Turqia hedhi poshtë kërkesën e SHBA-ve për luftëtarët kurdë

Turqia nuk e pranoi kërkesën e Uashingtonit që të mos ndërmarrë sulme kundër luftëtarëve kurdë në Siri pas tërheqjes së trupave amerikane nga kjo zonë. Ministri i jashtëm turk tha sot se Ankaraja nuk do të ngurojë të ndërmarë veprime ushtarake për të mbrojtur kufijtë e saj nga kërcënimi që vjen nga luftëtarët kurdë në Siri, transmeton VOA.

Kërkesa amerikane iu paraqit Turqisë nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, i cili tha se angazhimi i Turqisë për të mos sulmuar kurdët është kusht për tërheqjen e trupave amerikane.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan nuk pranoi të takohej me zotin Bolton dhe në një fjalim të martën në Ankara, në përgjigje të kërkesës së zotit Botlon, tha se Turqia do të dërgojë forca në Sirinë veriore për të luftuar si Shtetin Islamik, edhe grupet kurde.

Presidenti Erdogan tha në parlament të martën se përgatitjet për një ofensive kundër terroristëve në veri të Sirisë pothuajse kanë përfunduar. Ai e bëri të qartë se kurdët do të vihen në shënjestër, ashtu si edhe Shteti Islamik, pasi Ankaraja i konsideron ata të lidhur me grupin terrorist kurd PKK.

“Ata që janë pjesë e korridorit terrorist në Siri do të marrin mësimin e nevojshëm. Nuk ka asnjë dallim mes PKK-së, YPG-së, PYD-së dhe Shtetit Islamik”, tha presidenti Erdogan.

Presidenti Erdogan e kundërshtoi mesazhin nga zotin Bolton se tërheqja e trupave amerikane nga Siria varet nga premtimi i Turqisë për të mos sulmuar kurdët.

“Megjithë arritjen e një mirëkuptimi të qartë me zotin Trump, kanë filluar të dalin zëra të ndryshëm nga segmente të administratës, pavarësisht se pikëpamjet e Trumpit mbi Sirinë dhe vendimi i tij për t’u tërhequr mbetet pika jonë e referencës”, tha presidenti Erdogan.

Edhe sot, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se Turqia nuk do të ngurrojë të ndërmarë veprime ushtarake për të mbrojtur kufijtë e saj nga kërcënimet e luftëtarëve kurdë në Siri.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur ofensivën kurde kundër Shtetit Islamik, pavarësisht kundërshtimit të Turqisë. Një tërheqje amerikane i lë kurdët e Sirisë pa mbrojtje. Ata po përpiqen të kërkojnë ndihmë nga palët e tjera në konflikt – ndoshta qeveria siriane, e mbështetur nga forcat ushtarake ruse. Izraeli po paralajmëron gjithashtu për ndikimin në rritje të Iranit në rajon.

Gjatë një vizite në kryeqytetin e Jordanisë të martën, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se Irani është po aq i rrezikshëm për Sirinë sa edhe Shteti Islamik.

“Duhet ta kuptojmë qartë se kërcënimi më i rrezikshëm për rajonin është Shteti Islamik dhe Irani”.

Sekretari Pompeo tha se vendimi i presidentit Trump për të tërhequr trupat nga Siria nuk do të minojë përpjekjet për të mposhtur terroristët në Siri.

I përballur me kritika, presidenti Trump tha se tërheqja e trupave do të kryhet “me ritmin e duhur”, pa dhënë një afat kohor.

Një zëdhënës i presidentit turk ofroi më shumë hollësi të martën.

“Afati kohor që na është dhënë, është pak a shumë 60 deri në 90 ditë. Tani po flasim për 120 ditë, që është gjithsesi katër muaj”, tha zoti Ibrahim Kalin.

Zyrtari turk tha se Ankaraja dëshiron të dijë nëse Shtetet e Bashkuara planifikojnë t’i marrin me vete armët e tyre dhe çfarë do të ndodhë me bazat e saj pas tërheqjes së trupave nga Siria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button