fbpx

Sela pas takimit me Lëvizjen Anti-Bixhoz: Distanca e kazinove të përcaktohet nga largësia e shtëpive, jo e institucioneve

Aleanca për Shqiptarët pajtohet me propozimet e Lëvizjes Anti-Bixhoz në lidhje me propozim-ligjin për lojërat e fatit, por ajo kërkon që të harmonizohet edhe qëndrimi në lidhje me atë që distanca e objekteve të lojërave të fatit të matet jo sipas institucioneve, por sipas shtëpive, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sot ka pritur në takim Lëvizjen Anti-Bixhoz për të diskutuar në lidhje me propozim-ligjin për lojërat e fatit. Pas takimit, Sela tha se pajtohet me kërkesat e Lëvizjes Anti-Bixhoz dhe se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Aleanca për Shqiptarët ka pasur premtim elektoral në vitin 2016, për zgjidhjen e kësaj problematike. Jemi duke punuar edhe në propozimin tonë për ligjin që e diskutuam, por natyrisht që ne jemi të gatshëm që propozimet ato i japin për ne janë të pranueshme. Është e rëndësishme që të theksohet se për ne si Aleancë për Shqiptarët kur themi institucion, nuk i referohemi vetëm shkollave, objekteve fetare ose shtetërore, por për ne institucioni më i rëndësishëm është familja. Prandaj, pjesë e zgjidhjes me rregullativë ligjore të kësaj problematike do të jetë distancimi i këtyre lojërave nga shtëpitë e qytetarëve, sepse vetëm në këtë formë mund të arrijmë në një zgjidhje të mirë e cila do ta minimizojë këtë problematikë”, tha Sela.

Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti-Bixhoz tha se fjala duhet të kalojë në vepra dhe deputetët duhet që të angazhohen për të miratuar ligj të mirëfilltë për lojërat e fatit.

“Ramë dakord që me çdo kusht nga fjala të kalojmë në vepra që të miratohet një ligj i cili kazinot, bastoret sportive dhe lojërat e fatit të largohen 3 kilometra nga vendbanimet. Ramë dakord që Lëvizja Anti-Bixhoz nuk është vetë, por pas saj qëndron populli dhe prandaj do të insistojmë që të kërkojmë rezultat prej politikbërjes, do të kërkojmë që me çdokusht të ngrihet zëri. Të mos keqkuptohemi, takimet që i bëjmë me liderët nuk do të thotë se deputetët që janë në Kuvend janë të papëlqyeshëm, por disi ngurrojnë që të votohet një ligj pa u konsultuar me liderët e tyre. Populli pret që të ngrihet zëri, që të tregohet se politika duhet të jetë në shërbim të popullit dhe jo e kundërta, që të mos vijmë në situatë që ne popullit t’i kërkojmë përgjegjësi politikës. Ramë dakord që deputetët do të bëjnë të pamundurën që të miratohet një ligj të mirëfilltë”, tha Abdiu.

Ndryshe, paraprakisht Lëvizja Anti-Bixhoz realizoi takim me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, kryetarët e dy krahëve të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami, ndërkaq nesër paralajmëruan se do të realizojnë takim edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Lëvizja Anti-Bixhoz njoftoi se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u ka premtuar se nëse me ligjin e ri për lojëra të fatit, nuk parashihet që kazinot dhe bastoret të largohen 1 kilometër nga institucionet edukative, arsimore dhe me interes publik, nuk do ta nënshhkruajë ligjin.

Kërkesat e kësaj Lëvizjes Anti-Bixhoz janë:

  1. Të gjitha objektet e lojërave të fatit (kazinot, bastoret sportive si dhe të gjitha lojërat e ngjashme të fatit) të largohen 3km nga vendbanimet.
  2. Ndarja e 5% të buxhetit që vjen nga lojërat e fatit për riparimin e objekteve me interes publik (shkolla, çerdhe, biblioteka, spitale si dhe shoqatave dhe qendrave që organizojnë aktivitete për rehabilitimin e të varurve nga lojërat e fatit.
  3. Të hartohet strategji nacionale për t’i edukuar nxënësit, studentët dhe gjithë qytetarët për dëmet që i shkakton bixhozi. këto kërkesa janë të pa kontestueshme!

Më datë 9 janar, partitë opozitare paralajmëruan amendamente për propozim-ligjin për lojërat e fatit, ndërkaq Ministria e Financave nuk ishte e interesuar që ta informojë opinionin për rrjedhën e ligjit.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close