së Përzhinos, shkurtohen afatet edhe për Qeverinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button