Maqedonia dhe Shqipëria do të vendosin kontrolle të përbashkëta në Qafë Thanë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, është takuar sot në Pogradec me homologun e Maqedonisë, Oliver Spasovski, ndërsa në fokus të takimit ishin diskutimet për bashkëpunimin ndërkufitar dhe policor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë thuhet se qëllimi i takimit ishte për thellimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkufitar dhe policor mes dy vendeve.

“Ministri Lleshaj përgëzoi homologun e tij, Oliver Spasovksi, për rezultatet në Parlamentin e Maqedonisë përsa i përket aprovimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila shtron udhën e integrimit të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian(BE). Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan në qëllimin e përbashkët për ngritjen e modelit ‘one stop-shop’ në kufirin e përbashkët, një model të cilin Shqipëria e ka aplikuar tashmë me Malin e Zi dhe Kosovën, ndërsa Maqedonia e ka në fuqi me Serbinë”, theksohet në njoftim.

Më tej theksohet se të dy ministrat nënvizuan rëndësinë e modelit “one- stop-shop” në kufi dhe shtohet se palët u zotuan të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të vendosur këto pika të përbashkëta kufitare më datë 1 prill 2019.

Ministri Spasovksi gjatë këtij takimi, ka informuar palën shqiptare se autoritetet e Maqedonisë po marrin të gjitha masat e nevojshme për të përmirësuar kushtet dhe infrastrukturën e pikës së përbashkët ndërkufitare të Trebishtit.

Ministri Lleshaj, sipas njoftimit, i ka prezantuar homologut të Maqedonisë, idenë e sigurimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, udhëtarëve dhe mallrave në kufijtë e vendeve, dhe sipas tij, kjo ide do të ndahet edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button