Maqedoni, zbatimi i Marrëveshjes: Dokumentet personale do të ndërrohen brenda 5 vitesh

Brenda pesë vitesh ose më së voni deri më 2024, në dokumentet personale të qytetarëve do të qëndrojë emri i ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Me amendamentet e reja në këto dokumentet do të shënohet edhe përkatësia etnike e komuniteteve pakicë në vend, transmeton Portalb.mk.

Letërnjoftimet dhe pasaportat e reja, si dhe shenjat e targat e reja për automjetet e tyre qytetarët do të duhet t’i marrin më së voni brenda pesë vitesh, pas ratifikimit të Marrëveshjes për emrin të Parlamentit grek, pasi që Kuvendi i Maqedonisë paraprakisht i miratoi ndryshimet kushtetuese të nevojshme për  zbatimin e Marrëveshjes.

Targat në të ardhmen do të mbajnë shkurtesën NM ose NMK. Brenda 5 vitesh do të duhet të ndërrohet edhe i gjithë dokumentacioni tjetër i administratës publike për përdorim të jashtëm, por edhe për përdorim të brendshëm dhe lëshimi i tyre do të fillojë me hapjen e çdo kapitulli në fushën përkatëse në negociatat me BE-në. Kjo do të thotë se çdo institucion do të ndryshojë emrin e vet dhe dokumentacionin në etapa.

Ende nuk dihet se si do të zëvendësohen dokumentet personale të qytetarëve që nuk do të skadojnë brenda afatit të caktuar, edhe pse ajo nuk do të jetë barrë e tyre, të paktën sipas njoftimeve nga Qeveria. Sidoqoftë, deri në vitin 2024, qytetarët duhet të kenë letërnjoftim ose pasaportë me emrin e ri të shtetit.

Elementet kryesore të Marrëveshjes

Sipas nenit 1 të Marrëveshjes, emri zyrtar për përdorim të përgjithshëm do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut” ose shkurtesa “Maqedonia e Veriut”.

Marrëveshja parashikon përkthim të emrit Republika e Maqedonisë së Verioriut në të gjitha gjuhët.

Për shembull: Republic of North Macedonia. Marrëveshja nuk parashikon transkriptimin e emrit Republika e Maqedonisë së Veriut në alfabetin latin.

Sa i përket gjuhës, Marrëveshja parashikon që gjuha zyrtare e vendit tonë është “gjuha maqedonase” që do të mund të përkthehet në të gjitha gjuhët (p.sh. anglisht “Macedonian language”).

Sa i përket gjuhës maqedonase në OKB në Nju Jork mbetet e shkruar – GJUHA MAQEDONASE (MAKEDONSKI JAZIK)- pa asnjë fusnotë si sqarim plotësues. Gjuha maqedonase është konfirmuar – identiteti është ruajtur.

Në vetë marrëveshjen ekziston një nen, në të cilin shënohet fakti shkencor se gjuha maqedonase është pjesë e grupit të gjuhëve sllave të jugut. Por, në OKB nuk ka fusnotë.

Sa i përket shtetësisë/nacionalitetit (Nationality), kjo është përcaktuar në Marrëveshje si “Maqedonas/ qytetar i Republikës Maqedonia e Veriut” që do të mund të përkthehet në të gjitha gjuhët (p.sh. anglisht: Macedonian/citizen of the Republic of North Macedonia).

Sa i përket emërtimit të institucioneve shtetërore, ata do të ndjekin parimin e marrëveshjes, pra emrin e ri të shtetit.

Të gjitha organizatat, kompanitë, asociacionet ose çdo lloj aktiviteti dhe atributi tjetër mund të emërtohen lirshëm si maqedonas/e dhe të përdorin mbiemrin maqedonas/e, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Implementimi në etapa

Implementimi i marrëveshjes do të bëhet në etapa, ndërsa ajo do të hyjë në fuqi pasi të dy palët ta pranojnë, në përputhje me procedurat e brendshme. Nëse ndonjëra nga palët nuk e pranon Marrëveshjen në përputhje me procedurat e brendshme, kjo do të thotë se Marrëveshja nuk vlen.

Simbolet shtetërore nuk ishin pjesë e procesit të negociatave. Kjo do të thotë se Himni, Stema dhe Flamuri ende ngelin dhe aty nuk ndryshon asgjë.

Monumentet që janë ndërtuar në kuadër të Shkupi 2014, që e pasqyrojnë kulturën helenike si trashëgimi historike dhe civilizuese e botës, do të marrin atë epitet gjithashtu.

Në fakt, Luftëtari në Kalë do të riemërohet në emrin që  në të vërtetë është- Aleksandri i Maqedonisë dhe në kuadër të monumentit do të jepen shpjegime se për kë bëhet fjalë, gjegjësisht se Aleksandri i Maqedonisë, si pjesë e periudhës së lashtë helenike është trashëgimi kulturore botërore.

Nuk do të ketë prishje të monumentit të Aleksandrit të Madh. Mbetet si simbol i miqësisë mes dy vendeve.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me monumentin e Filipit II të Maqedonisë dhe të Olimpias.

Të gjitha zgjidhjet e mundshme në lidhje me monumentet që janë pjesë e trashëgimisë civilizuese botërore do të synojnë konfirmimin dhe forcimin e miqësisë mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Sa i përket kodeve – MK – MKD, mbeten kode të pranuara dhe të njohura ndërkombëtarisht. Targat e automjeteve nuk janë pjesë e kodifikimit ndërkombëtar dhe për këtë arsye targat do të ndjekin frymën e marrëveshjes që do të nënshkruhet me Greqinë.

Ndryshe, pas një beteje të gjatë dhe të lodhshme, me shumë situata të panjohura që nga qershori i vitit 2018 kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, më 11 janar më në fund Kuvendi i Maqedonisë dha dritë jeshile për ndryshimin e emrit të shtetit. U miratuan katër amandamentet që ndryshuan Kushtetutën e vendit dhe kur të hyjnë në fuqi, shteti do të quhet “Maqedonia e Veriut”.
Ky akt, Maqedonisë i siguron antarësim në NATO dhe datë bisedimesh me Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button