Pendarovski: Rruga e Maqedonisë për në NATO do të rrumbullakohet në tremujorin e parë të vitit 2020

Maqedonia dhe Greqia e zgjidhën kontestin rreth emrit, Marrëveshja e Prespës u ratifikua nga Parlamenti i Maqedonisë, ndërsa javën e kaluar mbështetje morën edhe ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga ajo që është dakorduar. Tani vëmendja është orientuar kah Athina dhe hapat që duhet të ndërmerren atje për ratifikim të Marrëveshjes, dhe nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, së bashku me procesin dhe ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO, në rrethana optimale, Maqedonia, në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, do të bëhet anëtare e 30 e plotfuqishme e Aleancës së Atlantikut verior.

“Procesi i ratifikimit ka karakter rutinor dhe zakonisht zgjatë rreth 12 muaj, e pas kësaj, NATO dërgon ftesë deri te vendi kandidat për t’iu bashkuar Aleancës. Në rrethana optimale, është e logjikshme të pritet se Maqedonia do të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s, në tremujorin e parë të vitit 2020”, thekson Pendarovski.

Greqia ka paralajmëruar se do të jetë anëtarja e parë e Aleancës që do të nënshkruajë Protokollin, pasi Marrëveshja e Prespës të kalojë në Parlamentin e Maqedonisë,  e pastaj të ratifikohet edhe në Parlamentin e Greqisë, por kryeministri Aleksis Cipras nesër do të përballet me votëbesim të Qeverisë së tij, që ai e ka kërkuar vetë, pasi partneri i tij i koalicionit, lideri i Grekëve të pavarur, Panos Kamenos, i cili e kundërshton marrëveshjen midis Shkupit dhe Athinës, u largua nga koalicioni qeveritar.

“Momenti më i ri në Athinë është kërkesa për besimin e qeverisë greke, ndërsa vetëm pas kësaj është caktuar procedura për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Nëse qeveria në Athinë e merr besimin, diku në fillim të javës së ardhshme, pritet që ratifikimi të kalojë me 151 vota nga 300 deputetë në Parlamentin grek. Pastaj, qeveria greke e ka për obligim të informojë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg se nuk ekzistojnë më tutje pengesa për hyrjen e Maqedonisë në NATO, pas çka do të pasojë nënshkrimi i Protokollit të aderimit midis Maqedonisë dhe NATO-s”, shpjegoi Pendarovski në një deklaratë për MIA, transmeton Portalb.mk.

Ai sqaron se protokolli i aderimit është dokument i unifikuar dhe kryesisht ka karakter teknik-ligjor. Atë e nënshkruajnë të gjitha vendet-kandidate para se të bëhet anëtare të plotfuqishme. Protokolli është i shkurtër, përmban vetëm disa dispozita që e përshkruajnë procedurën sipas cilës vendi bëhet anëtar i plotfuqishëm.

“Pas nënshkrimit të Protokollit për aderim, Maqedonia do të bëhet pjesë e të gjitha trupave punuese të Aleancës, me të drejtë që të merr pjesë në diskutime, por pa të drejtë vote dhe statusi i tillë do të zgjasë deri në përfundim të procesit të ratifikimit në parlamentet e të gjitha 29 shteteve anëtare”, theksoi koordinatori nacional për NATO.

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës është edhe kusht formal në ftesën që NATO ia ka dërguar Maqedonisë në Samitin e Brukselit më 11 dhe 12 korrik. Zgjidhja e kontestit ishte gjëja e parë që duhej të bëhet për të hapur rrugën drejt Aleancës, ndërsa ky kusht bazohet në nenin 10 të Marrëveshjes së Uashingtonit, sipas të cilit vendet bëhen anëtare të reja të Aleancës me vendim unanim të anëtarëve tjerë.

Secili nga 29 vendet-anëtare duhet të ratifikojë Protokollin, në përputhje me procedurat nacionale që dallojnë nga shteti në shtet, dhe ky proces pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Pasi të gjitha vendet-anëtare të ratifikojnë Protokollin dhe i njoftojnë SHBA-të, si depozitues të Marrëveshjes, sekretari i përgjithshëm i Aleancës do t’ia dërgojë ftesën për anëtarësim Maqedonisë.

Vendi pastaj edhe vetë duhet të pranojë formalisht anëtarësimin në NATO me referendum ose me votim në Parlament. Vendimi i aderim më pas i dorëzohet Departamentit të Shtetit, me çka edhe formalisht vendi bëhet anëtar i Aleancës së Atlantikut të veriut, që këtë vit 70 shënon vjet nga themelimi.

Në vitin 1993, Parlamenti i Maqedonisë miratoi rezolutë për anëtarësim, në vitin 1995 Maqedonia iu bashkëngjit Programit Partneritet për Paqe, Zyra e NATO-s u hap në vitin 1997, kandidat u bëmë në vitin 1999.

Maqedonia më së afërmi deri te anëtarësimi ishte në vitin 2008 në samitin e NATO-s në Bukuresht. Aleanca pastaj konstatoi se vendi teknikisht është i gatshëm për të hyrë, por hyrja ishte penguar me veton nga Greqia për shkak të kontestit të pazgjidhur për emrin.

LEXO: Shtatë hapat e Maqedonisë deri në anëtarësimin në NATO (INFOGRAFIK)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button