Intervistë me regjisorin Qëndrim Rijani: Ne jemi aq të mirë, sa shfaqja jonë e radhës

Është vetëm 28-vjeçar, dhe ka arritur të rrëmbejë dyzet çmime, duke përfshirë edhe “Regjisori i vitit” në Maqedoni dhe “Regjia e vitit” në Shqipëri. Çmimet kanë ardhur falë realizimit të suksesshëm dhe profesional të katërmbëdhjetë shfaqjeve teatrore, numri më i madh i tyre i realizuar në Shqipëri, pastaj në Maqedoni dhe Kosovë.

Ka lindur në Kërçovë të Maqedonisë, ku edhe mbaroi shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërkaq diplomoi në degën “Regjia e Teatrit” në Universitetin e Arteve në Tiranë – Shqipëri, ndërkohë që titullin master e mbrojti me shfaqjen ”Kiçi dhe kthetrat e tij”. Aktualisht është pedagog i jashtëm në Universitetin e Arteve Tiranë ku ligjëron lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Tetovës ku ligjëron lëndën e Regjisë së Teatrit. Përveç në teatër, ka realizuar edhe një film dokumentar.

Premierat e tij dinë të lenë jashtë sallave të teatrit shumë artdashës, kjo sigurisht falë artit gërshetues që në mënyrë harmonike dhe temave kontradiktore i aktualizon në skenë.

Në intervistën e realizuar nga Portalb.mk, regjisori Qëndrim Rijani ka treguar për nismat e tij në profesionin e regjisë, për faktorët që ndikuan në ngritjen e tij profesionale, sociale dhe personale, duke u munduar që për artdashësit të sjellë edhe atë çfarë ai përpiqet të largojë nga të tre variantet e personalitetit të tij. Ai ka folur edhe për planet e tij, dhe për atë se sa dallon publiku në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, edhe pse janë të një etnie – shqiptarë.

“Ne jemi aq të mirë, sa qëllimi ynë i radhës dhe aq të mirë sa shfaqja jonë e radhës”, u shpreh regjisori Qëndrim Rijani.

Regjisori Qëndrim Rijani

Portalb: Një numër goxha i madh i shfaqjesh krahasuar me moshën tënde. Pse t’u besuan kaq shumë shfaqe?

Qëndrim Rijani derisa tregon arsyet që mund ta kishin bërë të besueshëm ndaj projekteve kulturore: Pyetje shumë e vështirë! Nuk e di. Ndoshta përkushtimi, puna, ndoshta suksesi i shfaqjeve pararendëse ka bërë që të më besohen shfaqjet e radhës, ndoshta vullneti im si “vullnet” i një të riu që e dashuron këtë profesion, ndoshta,… Patjetër që besimi ka një rëndësi të madhe, dhe po eshfrytëzoj rastin që t’i falënderoj për besimin që më kanë dhënë të gjitha teatrot, të gjithë drejtuesit – bordet e teatrove, bashkëpunëtorët e afërt, aktorët dhe të gjithë stafet e teatrove me të cilët kam punuar, dhe kam realizuar të gjitha projektet e deritanishme.

Portalb: Me aq numër shfaqjesh, me sa çmime u vlerësua puna jote?

Qëndrim Rijani: Gjithmonë mendoj që çmimi më i madh në këtë profesion është numri i publikut që ka parë dhe te të cilët ka arritur puna ime (jonë). Dhe çmimi më i çmueshëm ndër më të çmueshmit është: Numri i atyre që puna ime (jonë), qoftë edhe për një moment i ka bërë të mendojnë ndryshe. E nëse kanë ndryshuar mendim në lidhje më një perceptim paraprak që kanë pasur, para se të arrijë një mesazh nga puna ime (jonë) tek ata, kjo është arritja më e madhe. Të gjithë këtë e thashë, jo për t’u treguar modest më shumë se ç’duhet. Patjetër që çmimet kanë rëndësinë e tyre në profesionin tonë. Të gjitha shfaqjet e mia bashkë kanë rreth dyzet çmime, nga të cilat tetë janë personale.

Gjatë vitit 2018-të realizoi shfaqjet “Roberto Zucco”, “Në Det”, dhe “Jashtë Bie Borë”, ndërkohë që duke rikthyer në skenë “Gjymtimin”, udhëtoi në festivalin “Mc Donagh” në Rusi. Po ky nuk ishte udhëtimi i vetëm jashtë trojeve ballkanike, me shfaqjen “Jashtë bie borë” udhëtoi edhe në Sarajevë dhe Stamboll. Deri më sot, ai ka udhëtuar edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe Zvicër.

Portalb: Për të rikthyer përshtypjet e shfaqjeve dhe ndoshta për të të rikujtuar atë çfarë ke realizuar, e që duhesh ta realizosh në të ardhmen, na i numëron dot shfaqjet që ke realizuar?

Qëndrim Rijani: “Ne vijmë për Ajër”(Skot O’Mor), “Kapitulli i Dytë”(Neil Simon),“Gjymtimi” (Martin Mcdonagh), “Doktor Shuster”(Dushan Kovacevic), “Art” (Yasmina Reza), “Gënjeshtër Pas Gënjeshtre”(Anthony Nelson), “Ushtria e Ui Tomasit” (Martin Mcdonagh), “Shtëpia e Bernarda Albës” (Federico Garcia Lorca), “Darka e Thërrimeve” (Refet Abazi), “39 Hapat” (Alfred Hitchcock), “Gratë” (Robert Thomas), “Roberto Zucco” (Bernard Marie Kolltez), “Në Det” (Slawomir Mrozhek) dhe Jashtë Bie Borë (Vincenzo Salemme).

Portalb: E dukshme se Shqipëria del të jetë vendi ku “lindi” Qëndrimi si regjisor. Na fol pak për Shqipërinë?

Qëndrim Rijani derisa rrëfehet për lidhshmërinë emocionale me Shqipërinë: Shqipëria, përtej ndjesisë kombëtare, për mua është edhe atdheu i krijimtarisë sime artistike. Është vendi ku unë aspak nuk ndjehem i huaj. Është vendi që më dha shkollimin. Është vendi që më hapi portat e para në rrugëtimin tim profesional. Është vendi që sot kur unë po i përgjigjem kësaj pyetje, qëndron me dinjitet i pari në CV-në time me sasinë e projekteve që kam realizuar.

Portalb: Por sa ndikoi arsimi atje në ngritjen tënde kulturore, sociale dhe personale?

Qëndrim Rijani: Hapat e mia profesionale kanë gjenezën në Universitetin e Arteve në Tiranë. Në fillim si student, më pas si pedagog i jashtëm. Shqipëria ka edhe meritat e veta mbi kultivimin tim social-kulturor. Rrethi profesional-miqësor, në krahët e të cilit arrita të përqafohem, dhe më pas të vazhdoj rrugëtimin krah për krah me të, tek unë, te hapat e mendimit dhe zhvillimit tim intelektual dhe profesional, kanë zënë vend dhe luajnë një rol mjaft të rëndësishëm.

Portalb: Ti vazhdon të jesh aktiv në Shqipëri, çfarë po realizon kësaj radhe?

Qëndrim Rijani: Projekt të radhës kam “Xhelatët” që do të jetë produksion i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Është një projekt që jam duke e përpunuar rreth dy vite, dhe ndjehem gati për ta filluar, përskaj pikëpyetjeve që akoma vazhdojnë të bluhen në kokën time.

Portalb: Duke qenë aktiv në tre shtete, pavarësisht se publiku është i një etnie, sa dallojnë shqiptarët në Maqedoni, në Kosovë edhe në Shqipëri në pikëpamje teatrore?

Qëndrim Rijani: Gjithmonë e kam thënë, se të qenit bashkë shpirtërisht shqiptarët, ka bërë që të jemi bashkë edhe kulturalisht – artistikisht, sepse arti rrënjët i ka në shpirt. Pavarësisht dallimeve, mendoj që kemi pafundësisht të përbashkëta. Nuk do të doja të përpiqesha të gjeja dallimet. Mendoj që problemet i kemi të gjithë, kudo dhe njëlloj.

“Dhe ajo që uroj është që ne në Maqedoni dhe në Kosovë të përpiqemi të arrijmë që vullnetin dhe dëshirën e publikut për teatër, ta sjellim në të njëjtin nivel me dëshirën dhe vullnetin e publikut të Shqipërisë. Duhet që të vazhdojmë sa më shumë të shkëmbehemi më njeri-tjetrin, sepse kjo do të bëjë që të mësojmë më shumë, nga dallimet mes nesh, dhe të bëjmë punë më të mira bashkërisht”, tha Qëndrim Rijani.

Portalb: Deri tash u bazove në ngjashmëritë dhe në ndërtimin e një arti teatror të unifikuar Maqedoni – Shqipëri – Kosovë. Ju edhe vetë thatë se si Maqedonia dhe Kosova duhet të punojnë që të ngriten në nivelin e vullnetit të publikut të Shqipërisë. A ndikon publiku në përzgjedhjen e tematikës së shfaqjes?

Qëndrim Rijani: Patjetër që po. Ndikon vendi, rrethana dhe koha në të cilën vendoset shfaqja. Ndikon aktualiteti në raport me pikëpyetjet që duhet ngritur përmes temave që do të trajtohen në shfaqje. Edhe nëse përzgjedhja do të jetë një vepër nga kryeveprat botërore, patjetër që gjendja, rrethanat sociale, politike, historike, kulturore,… të publikut që do ta shoh shfaqjen, përcakton temat që do t’u mëshohet në vepër.

Portalb: Bazuar në shfaqjet që i kemi ndjekur, janë gërshetues harmonik të llojeve të ndryshme të artit. A mund të themi se po sillni një art të veçantë, të mos themi art “qëndrimian”?

Qëndrim Rijani: Haha,… Është gjë shumë e madhe, që një rrymë – stil teatror të marrë emrin tim, është e pamundur. Këtë e kanë bërë vetëm të mëdhenjtë, të bekuar nga Zoti. Madje edhe nëse do të ndodhte e pamundura si kjo, ose do çmendesha ose do të vdisja. Të dyja këto do të mund të ndodhnin, sepse atëherë do konstatoja që jam “i pavdekshëm”. Unë kam frikë ta mendoj “pavdekësinë”, kam frikë të “vdes”, kam frikë sepse kam shumë, shumë punë për të bërë, derisa të arrij të shtrydh gjithë dashurinë time për skenën. Patjetër unë mundohem që të arrij krijimin e një rryme –stili teatror personal, dhe pa as frikën më të vogël nga fakti që shfaqjet e mia mund t’i ngjajnë njëra-tjetrës. Normal që këtë përpiqem ta bëj, duke i bërë vetë shfaqjet “të ndryshme” nga njëra-tjetra.

Regjisori Qëndrim Rijani

Procesi regjisorial – kënaqësi dhe vështirësi në vete

Portalb: Si krijohet një shfaqje. Si renditen aktorët në skenë?

Qëndrim Rijani: Është proces i vështirë, dhe i këndshëm njëkohësisht. Gjithmonë fillon me ndarjen e roleve dhe më pas përgatitjen e tyre psiko-fizike. Për rolin që ata/o marrin, duhet të japin shpirt në skenë. Gjithmonë marrë “ankesa” për prova të gjata, por kjo ndodh – ngaqë jam ‘frikacak’ dhe nuk dua të ndahem nga aktorët/et prej ditës së parë – deri në premierë. Duke qëndruar më ata sa më gjatë në proces provash, kjo bën që ata/o të ‘shkërmoqen’ sa më gjatë me personazhin e tyre. Të gjithë të suksesshmit e teatrit kanë arritur suksesin, ngaqë i kanë ndarë kohë shumë të gjatë provës. Kjo është një dëshmi që teatri është provë, dhe më pas sërish provë. Nuk e di nëse ka diçka të tretë, por e di që në proceset e deritanishme, i ankohem pafund vetes për çfarëdo lloj mos-arritje në raport me shfaqjen, dhe nuk mund ti ankohem për mos-përkushtim.

Portalb: Krahas anës negative, me siguri ka edhe anën pozitive. Cili është momenti më i mirë i një procesi regjisorial?

Qëndrim Rijani derisa rrëfen për anën e mirë të medaljes: Unë jam nga ata që e shijoj një proces regjisorial me të gjitha çfarë ka brenda. Fillon që nga momenti që ma japin bulëzat e intrigës së një vepre, kurse vazhdon me kohën e gjatë të punës në lidhje me krijimin e një platforme – koncepti regjisorial. Pas kësaj vjen përzgjedhja e aktorëve, për të kaluar në premierë. Shijoj ditët e buzëqeshura, por poashtu shijoj edhe ditët e zymta, mbase kjo ndodh sepse kur diçka e do me shpirt, e do me të gjitha çfarë ka në të.

Portalb: Megjithëse duket një hapësirë në vete dhe e veçantë, si shfaqja dhe vetë teatri frymojnë në harmoni me rrethin. Politika, ekonomia dhe kultura. Çfarë i lidh dhe i dallon këto terme sipas një regjisori?

Qëndrim Rijani: Vetë qenia njerëzore është qenie sociale, ekonomike, politike dhe kulturore. Pa hyrë në fushat tjera, kultura është detektori i parë i cili shpërfaq të gjitha anët pozitive dhe negative të pjesëve tjera që e përbëjnë një qenie njerëzore. Shpesh herë mendojmë që për mungesat dhe anomalitë, kanë faj sistemet, gjithashtu po aq shpesh herë thuhet se për po të njëjtat, kanë faj njerëzit të cilët përbëjnë apo përbëhen nga një sistem. Është kultura – arti ajo që duhet të jetë elementi kimik – farmaceutik, i cili injektohet në “venat” e qenies – njeriut apo përbërjes – sistemit. Pastaj ajo i detekton të gjitha “sëmundjet” dhe “anomalitë”. Është vetë njeriu – sistemi që duhet t’i kurojë apo shërojë.

“Mendoj se pa politikë nuk ka kulturë, poashtu pa ekonomi nuk ka kulturë, por pa kulturë – art nuk ka asgjë”, tha Qëndrim Rijani.

Portalb: Deri tash folëm për Qëndrimin si regjisor. Kush është Qëndrimi si familjar dhe pedagog?

Qëndrim Rijani pasi mendohet gjatë: Vështire të ndahen, megjithatë po përpiqem. Në variantin e parë – përpiqem të jem  sa më i dashur dhe të kem parim kryesor qëllimin e mirë. Shpesh herë i gabueshëm, por uroj që gabimet t’i kem njerëzore. Të diturit që jam i gabueshëm, më ka mësuar te jem i falur edhe të fal shumë. Në variantin e dytë – përpiqem të mos jem pedagog, por shok. Jo shok kafeneje për muhabete kafenesh, por shok skene – auditoriumi dhe diskutimesh profesionale. Kam fatin e mire që jam i angazhuar në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe në Fakultetin e Arteve në Tetovë, pasi që kjo më bënë që nga andej të sjelle të mirat këndej, dhe nga këndej të dërgoj të mira andej.  Dua shumë, që gjithçka që di, ta përcjellë te studentët, por më shumë dua që gjithçka që unë nuk e di, ata të dinë ta konstatojnë dhe të hulumtojnë e ta gjejnë diku tjetër. Ndjehem shume mirë, që sa herë që takohemi, diskutojmë për dituri të reja dhe mësojmë nga njeri-tjetri. Do të isha edhe më i lumtur, nëse kurdo që t’i takoj, ata të më flasin për punën e tyre të fundit, dhe angazhimi i tyre  të ketë bërë që të kenë “harruar” punët studentore. Në variantin e tretë – mundohem që me çdo kusht të realizoj të gjitha qëllimet për të arritur tek suksesi i përbashkët në premierë. Nuk lumturohem aq me suksesin e premierës, sa me faktin kur ndjejë – dëgjoj  që aktorët me të cilët kam punuar për atë premierë më thonë: “E ndjejë që ky ishte roli më i mirë që kam bërë”. Uroj dhe lutem që mos më shteret dashuria për këtë profesion, dhe për të mos mbaruar dashuria për këtë profesion, uroj që të ketë çdo ditë aq shumë gjëra që do me bëjnë ‘nervoz’, sa të më frymëzojnë për shfaqjen e radhës.

Regjisori Qëndrim Rijani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button