Drama vazhdon

Sot duhet të mbahet seanca e kuvendit ku përfundimisht pritet të votohen amendamentet kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Prespës. Nuk është një proces i lehtë. Sapo merret vesh njëra palë, del pala tjetër duke thënë se nëse pranohen kërkesat e të parës të dytët nuk do t’i votojnë amendamentet. Situata dramatike e cila përsëritet tani më disa herë në kuvend vazhdon edhe sot. Ndërsa varur qëndron ardhmëria jonë.

Amendamentet kushtetuese u përgatitën sipas obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës. U hapën vetëm ato nene të Kushtetutës që nevojiteshin për këtë marrëveshje dhe tani vetëm lidhur me ato nene mund të bëhen ndryshime. Këtë besoj deri më tani të gjithë e kanë të qartë. Ajo që po ndodh është një përpjekje e të gjitha subjekteve politike të nxjerrin maksimumin e pikëve për kampanjat e tyre të ardhshme para popullit, votat e të cilit sërish shumë shpejtë do ti kërkojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Problemi qëndron në atë se gjithmonë duhet pasur kujdes që duke kërkuar të realizohen absolutisht të gjitha kërkesat lidhur me këto nene të mos mbetemi pa realizuar asnjërën. Se në fund të fundit, nuk është asnjëri prej subjekteve të tanishme politike ai që e bën të suksesshme gjithë këtë ndërmarrje, por janë të gjitha së bashku.

Të mos harrojmë që kjo është një marrëveshje e cila në esencë ka ndryshimin e emrit të një shteti. Është kjo një çështje mjaft delikate për shumë qytetarë që jetojnë këtu. Të mos harrojmë edhe pse e bëjmë gjithë këtë ndërmarrje jo të zakonshme dhe jo të lehtë: që përfundimisht të integrohemi në NATO dhe të fillojmë negociatat e aderimit në UE. Tani më shumë se kurdoherë nevojitet jo vetëm konsensus lidhur me këto çështje por edhe fokus te gjërat esenciale dhe më kryesore. Nuk mund të lejojmë që duke u kujdesur për ndonjërin nga drunjtë që kërkojnë kujdes të posaçëm të mos arrijmë ta shohim pyllin i cili mund të jetë në shkatërrim të plotë.

Perspektiva e këtij shteti gjendet vetëm në NATO dhe në UE. Rruga për atje kalon përmes Marrëveshjes së Prespës. Sa më gjatë e prolongojmë zbatimin e kësaj marrëveshje aq më gjatë e prolongojmë procesin e integrimeve euro-atlantike. Prandaj duhet pasur kujdes që duke dashur të vëmë vetulla më të bukura të mos i nxjerrim sytë. Sepse pa sy  nuk i shohim dot as vetullat e bukura që mund t’i kemi.

Jam e sigurt që të gjithë deputetëт janë në gjendje ta kuptojnë që ky është një moment historik. Analet e historisë do të shkruajnë për ata që ishin në anën e duhur, në anën e integrimeve euro-atlantike në këtë ditë të ftohtë janari, në Shkupin e mbuluar me borë. Do të shkruajnë edhe për ata që mund të vendosin ta sabotojnë këtë proces të rëndësishëm dhe të na kthejnë prapë në qorrsokakun ku gjendemi gati se tri dekada. Dhe në atë rast, të mos mendoni se dikush do të impresionohet shumë për kokëfortësinë për ta ruajt emrin e shtetësisë ose diçka tjetër. Sepse në atë rast në pasaportat e të rinjve dhe fëmijëve tanë do të shënohet tjetër nënshtetësi, ndonjëra e ndonjë vendi të BE-së ku ata do të shkojnë të jetojnë jetën që e meritojnë, atë jetë që sot deputetët e kanë në dorë ta përcaktojnë, nëse do të jetë jeta e një qytetari të BE-së apo jeta e një qytetari të një shteti që edhe më tej mbetet në izolim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button